Rikthehet Mario Baloteli. Pas një periudhe jo shumë pozitive te Liverpooli dhe Milani, duket se sulmuesi ka rigjetur formën e tij më të mirë fizike si dhe rrugën e rrjetës, duke u shndërruar në protagonist absolut tek skuadra e tij Nice në kampionatin francez. SuperMario është rikthyer dhe deri më tani, ai ka arritur të realizojë 6 gola, 1 në çdo 85 minuta lojë. Shifra të kënaqshme për një futbollist, i cili deri para pak kohësh ishte një lojtar stoli.
Gjatë një interviste, italiani i ka treguar gazetarëve se cili është shkaku i rikthimit të tij në nivele të kënaqshme. “Sezonin e kaluar nuk luajta shumë, kështuqë nuk arrita të shënoja gola. Më pas, pësova dhe një dëmtim të rëndë që më la jashtë fushave për një kohë të gjatë, por tashmë kjo është pjesë e së shkuarës. Kur ndihem mirë, arrij të jap maksimumin për skuadrën. Në Francë ndihem mirë. Gjithashtu, skuadra ku unë luaj është duke kaluar një moment pozitiv. Kemi ende shumë ndeshje për të luajtur, sidoqoftë unë dhe shokët e mi të ekipit do të përpiqemi të japim më të mirën në çdo takim”, shprehet Baloteli.
Më pas, Baloteli foli dhe për garën e fituesit te “Topit të Artë”. SuperMario nuk ka dyshime, Lionel Mesi dhe Cristiano Ronaldo janë më të mirët, por nuk harroi të shtonte se dhe për të fitimi i këtij trofeu nuk është një mollë e ndaluar.
“Sigurisht që Mesi dhe Ronaldo janë më të mirët. Askush nuk i ka cilësitë që kanë ata. Nëse unë zhvilloj një sezon të mirë, pa dëmtime dhe do të jem i përqendruar maksimalisht, atëherë një ditë ai trofe do të jetë edhe i imi”, tha Baloteli.
26-vjeçari nuk e harron dashurinë e tij të vjetër, Milanin. Ai shprehet se nëse një ditë do të kthehet në Itali, pa dyshim që ai do të donte të ishte sërish pjesë e kuqezinjve.