Ballkani, sfida e Merkel

“Ku ra Muri i Berlinit, u rrëzua mbi Jugosllavinë”. Kjo ishte deklarata e Haris Silajdziç, anëtari boshnjak i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, duke dashur të demonstrojë se si eventet e Europës gjenerojnë gjithmonë dhunë në Ballkan. Ndoshta më pak e dhunshme, por përsëri e rrezikshme është edhe situata e gjeneruar pas Brexit, e cila kërcënon ta tensionojë gjithashtu rajonin. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar në fund të fundit, do ta bëjë akoma më të largët ëndrrën e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Europian, për shkak se ka nxjerrë në pah mosfunksionimin brenda Brukselit dhe faktin që BE-ja ka nevojë për reforma.
Nacionalistët në Francë, Holandë dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian po bëjnë thirrje për mbajtjen e referendumeve të ngjashme në vendet e tyre, gjë që dëmton edhe vullnetin brenda Ballkanit për t’u angazhuar në ndryshime demokratike, veçanërisht në rast se çmimi final nuk është më anëtarësimi në Bashkimin Europian. Pa një rrugë të qartë drejt Brukselit, hovi i qeverive të Ballkanit për progres politik rrezikon të ngadalësohet. Në fund, Brexit mund të fuqizojë autokratët, të cilët që tani kanë filluar t’i bëjnë thirrje instinkteve më të këqija të shoqërive të përçara, të dobëta dhe të varfra të rajonit.
Teksa Brukseli merret me pasojat e referendumit të Brexit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, liderja de fakto e Europës, duhet të ngrihet tashmë për t’u përballur me sfidën historike të drejtimit të kontinentit në periudhën ndoshta më të vështirë që pas luftës. Në këtë rast, nuk mund të ketë sinjal më të mirë të angazhimit të Europës në projektin europian sa zgjerimi i BE-së në Ballkan.
Planet e zgjerimit janë frenuar prej kohësh për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në Ballkan. Elitat politike në rajon adoptojnë retorikën nacionaliste dhe rihapin plagët e së shkuarës për të shpërqendruar vëmendjen nga akuzat e shpërdorimit të detyrës. Ata nuk nxitohen aspak për ta çuar vendin e tyre drejt anëtarësimit europian, pasi kjo do të thotë të respektojnë rregullin e ligjit, të sigurojnë pavarësinë dhe eficencën e gjyqësorit dhe të respektojnë kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Një plan i qartë për të ndihmuar Ballkanin jo vetëm që do të fuqizonte Bashkimin Europian, por do ta lejonte Merkelin dhe kolegët e saj në Bruksel të qetësojnë rritjen e ankthit, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në pjesën tjetër të kontinentit lidhur me emigracionin. Qindra mijëra emigrantë kanë hyrë në Europën kontinentale përmes rrugëve të Ballkanit dhe Greqisë. Duke qenë se marrëveshja tepër e debatuar me Turqinë nuk po shkon gjëkundi, i vetmi shans për të implementuar një strategji koherente të Europës për emigracionin është të afrohen vendet Juglindore në gjirin e BE-së.
Nëse Ballkani do të inkorporohej në Bashkimin Europian, Brukseli mund të ndihmonte në ndërtimin e strehimeve të përkohshme të refugjatëve sirianë që hyjnë në Ballkan dhe të lehtësonte procesin e regjistrimit të tyre. Për më tepër, në rast se Ballkani nuk stabilizohet, çështja e imigrantëve vetëm do të përkeqësohet. Qytetarët e rajonit, të cilët nuk shohin asnjë të ardhme në vendet e tyre do të emigrojnë drejt Veriut. Kjo ka filluar të ndodhë që tani pasi dhjetëra mijëra qytetarë kosovarë janë larguar drejt Hungarisë dhe Gjermanisë për të shpëtuar nga qeveria e tyre e korruptuar dhe ekonomia në rënie.
