Azilantët e kthyer: Do të ikim prapë sepse këtu nuk rrihet

Hekuran Koçi është babai i katër fëmijëve, të cilit iu refuzua azili në Gjermani. U kthye me katër fëmijët dhe bashkëshorten më 27 korrik nga autoritetet gjermane. Në sytë e tij ka shumë dëshpërim për të ardhmen e fëmijëve. Jo vetëm me shqetësimin e regjistrimit të fëmijëve në shkollë, por me një sërë shqetësimesh të tjera po përballet familja e tij. Hekurani shprehet për “Ora News” se, po mundohet që të ikë bashkë me familjen prapë në Gjermani sepse këtu nuk rrihet.
Të dy familjet kanë qëndruar për dy vjet në Dusseldorf dhe kanë disa ditë që janë riatdhesuar. Të parët burrë e grua, prindër të tri fëmijëve, thonë se kanë ardhur të pajisur me të gjithë dokumentacionin e fëmijëve dhe janë në pritje të regjistrimit, por nuk janë të sigurtë a do u njihen vitet e shkollimit atje.
“Kërkoj regjistrimin e kalamanjve që ka dalë si procedurë nga MAS që kur vijnë fëmijët nga jashtë të regjistrohen pa probleme. Bëra gati një javë që vij këtu. Po pres. Dy djemtë i kam 8 dhe 9 vjeç dhe vajza 13. Ndenjëm 2 vjet në Gjermani që fëmijët të mbaronin semestrin e plotë. Na rikthyen me dëftesa dhe të gjitha të rregullta. I kemi dorëzuar, të shohim. Këta në Parlament na thonë: Kemi kushtet e Gjermanisë. Nuk i afrohen. Është budallallëk. Krahason hënën me diellin”, thotë bashkëshorti.
Ndërkohë bashkëshortja u shpreh: “Ne e morëm rrugën për më mirë, do të donim të jetonim atje, por ishte e pamundur sepse azili ekonomik nuk merrej parasysh, nuk kishte shanse. E mira ishte se fëmijët u shkolluan”.
Dëshpërimi në sytë e tyre dallohet qartë. Hekuran Koçi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët do të largohej nga Shqipëria në korrik të 2015 për t’u kthyer 2 vite më pas, por tani baba i katër fëmijëve. Fajëson qeverinë shqiptare për kthimin, pasi sipas tij, për faj të tyre shteti gjerman i deportoi. Të ardhmen nuk e sheh këtu, duke deklaruar se pret mundësinë më të parë për t’u larguar sërish. Koçi tregon se është i papunë dhe se po mbahen me ato pak kursime nga asistenca sociale që kanë marrë në shtetin gjerman.
Hekuran Koçi: Kam ikur më 20 korrik të 2015 dhe jam kthyer më 20 korrik 2017 me avion. Ika me tre fëmijë, u ktheva me katër. Të jepnin lekë po të lindje fëmijën atje, 600 euro. Mbaroi azili na kthyen. Flasin këta tanët, se të ishte për shtetin gjerman nuk ishim këtu. Thonë i kanë të gjitha kushtet këtu. Çfarë kushtesh? Unë pa punë, vetë i gjashti. Erdha në DAR për të regjistruar fëmijët në shkolla. Duhen përkthyer dëftesat, duhen noterizuar. Shkova i përktheva, 40 mijë lekë për përkthimin. I kam sjellë tani, të shohim a i pranojnë pa i noterizuar. Kam qëndruar në Dusseldorf. Kushtet atje si nata me ditën. Çova këtu vaksinat që i ka bërë fëmija 8 vjeç, më thanë i ka bërë deri në moshën 14 vjeç”.
“Goca deri në moshën 18 vjeç, çuni po ashtu, tjetri. Këtu nuk ka vaksina, vaksinat që i kanë bërë atje nuk i sheh as në ëndërr këtu. Bëri një operacion në kockë se nuk hapte dot dorën, pati dhe një ndërhyrje tjetër, por na kthyen mbrapsht. Operacionin e bëri falas. Nuk bëhej fjalë as për shkollën, as shëndetësinë, asnjë lekë. Jepte 1600 euro rrogën mujore që hanin fëmijët. Tani akoma s’e kemi marrë veten, pa punë. Lekët e kursyera atje po i harxhojmë këtu. Po bëmë ndonjë gjë me ik prapë se këtu nuk rrihet. Ku të mundemi, derisa vendi yt nuk përgjigjet për asgjë. Këtu duan vetëm votat. Gocën e kam 16 vjeç, çunin 15, tjetrin 8 vjeç, të voglin 1 vjeç e tre muaj. Kam ardhur tre herë këtu në DAR, jo noterizoje, jo përktheje. Shkova me marr ujin, nuk e jepnin. Baba ka kush e di sa vite që ka vdekur. Kam paguar 120 mijë lekë vetëm për të marrë kontratën e ujit. Nuk e jepnin. U dhashë lekët më sollën ujin. Kështu është në Shqipëri, korrupsion. Jam mërzitur”, përfundon ai.

Exit mobile version