Rënia tragjike e medias britanike

Steven Barnett

Ndërmjet gazetarëve e reporterëve më të famshëm në Mbretërinë e Bashkuar ekziston prej kohësh një bindje se Britania ka gazetarinë më të mirë të botës. Në fakt, është e vërtetë që gazetaria britanike, në rastet më të mira, është tepër cilësore. Që nga analizat e kthjellëta të “Financial Times” dhe “Economist” e deri tek demagogjia e shtypit tabloid dhe reputacionit mbarëbotëror të “BBC”-së për saktësi dhe paanshmëri, publiku britanik ka një akses të jashtëzakonshëm në një përzjerje të madhe raportimi të brendshëm, të jashtëm dhe investigativ. Në shumicën e rasteve, demokracia është shërbyer mjaft mirë nga gazetarët që hetojnë ngjarjet më të nxehta dhe vënë pushtetin përpara përgjegjësisë.
Në rastet më të këqija, gazetaria britanike mund të jetë vërtet e keqe. Pesë vite më parë, pjesa më e madhe e botës u trondit nga zbulimi i përgjimeve telefonike të tabloidit në pronësi të Rupert Murdoch, “News of the World”. Hetimi i mëpasshëm për kulturën, praktikat dhe etikën e shtypit nxori në dritë praktika të papranueshme, të cilat përdoreshin nga disa tabloidë britanikë: shkelja e privatësisë personale dhe ndërhyrja e neveritshme në vuajtjet private të qytetarëve. Në atë kohë, u duk sikur industria mediatike kishte prekur fundin. Por nëse hetimi gjyqësor shfaqi anën më të errët të biznesit mediatik në Mbretërinë e Bashkuar, fushata e Brexit ka shpalosur një lloj të ri akuzimi gazetaresk: mospërfillja e normave bazike të të vërtetës dhe saktësisë së raportimit.
Në ditët që paraprinë 23 qershorin e referendumit, mediat britanike pësuan një dështim spektakolar. Të drejtuara natyrisht nga gazetat antiBE si “Daily Mail”, “Sun”, “Daily Express” dhe “Telegraph”, pjesa më e madhe e shtypit britanik u kënaq me një katalog faktesh të shtrembëruara, të vërtetash të paplota dhe në disa raste gënjeshtrash të pastra. Ishte një fushatë e egër propagandistike në të cilën faktet dhe analiza e kthjellët u sakrifikua për objektivat ideologjike të redaktorëve dhe pronarëve të mediave.
Interesi i lexuesve ose më saktë interesi i demokracisë britanike, nuk u mor aspak në konsideratë. Tre ditë pas votimit, fola me një anëtare të Partisë Laburiste në Parlamentit që përfaqëson veriun e Anglisë, numrin më të ulët të emigrantëve në vend. Pavarësisht kësaj, shumica e qytetarëve që ajo përfaqëson kishin votuar për të dalë nga Bashkimi Europian. Përse? Kryesisht, tha ajo, sepse ishin të bindur se komunitetet e tyre do të zaptoheshin së shpejti nga emigrantët, të cilët do t’i merrnin vendin e punës dhe do të shkatërronin mënyrën e tyre të jetesës. Ata ishin veçanërisht të shqetësuar për fluksin e madh të myslimanëve në rast se Turqia anëtarësohej në Bashkimin Europian, edhe pse ky vend ka pak gjasa të anëtarësohet gjatë viteve të ardhshme.
Si shkuan gjërat deri këtu? Pjesërisht duhet fajësuar interneti, i cili duhet pranuar se ka shkatërruar modelet tradicionale të biznesit mediatik në të gjithë botën. Gazetaria britanike ka qenë veçanërisht e dobët përballë këtij transformimi për arsye të forta historike dhe gjeografike, pjesërisht për shkak të industrializimit të hershëm dhe shpërndarjen eficente të rrjeteve te vendet e vogla. Britania ka gëzuar gjithmonë shtrirjen më të madhe të shtypit kombëtar krahasuar me çdo demokraci tjetër të maturuar.
Nëntë gazeta kombëtare (deri në muajin mars ishin 10, por “The Indipendent” vendosi të mbyllte versionin e printuar) vazhdojnë të luftojnë ashpër kundër njëri-tjetrit për lexues. Kjo konkurrencë frenetike për të mbizotëruar në pellgun tejet të zvogëluar të lexuesve dhe për të ardhurat gjithnjë e më të ulëta të reklamave, veçanërisht në tregun e tabloidëve, pjesërisht shpjegon arsyen përse disa publikime janë treguar të gatshëm të sakrifikojnë normat bazike të gazetarisë për saktësinë e raportimin dhe respektimin e privatësisë.
