Banka e Shqipërisë deklaroi se bankat private shtrënguan sërish kredinë për bizneset në tremujorin e dytë të vitit. “Për bizneset, standardet rezultojnë të shtrënguara, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha,”- deklaroi Banka Qendrore në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit. Sipas vrojtimit, faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve janë problemet specifike të sektorit dhe situata makroekonomike. “Termat dhe kushtet nëpërmjet të cilave bankat zbatuan një politikë shtrënguese në tremujorin e dytë të vitit ishin rritja e kërkesave për kolateral, si dhe ulja e maturitetit të kredisë. Nga ana tjetër, marzhi mesatar, komisionet dhe madhësia e kredisë kanë vepruar në kahun lehtësues,” – vijon Banka e Shqipërisë. Por veç shtrëngimit të kushteve nga ana e bankave, kredia është penalizuar edhe nga kërkesa e dobët e biznesit për hua. “Kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016. Sipas ekspertëve të bankave, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë rritur kërkesën për kredi, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha raportohet ulje e kërkesës,” thuhet në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë. Në fund të muajit maj, kredia për ekonominë ishte 1.6 për qind më e ulët se sa një muaj më parë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se thuajse e gjithë rënia e kredisë është shkaktuar nga kredia për biznesin, e cila është ulur me mbi 10 miliardë lekë krahasuar me majin e vitit të kaluar. Kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2016. Bankat raportojnë rritje të kërkesës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ndërsa kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të mëdha raportohet me rënie. Kërkesa e bizneseve në tremujorin e dytë, sipas qëllimit të përdorimit, është regjistruar me rritje për kapital qarkullues dhe me rënie për investime. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, e cila do të gjenerohet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat vlerësojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur nga nevoja për financim për kapital qarkullues edhe për financim të investimeve. Vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mungesa e financimeve alternative e kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht këtë kërkesë. Nga ana tjetër, situata makroekonomike në vend gjatë këtij tremujori është perceptuar me ndikim negativ në kërkesën e bizneseve për kredi. Afërsisht 100% e bizneseve mendojnë se, forcimi i masave shtrënguesve dhe gjobave super të larta në nëntor të vitit të kaluar i hapi rrugë korrupsionit e abuzimeve, përkeqësoi klimën e biznesit, rriti stresin e bizneseve dhe harxhoi një pjesë të mirë të energjive të bizneseve për përmbushjen e kritereve, por pa krijuar kushtet e favorshme që implementimi i ligjit të ishte optimal.