PD ka kallzuar penalisht Prefekten e Tiranës, Jahollari për tentativë të uzurpimit të kompetencave të pushtetit lokal me thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Kamzës.
“Mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik, nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve. Ata do të jenë vetëm disa kukulla të tjera në duart kriminale dhe hajdute të Edi Ramës”, tha Nënkryetrari i PD, Spaho sot në një konferencë për mediat.
Deklarata e plotë e Edmond Spahos:
Padurimi i Edi Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në vend dhe, nëpërmjet tij, të grabisë çdo pasuri të vendit, e ka shtyrë atë në thellimin e paligjshmërisë së 30 Qershorit, duke urdhëruar prefektin e Tiranës të uzurpojë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës.
Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 Gusht nga Sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, Prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës.
Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cënojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të këshillit bashkiak.
Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të paligjshëm të Prefektës së Tiranës, duke e konsideruar atë një ndërhyrje flagrante të qeverisë në ushtrimin e kompetencave të pushtetit lokal. Për këtë arsye, Partia Demokratike ka depozituar në Prokurori kallëzimin penal për Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari. Duke zbatuar urdhrin e paligjshëm të Edi Ramës, ajo ka shpërdoruar detyrën dhe duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik, nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve. Ata do të jenë vetëm disa kukulla të tjera në duart kriminale dhe hajdute të Edi Ramës.