Edhe pse skeptikët e zgjerimit të Bashkimit Europian flasin prej kohësh për “sfilitjen” që po i sjell rajonit ky zgjerim, duke e nxjerrë si arsyen kryesore përse disa vende anëtare po marrin në konsideratë largimin nga Bashkimi, e vërteta është në fakt se Europa, nga Balltiku në Ballkan, nga Iberia në Skandinavi, po vuan nga një shqetësim akoma më i madh dhe i rrezikshëm: kriza. Krizat e Europës janë të shumta, që nga kriza e emigracionit, lufta civile ukrainase e deri tek kriza e euros. Europa nuk është mjaftueshëm e fortë për t’u përballur me një tjetër event kataklizmik. Në ditët e sotme, Ballkani rrezikon ta shtojë dramën.
Në Maqedoni, të njëjtat forca që e shtynë vendin në prag të luftës dhe shpërbërjes 15 vite më parë kanë dalë përsëri në sipërfaqe. Falë vetos së Greqisë mbi anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe aspiratat për NATO, zhvillimi politik i vendit ka ngrirë prej kohësh. Kryeministri Nikola Gruevski u ndihmua nga forcat shoviniste për të nisur fushatën që ai e quante “transformim të imazhit të vendit”.
Fushata i bën thirrje identitetit maqedonas të antikitetit dhe ky projekt nacionalist jo vetëm që e ka distancuar minoritetin shqiptar, por ka krijuar edhe armiqësi të thella ndërmjet vetë maqedonasve. Kundërshtarët janë etiketuar si mercenarë të huaj dhe tradhtarë të kombit nga regjimi i Gruevskit. Ka përçarje edhe për konfliktin e hershëm me Greqinë për emrin e vendit, Republika e Maqedonisë. Athina e akuzon Maqedoninë se këtë emër e ka vjedhur nga një provincë greke. Disa maqedonas janë të hapur për çështjen e ndryshimit të emrit, të tjerë e kundërshtojnë egërsisht.
Në këtë situatë të trazuar, qeveria aktuale ka filluar të bëjë presion mbi mediat, ka përndjekur kundërshtarët politikë dhe ka kapur institucionet shtetërore duke emëruar anëtarë të partisë në rolet kryesore të gjykatave dhe Prokurorisë. Kohët e fundit, një sërë përgjimesh të bëra publike ku ekspozoheshin afera korruptive të rangjeve më të larta të qeverisë e detyruan Gruevskin të jepte dorëheqjen në kushtet e një marrëveshjeje të negociuar nga Bashkimi Europian me opozitën.
Megjithatë, Kryeministri dhe kolegët e partisë së tij, përfshirë edhe Presidentin, i kanë refuzuar kushtet e marrëveshjes për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta, si dhe të pranojnë legjitimitetin e Zyrës Speciale të Prokurorisë, një institucin gjyqësor i krijuar nga marrëveshja për të ndjekur penalisht krimet e ekspozuara nga përgjimet. Kriza e emigracionit ka funksionuar më së miri në favor të Gruevskit, duke lejuar median e kontrolluar nga qeveria që të fajësojë Bashkimin Europian për neglizhencë të situatës së Maqedonisë për shkak të krizës që ka tronditur kontinentin.
Në të njëjtën kohë, Gruevski ka përhapur frikën e rrezikut të “islamizimit” të vendit, i cili ka një popullsi të madhe myslimanësh. Mundësia e shndërrimit të konfrontimeve brenda vendit në një konflikt akoma më të gjerë etnik është real. Krijimi i një plani të qartë të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe heqja e pengesave sipërfaqësore (siç është kundërshtimi i Greqisë dhe Bullgarisë për emrin e Maqedonisë), mund të injektojë në vend inçentivin aq të nevojshëm për të ndjekur reformat dhe të zbusë konfliktet e brendshme lidhur me të ardhmen e vendit.
Kosova është një tjetër vend që ka dëshpërimisht nevojë për premtimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian në mënyrë që liderët të shtyhen të kryejnë reforma të dhembshme, por tepër të nevojshme. Njëlloj si në Maqedoni, Kosova vuan nga përçarjet e brendshme etnike. Serbët kontrollojnë Veriun e vendit dhe shqiptarët pjesën Jugore, edhe pse përgjatë gjithë vendit ekzistojnë minoritete të tjera serbe që jetojnë të humbur në enklavat e tyre.