Megjithatë, ekziston edhe një shtysë po aq e fuqishme në Mbretërinë e Bashkuar: ideologjia pasionante e krahut të djathtë që nxit këto gazeta. Vendi ka një histori të gjatë përkatësie partiake në gazetari. Ndërkohë që ka pasur historikisht një mbizotërim të gazetave të djathta, në të shkuarën situata balancohej nga qarkullimi i gazetave “Mirror”, por që kohët e fundit ka pësuar rënie.
Mbizotërimi në internet i “Daily Mail”, nga ana tjetër nxitet nga lajmet dhe fotografitë e yjeve të artit dhe kinematografisë, kryesisht femra të bukura në shkallë të ndryshme lakuriqësie, gjë që ka rritur edhe influencën e saj popullore dhe politike. Drejtuar nga “Sun” i Rupert Murdoch, “Daily Mail”, “Daily Express”, “Telegraph” dhe “Times” kanë krijuar një bllok të fuqishëm që zbeh ndjeshëm prezencën e “Daily Mirror” dhe “Guardian” të krahut të majtë, veçanërisht tani që e majta “Indipendent” ka vendosur të mbajë vetëm versionin online të gazetës. Gjatë fushatës së referendumit, kombinimi helmues i devocionit të pakundërshtueshëm të kauzës politike dhe mospërfilljes për të vërtetën, luajtën një rol të rëndësishëm për shtyrjen e Britanisë drejt rrugës së Brexit.
Në një postim më 18 qershor, gazetarja Liz Gerard kishte krijuar një montazh të titujve të faqeve kryesore për të demonstruar përsëritjen e vazhdueshme që u bëhet fjalëve si “emigrantë” dhe “kufij”, shpesh të shkruara me germa të mëdha dhe të theksuara, duke përçuar ndonjëherë mesazhe ksenofobie. “Turqit, rumunët, irakenët, sirianët, afganët, shqiptarët: miliona prej tyre duan të largohen nga vendet e origjinës për të jetuar në Angli. Vetëm dalja nga Bashkimi Europian mund t’i ndalojë ata”, shkroi Gerard. “Asnjë pretendim nuk ishte absurd, asnjë numër tepër i madh për t’u printuar”. Edhe fushata e tabloidëve kundër Bashkimit Europian, e justifikuar me burokratët e pashpirt europianë, rregullat absurde të BE-së dhe sasia e madhe e parave që Britania duhet t’i jepte institucionit, çoi drejt krijimit të bindjes se “po të dilnin nga BE-ja, mund të rimerrnin në dorë kontrollin e vendit”.
Ndoshta shembulli më i ekzagjeruar është titulli kryesor i “Daily Mail” më 16 qershor (i përsëritur padyshim edhe nga “Sun”), i cili pretendonte se një kamion i madh me emigrantë kishte mbërritur në Britani me pretendimin: “Ne vijmë nga Europa, na lini të hyjmë!” E njëjta histori u shoqërua me disa filmime që demonstronin qartë se të ardhurit kishin informuar më pas zyrtarët se ishin refugjatë nga Iraku dhe Kuvajti. Me një përpjekje të kotë për të demonstruar se aspironin njëfarë nocioni të integritetit gazetaresk, gazeta botoi një ditë më pas një “korrigjim” të përbërë prej 54 fjalësh në fund të faqes së dytë.
Ky ishte një model, i cili u përsërit shumë herë gjatë fushatës së referendumit. Gazetari Hugo Dixon, i cili ka themeluar faqen që promovonte qëndrimin në BE përmes analizimit të fakteve, të quajtur “InFacts”, ka tërhequr vëmendjen duke shfaqur të gjitha historitë e pasakta dhe “korrigjimet” tepër të papërshtatshme të bëra më pas brenda faqeve të gazetave të ndryshme. Problemi hasej kryesisht në shtypin që bënte fushatë kundër Bashkimit Europian. Sipas studimit të Universitetit Loughborough mbi qarkullimin e gazetave, vetëm 18 për qind e mbulimit mediatik ishte pro qëndrimin në BE dhe 82 për qind promovonin aktivisht daljen.
