Bajerni ruan kreun, mundi Darmstadin

Bajerni i Mynihut ruajti kreun e Bundesligës pas një fitoreje minimale në transfertë me Darmstadin. Bavarezët vuajtën jo pak për të marrë 3 pikët në transfertë, ku u nevojit një gol i Douglas Costës për t’i dhënë fitoren e 4-tërt radhazi në kampionat formacionit të Ançelottit.
Në fakt ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse Darmstadt do të kishte shënuar që në minutën e parë të sfidës. Gjithsesi ky rast i shpërdoruar që në fillim i dha mundësinë Bajernit që të menaxhonte me qetësi takimin deri në kërkimin e golit. Në të 55-tën Muller humbi një mundësi të mirë, përpara se braziliani me golin e tij t’i jepte epërsinë bavarezëve. 7 minuta më pas, Darmstadt sërish iu afrua golit, por Manuel Neuer arriti të ruajë fitoren me Bajernin që rimori sërish kreun e klasifikimit si pasojë e golavarazhit më të mirë sesa Leipzig, në pritje të sfidës direkte që dy ekipet do të kenë në mesjavë përballë njëra-tjetrës.
Bayer Leverkusen pësoi një humbje të papritur 1-2 në “Bay Arena” nga Ingolstad, që gjysmën e pikëve që ka grumbulluar gjithsej, i ka fituar vetëm në dy takimet e fundit. Morales goditi bukur me kokë në minutën e 26-të pas krosimit të Suttner me topin që përfundoi në rrjetë.

Exit mobile version