Mërgim Mavraj tani e thotë qartë dhe pastër. Paniku i ekzagjeruar i krijuar për sigurinë në Shqipëri-Izrael ishte një faktor kyç që privoi kombëtaren nga një stadium i mbushur plot e përplot, duke ndikuar te tifozët. Duke mos dashur të lihet vend për interpretime apo keqkuptime, e citojmë të plotë postimin në profilin e tij në Facebook, ku qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi shprehet. “Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi janë bërë në dëm të së gjorës Shqipëri! Por a duhet thënë STOP? A duhet të abuzojnë të tjerët me mikpritjen tonë? Një vend nuk e bën të madh numri i banorëve, por karakteri, zemra, dëshira e krenaria e atij popullit!
Ne kemi tradita, e këtë e tregon qartë historia e kombit tonë! Ne nuk duhet t’i hedhim asnjëherë poshtë njerëzit tanë, tifozët tanë, gjakun tonë vetëm se “siguria” e tjetrit është në “rrezik”! A kishte rrezik më të madhe ndaj nesh në Serbi?! A kishte poshtërim më të madh se përçarja e frika që futën tek tifozët tanë dy ditë më parë kundërshtarët?! Nuk besoj se ka ndonjë që mendon se shkaktar i atij “boshlliku”, që u krijua në stadium ishte shiu, por paniku i hapur kot së koti.
Futbolli duhet të japë mesazh paqeje, e jo të krijojë panik, stres e përçarje. Unë nuk e ndjej veten aspak mirë, kur krijohen situata të tilla! Tifozët tanë e duan këtë vend, e duan këtë kombëtare e ndaj duhet ta shijojnë siç duhet, të paktën në shtëpinë e tyre! Tjerët, le ta “gjejnë” të keqen diku tjetër, jo tek shqiptarët!”
Është ky postimi i Mavrajt, ku mbrojtësi rreshtohet haptazi kundër masave të ekzagjeruara për ndeshjen në “Elbasan Arena”, ku mbi 2000 efektivë të forcave të policisë u angazhuan për sigurinë, duke krijuar një klimë të pazakonte për një ndeshje futbolli.