Mertens si Nordahl, 7 gola në 180 minuta

Napoli's Dries Mertens, left, celebrates after scoring, during a Serie A soccer match between Napoli and Torino at the Naples San Paolo stadium, Italy, Sunday, Dec. 18, 2016. (Cesare Abbate/ANSA via AP)

Në fillim të sezonit u duk sikur Napoli e gjeti te Arkadiuz Milik zëvendësuesin ideal të Gonzalo Higuain që u transferua te Juventusi, por në mungesë të polakut për shkak dëmtimi te Napoli kanë kuptuar se e kanë patur në shtëpi pasuesin e El Pipitas. Ai është belgu Dries Mertenes, i cili është aktivizuar nga trajneri Maurizio Sarri si qendërsulmues në ndeshjet e fundit, me 29-vjeçarin që edhe pse shtatshkurtër i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij në rolin e ri.
Edhe pse pozicioni i tij në fushë është ai i sulmuesit anësor, Mertens po e bën në mënyrë fantastike rolin e pykës në majën e sulmit të Napolit. Në Serinë A italiane është padiskutim momenti i tij. 7 gola të realizuar në vetëm 180 minuta për t’u treguar tifozëve të Napolit se mund të bëjë edhe më shumë se Higuain, madje edhe se Maradona edhe pse kurrë nuk mund ta arrijë dot nivelin e El Pibe D’Oros. Mes emrave të tillë si Belotti, Icardi, Dzeko e Higuain ka hyrë edhe Mertens që nëse vazhdon me këto ritme mund të rivalizojë dhëmbë për dhëmbë me ta për trofeun e golashënuesit më të mirë të kampionatit. Me 4 gola të shënuar në Champions dhe 10 në kampionat Mertens ka marrë për dore Napolin gjatë kësaj periudhe.
Nga 10 golat e realizuar në Serinë A, 7 prej tyre belgu i ka shënuar në kohë rekord. Sfidat ndaj Cagliarit dhe Torinos ka qenë me të vërtetë të çmendura për Mertens që ka shpërthyer duke realizuar një 3-golësh në takimin ndaj skuadrës sarde dhe 4 herë në sfidën e fundit ndaj Torinos. Për të gjetur një sulmues që realizonte 7 gola në 2 ndeshje të Serisë A duhet të kthehemi shumë vite pas në kohë. Mertens falë këtyre dy paraqitjeve tashmë është në librin e rekordeve përkrah emrave të tillë si Angelillo, Gunar Nordhal e Giusseppe Meazza. Me një Mertens në formë të tillë edhe një si Cristiano Ronaldo që golin e ka në gjak është i paralajmëruar, pasi me një super Dries, Napoli mund ta eliminojë Realin në Champions. Klasi dhe talenti nuk i mungojnë 29-vjeçarit dhe goli i 4-t personal i realizuar ndaj Torinos ishte si një kartolinë për festat e fundvitit për të gjithë ata që pëlqejnë futbollin e bukur.

Exit mobile version