Elozhe nga UEFA, Rashica ylli i momentit

Në Holandë kanë filluar ta etiketojnë si Neymari shqiptar, krahasimi ndoshta është disi i ekzagjeruar, por e sigurt është se Milot Rashica është një yll në ngjitje dhe sirenat e merkatos kanë filluar të bien për të duke paralajmëruar një verë të nxehtë. Në rubrikën e saj të përjavshme për talentet e rinj, faqja zyrtare e UEFA-s i ka dedikuar artikullin e radhës pikërisht djaloshit nga Vushtria. De Biasi thotë për të se është një lojtar i jashtëzakonshëm, edhe pse ende nuk është i sigurt nëse do ta marrë me vete në Francë, ndërsa trajneri i Vitesse Rob Mass e cilëson si një fitimtar që e di se çfarë do duke shkuar drejt e në shënjestër. Vlerësimet vijnë nga të gjitha anët ashtu si dhe kërkesat për Rashicën.
I piketuar nga Napoli që e konsideron si “Mertensin” e ri, në garë për futbollistin shqiptar janë futur edhe Lazio dhe Everton. Kështu raporton “Tuttomercatoweb.it”. Në një artikull ekskluziv faqja e specializuar italiane në lidhje me lajmet e merkatos raporton se po rritet vëmendja e disa prej klubeve më të mëdha të Europës për të riun e kombëtares shqiptare që aktualisht luan për Vitessen. Në orët e fundit edhe Lazio e Everton i janë shtuar Napolit në listën e skuadrave që kërkojnë futbollistin, të cilin ndihmësi i De Biasit, Paolo Tramezzani nuk ka ngurruar ta etiketojë si të riun më me perspektivë të kombëtares kuqezi. Për momentin, Napoli mbetet në pole position për shërbimet e Rashicës pasi ka realizuar kontaktet e para me njerëzit pranë futbollistit për të marrë informacionet e nevojshme mbi vlerën dhe kërkesat e tij. Për Rashicën ky mund të jetë sezoni i parë dhe i fundit në Eredivisie me disa klube që i kanë vënë syrin dhe padyshim një grumbullim hipotetik në Europian me kombëtaren, diçka për të cilën vetë Rashica thotë se është ëndrra më e madhe e tij për momentin do të shumëfishonte interesin për yllin e ri të kuqezinjve.
Sulmuesi që në fund të muajit mars debutoi edhe me kombëtaren shqiptare në miqësoren me Luksemburgun, krahasohet as më shumë e as më pak, por me Dries Mertens, mesfushorin belg të blerë në vitin 2013 për 9.5 milionë euro nga PSV Eindhoven. Rashica ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por megjithë moshën e re, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Luan si sulmues krahu, por mund të aktivizohet edhe si mesfushor krahu apo organizator. Teknikë, vrapim dhe mbi të gjitha i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në këtë sezon të Eredivisies me Vitessen regjistron 7 gola dhe 6 asist në 27 javë të kampionatit holandez.

Exit mobile version