Atletiko, si Juvja!

Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, e njeh shumë mirë rivalin në gjysmëfinale të Champions-it. Gjatë konferencës për shtyp, strategu spanjoll analizoi me hollësi Atletiko Madridin. “Vazhdoj të jem i mendimit që Barcelona është ekipi më i mirë në Europë, edhe pse u skualifikuan. Ata kanë Mesin, më të mirin në botë, por në një apo dy takime mund të ndodhë gjithçka, Atletiko nuk ka fituar me vite ndaj Realit. Sapo erdhi Simeone u transformuan”, u shpreh Guardiola.
Pep tha më tej se, çdo rival kishte vështirësitë e veta. “Flitet gjithnjë mbi Realin dhe Barçën, por në pesë vitet e fundit Atletiko po i rivalizon seriozisht. Para dy vitesh fituan titullin në Spanjë dhe arritën në finale të 2014-ës. Atletiko është në një nivel me Realin dhe Barcelonën. Ata skualifikuan Barçën dy herë nga çerekfinalet në tre vitet e fundit. Ne kemi luajtur edhe ndaj Juventusit, një prej mbrojtjeve më të mira në botë. Na duhet sërish të çajmë betonin e radhës dhe më duhen shëndoshë e mirë të gjithë lojtarët. Do t’u tregoj gjithçka lojtarëve të mi. Na duhen 180 minuta të zjarrta për t’ia dalë mbanë. Ekipi ka një zemër të madhe dhe Bajerni ka një qëllim madhor këtë sezon”, tha ai.
“Në ‘Visente Kalderon’ mbizotëron ndoshta atmosfera më e mirë në Europë. Jam shumë kurioz për këtë duel. Edhe atmosfera në Lisbonë pas disavantazhit i surprizoi lojtarët e mi. Në Madrid do të luajnë për herë të parë ndaj Atletikos dhe ka për të qenë mjaft interesante për ta. Nuk kam luajtur apo stërvitur me të. Prandaj nuk e njoh mirë. Në jetën time mund të kem biseduar një ose dy herë. Ai ka shumë vetëbesim. Lojtarët luajnë sipas karakterit të tij. Kur ata luajnë mirë, fitojnë gjithmonë. Edhe kur nuk luajnë mirë, nuk i prishin balancat”, tha ai.
Guardiola tha se, edhe Bajerni nuk ka pësuar shumë gola. “Por, ata janë mirë, si Juventusi. Luajnë me presing, mbrohen thellë dhe janë kompaktë. Në krosime Godin është vrasës, por kanë edhe një portier të mirë si Oblak. Janë shumë të strukturuar”, përfundoi Guardiola.
Katalanasit, të cilët deri një muaj më parë shiheshin si të pagabueshëm, kanë hyrë papritur në një kolaps total, duke qenë se pas dy humbjeve në kampionat kanë pësuar atë të radhës në Europë dhe janë larguar nga turneu. Strategu Enrike pranon momentin e vështirë, por shpreson që skuadra të mos nervozohet, sepse në këtë mënyrë rrezikojnë edhe kampionatin dhe kupën. “Futbolli është edhe i tillë. Kemi fituar shumë ndeshje, por një skuadër e madhe duhet të dijë të pranojë edhe humbjet. Më e lehtë do të ishte që ta harronim sa më shpejt këtë eliminim. Duhet vetëm të qëndrojmë të qetë dhe të mendojmë se kemi ende dy trofe të tjerë për të fituar. Është normale që nga ne pritet gjithmonë shumë, por fakt është që prej disa javësh duket sikur ingranazhi është bllokuar. Gjithkush mund të japë mendimin e tij për këtë krizë tonën, ndërsa unë nuk e kam luksin ta bëj këtë. Detyra ime është të analizoj gjithçka duke parë ndeshjet e bëra dhe të mundohem të zgjidh problemin. Por e ritheksoj, nëse nuk qëndrojmë të qetë rrezikojmë që të çojmë dëm edhe kampionatin dhe kupën”, tha Enrike.

Exit mobile version