Bashkimi Europian negocioi një marrëveshje për t’u dhënë serbëve më shumë autonomi, por marrëveshja u kundërshtua ashpër nga nacionalistët shqiptarë të opozitës. Figurat opozitare lëshuan shumë e shumë herë gaz lotsjellës në Parlament në fillim të vitit, edhe gjatë sesioneve për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Këto përplasje të ashpra politike po ndodhin në të njëjtën kohë me rritjen e skajshme të papunësisë dhe korrupsionit. Jo çuditërisht, shumë shqiptarë të zhgënjyer kanë vendosur të largohen nga vendi në drejtim të Bashkimit Europian. Pa një rrugë të hapur drejt Bashkimit Europian, pakënaqësia do të rritet duke hapur vatra të reja konfliktesh.
Në fund, Bosnje-Hercegovina ka përjetuar disa nga konfliktet më brutale të rajonit. Londra dhe Berlini kanë punuar shumë që të riparojnë situatën e vendit, duke nisur reforma të reja socio-ekonomike dhe duke e drejtuar Bosnjen në një periudhë konstruktive gjatë një dekade. Për shembull, qeveria e Federatës së Bosnje-Hercegovinës ka filluar të reformojë sektorin e financave publike për të reduktuar deficitin dhe rritur të ardhurat publike. Edhe pse ndodhet në një periudhë tranzicioni, qeveria deri tani ka arritur të stabilizojë buxhetin, të rrisë kursimet afatgjata dhe afatshkurtra me 534 milionë dollarë dhe ka reduktuar borxhin me 1,4 për qind.
Elitat e polarizuara të vendit kanë arritur gjithashtu të miratojnë ligje të reja dhe shërbime civile, por u duhet të bëjnë ndryshime në zona të reja si korrupsioni dhe patronazhi politik, i cili vazhdon të peshojë në ekonominë e vendit, duke shkaktuar protesta të ashpra dy vite më parë. Përveç kësaj, Bosnja përballet me përçarje të mëdha ndërmjet komuniteteve serbe, boshnjake myslimane dhe kroate, madje një pjesë e popullsisë është joshur drejt Sirisë nga Shteti Islamik. Brexit i ka ekzagjeruar edhe më shumë këto probleme, duke qenë se, nëse Britania largohet, ajo nuk do të jetë më prezente në mbledhje për të mbrojtur interesat e vendit siç ka bërë deri tani. Britania mund të vendosë gjithashtu të ndërpresë mbështetjen financiare që kanalizon përmes ambasadës në Sarajevë dhe në varësi të qëndrimit që do të fillojë të mbajë Londra pasi të zgjedhë qeverinë e re, mund të vendosë të mos promovojë më integrimin e Ballkanit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, Milorad Dodik, Presidenti i Republikës Serbe, e ka kundërshtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit të Bashkimit Europian nga ana e Bosnjes. Kjo marrëveshje është korniza e punës që duhet të ndjekë vendi për procesin e integrimit në BE. Ai pretendon se kjo do ta dëmtonte sektorin bujqësor të Republikës Serbe, që mendohet të humbë deri në 56 milionë dollarë. Por në realitet, refuzimi i Dodik për të bashkëpunuar në procesin e integrimit të BE lidhet me faktin se nëse Brukseli nis të riparojë vendin, ai mund të detyrohet të përballet me realitete që preferon t’i injorojë. Për shembull, një census i publikuar në vitin 2013 sinjalizon një rritje të mundshme të popullsisë boshnjake, edhe pse Dodik pretendon se censusi e ka reduktuar qëllimisht numrin e popullsisë serbe. Mbi të gjitha, Dodik vazhdon të flirtojë me Moskën, si edhe më idenë e pavarësisë serbe, gjë që vetëm mund t’i përkeqësojë konfliktet e hapura.
Ballkani ka qenë vendi ku janë shpalosur dështimet më të mëdha të Bashkimit Europian. Brukseli ka nisur disa përpjekje, veçanërisht përmes anëtarësimit në Bashkimin Europian, për t’i shtyrë liderët e rajonit të pranojnë kompromise të rëndësishme. Brexit tashmë kërcënon t’i shkrumbojë këto përpjekje të vështira. Gjatë kësaj periudhe të vështirë pasigurie, liderët europianë, ndoshta edhe ata të Washington-it, duhet të ideojnë një plan të ri për Europën. Zgjerimi i Bashkimit Europian, duke i shtrirë dorën vendeve të Ballkanit, do të ishte ndoshta pikënisja më e mirë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version