Bakaj ikën nga RNK Split, zyrtarisht lojtar i lirë

Aventura kroate për Elis Bakajn ka përfunduar zyrtarisht, teksa lojtari prej 2-3 ditësh ka zyrtarizuar divorcin me RNK Split dhe është rikthyer në kryeqyet në pritje të një aventure të re që duhet të marrë udhë në merkaton e janarit. Sulmuesi shqiptar nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me skuadrën e Splitit, teksa pretendimi i tij është që ka të paktën 5 muaj pa u paguar. Bakaj në rrugë zyrtare ka njoftuar klubin dhe FIFA-n për këtë mos korrektësi dhe duke qenë se kanë kaluar 3 muaj zyrtarisht pa u paguar ka zbatuar procedurat, duke dalë përfundimisht lojtar i lirë dhe duke ia besuar marrëdhënien kontraktuale dhomës së zgjidhjes së konflikteve në FIFA.
Me shumë gjasa, lojtari do përfitojë rrogën e dy viteve, ndërkohë që për momentin pritet të dalë në stërvitje me skuadrën e Tiranës. Angazhimi i tij me bardheblutë nuk do të thotë detyrimisht që e ardhmja do t’i përkasë 24 herë kampionëve, pasi sulmuesi është duke studiuar dhe disa oferta nga klubet e huaja. Në dy edicionet e fundit, Bakaj luajti me Tiranën, duke shënuar në total 27 gola dhe duke qenë shënuesi më i mirë i Tiranës për periudhën ku ka luajtur. Një vit më parë Bakaj tentoi dhe një periudhë në Izrael e cila zgjati disa muaj, ndërsa në të shkuarën ka luajtur gjithashtu jashtë Shqipërisë në Rumani me Dinamo Bukuresht dhe në Ukrainë me Cernomorets.

Exit mobile version