Arlind Ajeti e nisi si titullar te Torino, në miqësoren e parë sezonale ku “granatat” fituan 13-0 përballë amatorëve të Olympic Morbegno-s. Mbrojtësi shqiptar ishte protagonist në golin e parë të ndeshjes, duke fituar duelin ajror pas një goditje këndi. Por, ajo që spikati më tepër ishte eksperimenti taktik i trajnerit Mihajloviç, që e nisi përballjen me formacionin 4-3-3. Edhe pse Ajeti u transferua te Torino për të luajtur mbrojtës qendre, trajneri i ri e testoi në krahun e djathtë.
Një lëvizje e çuditshme, por që shërben për të kuptuar ku mund të marrë më tepër nga lojtarët. E ngjashme ishte edhe lëvizja taktike me Barreca-n, të cilin trajneri serb fillimisht e aktivizoi si mbrojtës të krahut të majtë dhe më pas si sulmues krahu. Ajeti qëndoi në fushë për 45 minutat e para, ku luajti me 93-shin në shpinë. Miqësorja ndaj Olympic Morbegno-s shërbeu për të kuptuar edhe numrat që do të kenë futbollistët gjatë sezonit të ri.
Mbrojtësi kuqezi preferoi të mbante të njëjtin numër si një edicion më parë te Frosinone, që simbolizon edhe vitin e tij të lindjes. Përsa i takon miqësores, ata që shkëlqyen në radhët e Torinos ishin Belotti dhe Maxi Lopez, autorë të tri golave secili. Skuadra do të vazhdojë fazën përgatitore në Valtellina, ku ndodhet prej fundjavës së kaluar, ndërsa pret të përforcohet me emra si Falque apo Ljiaiç.