Banka e Shqipërisë: Rënie e pëndërprerë e rritjes ekonomike, Spaho: Ekonomia po mbaron

Banka e Shqipërisë sapo ka njoftuar se rritja ekonomike e vendit vazhdon të bjerë pa ndërprerje që nga tetori i vitit 2018. Arsyeja kryesore është rënia drastike e investimeve të huaja.

Deri tani kontribuesit kryesore në rritjen ekonomike ishin investimet e mëdha që siguroi PD. Me përfundimin e punimeve në gazsjellësin TAP dhe Hidrocentralin e Devollit, ka rënë edhe rritja ekonomike e vendit.

Ekonomia shqiptare po mbaron.
Qeveria “Rama” në këto 6 vjet ka sjellë zero investime të reja te huaja dhe nuk ka hapur vende të reja pune.
Paraja kriminale po përzë paranë e ndershme dhe, me përjashtim të kantiereve të pastrimit të parave me ndërtime luksoze në qendër të Tiranës, kantieret e vërteta të punësimit nuk ekzistojnë.

Kriminalizimi dhe klientelizimi i ekonomisë po shkatërron të ardhmen e vendit: sot vetëm kriminelët dhe klientët mund të punojnë duke pastruar para dhe vjedhur pasuritë e vendit.

Fotografia me e qartë e gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit janë radhët pa fund të të rinjve shqiptarë në Ambasadën Gjermane për viza të përkohshme punësimi. Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria e Edi Ramës.

I vetmi investim që ka bërë ndaj tyre Edi Rama është blerja e gazit helmues për të shuar protestat kundër rrënimit që u ka bërë Rama. E vetmja rrugë për rikthimin e shpresën në këtë vend, për të kthyer investimet, punësimin dhe mundësitë ekonomike është bashkimi me opozitën për t’i dhënë fund qeverisë së mjerimit të vendit.

Shkrimi i “Monitor”

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit, e ndikuar nga faktorë të tillë si rënia e prodhimit të energjisë, tkurrja e investimeve të huaja nga mbarimi i projekteve të mëdha. Në kahun tjetër edhe ambienti i jashtëm po përkeqësohet, duke bërë që banka Qendrore Europiane të shtyjë vendimin për politikën monetare.

Banka e Shqipërisë prezantoi sot raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas ekspertëve të bankës, rritja ekonomike në tremujorin e parë 2019 do të ketë ecuri të ngjashme me tremujorin e katërt 2018, çka do të thotë se ritmet e rritjes do të jene disi më të ngadalta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në tremujorin e fundit 2018, rritja ekonomike ishte 3.1%. Në raport me tremujorët e mëparshëm, rritja është shumë më e ulët. Në tremujorin e parë 2018 ekonomia u rrit me 4.42%, në të dytin me 4.32% dhe në të tretin me 4.48%, e nxitur nga prodhimi i energjisë nga reshjet e bollshme.

Banka vlerëson që mungesa e prodhimit të energjisë dha një efekt të dyfishtë si në rritjen ekonomike dhe në zgjerimin e deficitit tregtar në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas raportit, zhvillimet ekonomike e financiare në vend mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik vijon të rritet, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës e kapitalit janë reduktuar dhe tregjet financiare janë të qeta. Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, por efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit ka frenuar rritjen e inflacionit drejt objektivit.

Ritmi i rritjes ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2018 dhe norma e inflacionit në tremujorin e parë të vitit 2019 u ngadalësuan. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona, por treguesit rezultuan në nivele më të ulëta sesa parashikimet.

Inflacioni vjetor shënoi vlerën mesatare 1.6% për tremujorin e parë të vitit 2019, duke u reduktuar nga tremujori paraardhës. Rënia e tij pasqyroi kryesisht shuarjen e efektit të rritjes së çmimeve të qerasë dhe ujit një vil më parë dhe reduktimin e fortë të inflacionit të produkteve bujqësore në muajin mars.

Ecuria e inflacionit është diktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, ku veçojmë mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit me partnerët tanë tregtarë, i cili ka qenë më i madh në tremujorin e parë të 2019. Ai pritet që të reduktohet gradualisht në tremujorët pasues.

Ecuria e inflacionit ka gjetur mbështetje nga zgjerimi i kërkesës, i pasqyruar më tej në përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Megjithatë, nivelet e ulëta të inflacionit bazë sugjerojnë se presionet inflacioniste afatmesme janë të ulëta.

Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.1 % gjatë tremujorin të katërt dhe me 4.1 % për vitin 2018. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe ritmet më të ngadalta të rritjes në sektorin e shërbimeve sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e fundit.

Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e brendshme private, ndërsa eksportet neto e ndikuar negativisht atë. Të dhënat paraprake sugjerojnë se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2019 do të vijojë me ritme të përafërta me ato të tremujorit të kaluar.

Kredia për ekonominë është rritur me 6 % në tremujorin e parë, e zhveshur nga kursi i këmbimit dhe efekti i fshirjes nga bilancet të kredive të këqija. Zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera, nga politika monetare lehtësuese.

Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Ritmi i kreditimit të sektorit privat është përmirësuar në tremujorin e parë të 2019, i mbështetur nga rritja e kredisë në lekë dhe nga rritja e kredisë për biznese.

Politika monetare stimuluese ka krijuar kushte për kthimin e inflacionit në objektiv. Perspektiva afatmesme ekonomike është pozitive. Aktiviteti ekonomik dhe kërkesa agregate pritet të vijojnë rritjen me ritme të qendrueshme në vitet e ardhshme.

Zgjerimi i kërkesës agregate do të mundësojë rritjen e mëtejshme të punësimit, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe rritjen më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv në fillim të vitit 2021, pak më vonë se në parashikimin e kaluar.

Kjo shtyrje në kohë e arritjes së objektivit është ndikuar më së shumti nga përkeqësimi i parashikimeve për ekonominë e Eurozonës, të cilat përfshihen në parashikimin tonë.

Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, por intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Rreziqet rreth parashikimeve bazë në afatin e mesëm anojnë në kahun rënës të treguesve.

Materializimi i faktorëve të rrezikut, mund të kërkojë shtyrjen në kohë të normalizimit të politikës monetare, ose rritjen e mëtejshme të stimulit monetar.

Exit mobile version