Balaj titullar kundër Romës, Terek Grozni humbet

Pas transferimit te Terek Grozni dhe bashkimit me ekipin menjëherë pas angazhimit në Kampionatin Europian, Bekim Balaj ka siguruar vendin në formacionin titullar të ekipit të Premier League-s ruse. Sulmuesi kuqezi u aktivizua nga minuta e parë edhe në miqësoren e zhvilluar gjatë fazës përgatitore në Pinzolo të Italisë, përballë gjigantëve të Serisë A, Roma.
Verdhekuqtë me Dzeko, Salah e Perotti-n në sulm, zhbllokuan sfidën në të 41-ën, pikërisht pas tentativës së Perotti-t në kufi të zonës. Katër golat e tjerë të sfidës u shënuan në fraksionin e dytë të lojës, me Terek Groznin që barazoi përkohësisht shifrat në 1-1 me Grozav, por menjëherë më pas Dzeko shfrytëzoi asistin e kapitenit Francesco Totti duke rikthyer epërsinë.
Në një ndeshje të luftuar dhe ku niveli i lojës së skuadrave nuk ishte i madh, skuadra çeçene gjeti sërish barazimin me Grozav, pas ekzekutimit të një goditje standarde. Goli i fitores 3-2 për të besuarit e Luciano Spalleti-t u realizua nga Marchizza, që vetëm sa shtyu në rrjetë topin, pas shtyllës së goditur nga Ponce. Bekim Balaj qëndroi për 65 minuta në fushën e lojës, duke luftuar dhe ndihmuar skuadrën në fazën ofensive, ndërsa më pas i la vendin senegalezit Mbengue.
Me paraqitjet në miqësoret e luajtura dhe bazuar në idetë e trajnerit Rakhimov gjatë fazës përgatitore, sulmuesi i kombëtares duket se e ka prenotuar vendin e titullarit për ndeshjet e kampionatit rus, që do të nisin pas dy javësh.

Exit mobile version