“Baba Taku” kërkon trashëgiminë e Bashkisë së Durrësit me djalin e tij

Kur na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet vendore, forcat politike po projektojnë kandidaturat e mundshme për bashkinë e Durrësit. Ndërsa demokratët duket sikur janë konfuz në përcaktimin e kandidatit të tyre, partia Socialiste ka nisur selektimin e emrave që pritet tu besojë postin e kryebashkiakut të qytetit.
Zërat për moskandidimin e kryetarit aktual Vangjush Dako, në Bashkinë e Durrësit, mesa duket kanë vënë përpara kohe në lëvizje strukturat e partisë për të mbështetur emra të ndryshëm për pasuesin e tij. Nga burime të brendshme për gazetën “Bulevard”, emri më i lakuar për të marrë drejtimin e një prej bashkive më të rëndësishme në vend, është ai i nënkryetarit aktual të saj, Arbër Braho. Kjo kandidaturë bëhet akoma më e besueshme, jo vetëm nga përvoja e tij, për shkak të pozicionit që ka mbajtur, por edhe për reputacionin e tij, si një njeri me karrierë të gjatë në administratë dhe i papërfolur për afera korruptive.
Lakimi i emrit të Brahos vjen kryesisht nga baza e partisë, ku ai ka mbështetje të gjerë dhe shikohet si një kandidaturë që mund të ruajë ekuilibrat brenda strukturave të saj. Arbër Braho është i biri i deputetit socialist Spartak Braho, i cili është ndër themeluesit e Partisë Socialiste. Kjo është një arsye më tepër që socialistët të marrin në konsideratë nënkryetarin aktual të bashkisë, Arbër Braho.
Arbër Braho ka një eksperiencë të konsiderueshme në bashkinë e Durrësit, pasi prej pesë vitesh, mban postin e nënkryetarit, ndaj edhe shihet si kandidaturë potenciale. Përpos faktit që Spartak Braho ka një reputacion, vetë Arbër Braho njihet si njeri me shoqëri të gjerë dhe një person besnik i socialistëve. Ndërkohë, flitet edhe për personazhe të tjera në bazën e socialistëve në Durrës, por aktualisht lista kryesohet nga Arbër Braho. Kujtojmë, se ka qenë së fundmi Dako, i cili në një intervistë të tij, ka pranuar mundësinë e moskandidimit të tij edhe për një mandat tjetër, por mundësinë e angazhimit të tij në ekzekutiv.

Exit mobile version