Është e vështirë të përcaktohet qartë nëse ky trumbetim konstant me tituj gazetash i ka influencuar drejtpërdrejt vendimet e votuesve. Megjithatë, është e qartë që ka influencuar bisedat kombëtare dhe ka luajtur veçanërisht rolin e përcaktimit të axhendës së transmetuesve televizivë, të cilët në Britani, ashtu si në pjesën më të madhe të Europës, janë të lidhur rreptësisht me rregullat e paanshmërisë, pra janë më të besueshëm për konsumatorët. Strategët e fushatës për qëndrim në BE ishin të bindur se mesazhi i rrezikut ekonomik do të mjaftonte, por nuk kishin marrë në konsideratë egërsinë e shtypit, sloganët e të cilëve shërbyen jehonë që transmetuesit televizivë nuk mund të mos pasqyronin.
Kjo jehonë qe veçanërisht e dukshme në “BBC”, e cila për shkak të një rastësie të pafat, është e zhytur në negociata me qeverinë rreth rinovimit të statutit 10-vjeçar, një detyrë gjithmonë e komplikuar dhe delikate. Rezultati ishte që gazetarët, zakonisht tepër të zotë dhe të bindur në vetvete, u bënë të fiksuar me “balancën”. Çdo argument që fitonte kohë transmetimi shoqërohej nga një kundërargument, edhe pse në disa raste mund të ishte rastësisht absurd.
Kjo marrëzi u bë veçanërisht e dukshme gjatë transmetimit në Radio 4 gjatë programit “Today”, ku ishte ftuar një shkencëtare e njohur dhe e respektuar për të folur për rreziqet e mëdha shkencore të Brexit. Ajo më pas u balancuar nga një specialist kanceri i padëgjuar më parë, i cili kishte kandiduar një herë për anëtarësi në Partinë e Pavarur antiBE. Në përgjithësi, i gjithë mbulimi që iu bë fushatës së referendumit nga ana e “BBC”-së u fokusua më tepër për të ndjekur rrugën e të tjerëve, në vend që të drejtonte. Regjisori i famshëm Lord David Puttnam, ish-drejtues i “Channel 4”, e përshkroi gazetarinë e “BBC”-së gjatë fushatës si “të zënë kaps”.
Gjatë mbledhjes së mediave pas referendumit, Jane Martinson e “The Guardian”, tha se më pak se një orë pas miratimit të Brexit, kryeredaktori i “Sun” ironizoi: “Edhe thonë pastaj se medias së shkruar i është zbehur pushteti”. Pati edhe një ngjarje të befasishme disa ditë më pas, në një nga ditët më dramatike të politikës britanike, promovuesi i fushatës së Brexit, Boris Johnson, i cili pretendohej se do të ishte lideri i ardhshëm i konservatorëve, braktisi garën e tij të lidershipit. Një e-mail i bërë publik sugjeronte se, përveç pengesave të tjera që do të haste në garë, thuhej se Johnson nuk kishte fituar dot mbështetjen e Murdoch ose kryeredaktorit të “Daily Mail”, Paul Dacre. Edhe në epokën e dixhitalizimit dhe mediave sociale që shumica e komentatorëve mendojnë se do të demokratizojë komunikimin, pronarët e kryeredaktorët e vjetër të mediave vazhdojnë të shërbejnë si aktorë politikë në Britani.
Të njëjtët komentatorë që predikojnë revolucionin e mediave sociale parapëlqejnë gjithashtu mediat si “BuzzFeed”, “Vice News” dhe faqe të tjera në internet si shembuj të pluralizmit mediatik dhe të ofrimit të shanseve më të mëdha për gazetarët. Këto versione të reja të mbulimit mediatik kanë qenë mëse të mirëpritura nga publiku, megjithatë nuk kanë arritur të konkurrojnë kundër trashëgimisë, markave më tradicionale të lajmeve, të cilat po e zgjerojnë dita-ditës prezencën e tyre në internet.
Sipas disa burimeve, versioni i drejtuar nga argëtimi i “Daily Mail” në internet, i cili tërheq mbi 200 milionë vizitorë globalë çdo muaj, është faqja në anglisht më e famshme e botës. Ndoshta situata do të ndryshojë gradualisht. Ndërkohë, gazetaria vazhdon të aspirojë standardet më të larta të saktësisë dhe paanshmërisë së lajmit dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse shkëputet nga gazetat që ndjekin më shumë një axhendë politike se sa mediatike. Të gjithë këto ndryshime do të jenë natyrisht graduale dhe nuk pritet të jenë të mjaftueshme për të krijuar një revolucion të gazetarisë. Megjithatë, kjo nuk e zbeh aspak faktin se mediat britanike i zhgënjyen ndjekësit e tyre atëherë kur u nevojitej më shumë, duke shkaktuar pasoja politike që do të ndihen për dekada e dekada me radhë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version