Avokati i financierit të Habilajve: “Si e arratisën nga burgu Seitajn”

Avokati shqiptar i Nezar Seitajt, i njohur si financieri i grupit të Habilajve, është marrë në pyetje në lidhje me ekstradimin e paprecedentë të klientit të tij drejt Italisë. Avokati Detar Hysi është pyetur në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitait, ndaj të cilit Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur masë sigurie arrest me burg për llogari të hetimit në kuadër të grupit të Habiljave.
Në këtë procedim po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime të “Top Channel” u shprehen se avokati Hysi, ka shpjeguar mënyrën si e kishte marrë vesh për ekstradimin e papritur të klientit të tij si dhe ka dëshmuar faktin se kishte informuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë ekstradim. Avokati ka pohuar gjithashtu se, ekstradimi i Seitajt është bërë në të njëjtën ditë kur ai kishte firmosur zgjatjen e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ekstradimi i Nezar Seitajt, përveç procedurës ekstraproceduriale që është ndjekur duke thyer masën e arrestit, që kishte vendosur Gjykata e Krimeve të Rënda, u shoqërua edhe me akuza nga opozita. Ajo akuzoi mazhorancën se e ekstraduan Seitaj në kundërshtim me ligjin, pasi ai ishte i vetmi dëshmitar që mund të dëshmonte ndaj Saimir Tahirit për implikimin në grupin e Habilajve.

Mazhoranca po largon dëshmitarët

Opozita akuzoi mazhorancën dje se po largon dëshmitarët e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës në grupin e Habilajve. Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, kanë dalë në një deklaratë për mediat, ku kanë folur për atë çka është diskutuar në mbledhje.
Spaho ka thënë se nuk është bërë asnjë hap lidhur me çështjen Tahiri. Spaho ka theksuar se nuk është marrë asnjë vendim për kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen Tahiri.
“Kërkuan kohë për të parë kërkesën tonë. Rregullorja u jep 2 javë kohë për të parë kërkesën. Po bëjnë çmos që çështja të shtyhet e të mos hetohet. Mazhoranca ngre pretendimin se, objektivi i komisionit është i gjerë. Nëse është e nevojshme, le të vijë dhe Rama. Nuk u mor asnjë vendim, çështja Tahiri po zvarritet. Mazhoranca po largon dëshmitarët”, ka thënë Spaho.

Ndërsa Paloka u shpreh se: “Ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që nuk pengohet hetimi parlamentar edhe kur ka një hetim nga Prokuroria. Mbledhja sot përsëritje e çdo here që opozita kërkon Komision Hetimor. Ata kërkojnë që të ndryshojmë objektin e hetimit. Rregullorja ua jep kohën deri në dy javë”.
Qëllimi i komisionit të kërkuar nga PD është që të kontrollohet ligjshmëria e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Opozita ka kërkuar të thirret për të dëshmuar në Komision jo vetëm ish-ministri i Brendshëm, por edhe Kryeministri Rama.

Exit mobile version