Kontestohet Interi

Pakënaqësia te tifozët e Interit ka filluar të rritet. Pas vërshëllimave në stadiume, tani ka ardhur radha e protestave të dukshme edhe në arenën ndërkombëtare. Si rrjedhojë, tribuna e veriut ku qëndrojnë zakonisht ultrasit e skuadrës zikaltër në “San Siro”, ishte e boshatisur në momentin që skuadra hyri në fushë për nxemjen para ndeshjes së Ligës së Europës ndaj Spartës së Pragës, në një turne ku italianët kanë regjistruar eliminimin që në takimin e mëparshëm.
Në vend të mbështetësve, aty gjendej një parullë që i drejtohej ekipit. “4 humbje në 5 ndeshje, kjo është ajo që meritoni për përkushtimin e pahijshëm. T’ju vijë turp”, shkruhej në këtë parullë.
Trajneri i Interit, Stefano Pioli, para ndeshjes, deklaroi se mirëkuptonte vendimin e tifozëve. “Është e drejtë, duhet të japim më shumë. Na jepet mundësia që të tregojmë se jemi një skuadër konkurruese dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë edhe në fushë, të tregojmë edhe aty atë që provojmë gjatë javës në stërvitje. Merkato? Nga tani, deri më 31 dhjetor kemi edhe katër ndeshje, pastaj do të ketë kohë për të bërë vlerësimet e duhura. Më pas, do të jetë edhe koha për të rregulluar ekipin”, tha ai.
Zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare, Paolo Tramexani, ka komentuar në emisionin “Zona 11 PM” në televizionin “Rai Sport 1” ndeshjen e djeshme të Interit në Ligën e Europës, ku zikaltërit fituan me rezultatin 2-1 ndaj Spartës së Pragës.
“Interi eksperimentoi me mbrojtjen me 3, edhe sepse kishte mungesa, por rikthimi i Medelit në mesfushë në krah të Melos do të jetë shumë i rëndësishëm. Medeli më pëlqen shumë si mesfushor qendre dhe këtë pozicion ai e ka bërë dhe në kombëtaren e tij. Në një mesfushë me 4 rritet edhe rëndësia e Melos. Duke i bashkuar dhe Banegën me Zhoao Marion, ky ekip mund të shprehet shumë mirë në fushë”, tha Tramexani.
Ndërkohë, agjenti i Elseid Hysajt, Mario Xhiufredi, ka folur sërish rreth të ardhmes së mbrojtësit shqiptar të Napolit. “Hysaj është shumë i kënaqur, por të njëjtën gjë mund të them edhe pasi fola me protagonistë të tjerë të skuadrës”, u shpreh menaxheri italian gjatë një interviste për “Radio Kiss Kiss”. Xhiufredi foli edhe për Andrea Kontin, mbrojtësin e Atalantës, të cilin gjithashtu e ka në menaxhim. 22-vjeçari mund të ketë lidhje të tërthortë me të ardhmen e Hysajt.
“Konti është një tjetër lojtar me të ardhme të ndritur. Vetë Hysaj më ka folur për cilësitë e shkëlqyera të tij dhe unë i thashë që ai duhet të shkojë në një tjetër ekip për t’i bërë vend Kontit te Napoli. Sigurisht, që nuk do të ishte shumë e mençur për një agjent të vërë në konkurrencë dy lojtarë të tij në të njëjtën skuadër”, shpjegoi Mario Xhiufredi.

Exit mobile version