Austria flet troç: Zgjedhje me të gjitha partitë, baza e demokracisë

Në distancë, Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk i kanë kursyer ftesat për dialog që sjell kapërcimin e krizës politike që po kalon vendi.
Por një hap konkret deri më sot nuk është hedhur. Leximin politik të deklaratave të tyre e kanë të ndryshëm edhe Ambasadorët e akredituar në vendin tonë.
Ai austriak Johan Sattler ndryshe nga qëndrimi i koleges së tij gjermane të bërë publik më parë se në zgjedhje marrin pjesë ato parti që dëshirojnë, ai deklaron se demokracia kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve në proçes.
“Ne po hyjmë në një vit zgjedhor, viti elektoral jo vetëm në Shqipëri është paksa më i vështirë sa vitet e tjera. Gjëja më e rëndësishme është që partitë politike dhe njerëzit të ulen me njëri-tjetrin dhe të dialogojnë, sepse dialogu është esenca e demokracisë. Ajo çfarë kemi parë ditët e fundit janë zhvillime shumë të mira, kam dëgjuar ftesa për dialog. Kam dëgjuar praninë e këtyre ftesave për dialog, mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur. Gjëja më e rëndësishme është të flasin, dhe jo të mos kemi dialog. Dhe besoj që në fund do të kemi një proçes elektoral gjithëpërfshirës. Që partitë të marrin pjesë në proçesin zgjedhor, kjo është gjëja më e rëndësishme, baza e demokracisë janë zgjedhjet” shprehet ambasadori austriak.
Deklaratat Ambasadori i bëri pas vizitës në shkollën austriake në Shkodër, ku pa nga afër proçesin mësimor që zhvillohet në këtë institucion të rëndësishëm që prej 10 vitesh ka hapur dyert në Shkodër.
Më pas, ai vizitoi qendrën komunitare, ku u njoh me shërbimet që jepen aty. Sattler sëbashku me një delegacion të Ambasadës dhe gazetarët po sheh nga afër edhe investimet që shteti i tij ka bërë në këtë qark.

Exit mobile version