Gazetari Lavdrim Lita ishte i ftuar këtë të premte në Euronews Albania, ku komentoi zhvillimet më të fundit politike.
Lita u ndal dhe te kërkesa e kreut të grupit paramentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, ku kërkon rikthimin në grupin paralamentar të të gjithë deputetëve të përjashtuar, përfshirë dhe Sali Berishën.
Lita theksoi se kjo kërkesë e Bardhit është një shkelje e vijës së kuqe amerikane dhe britanike në lidhje me personat non-grata të cilët duhen jashtë parlamentit.
“Është shkelje e vijës së kuqe amerikane dhe britanike për non-gratën. Në 9 shtator të 2021 Lulzim Basha nuk është se kishte ndonjë qejf të madh për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar, por e bëri sepse SHBA-të përmes nënsekratarit Reeker dhe shumë lajmëtarëve të tjerë, i kërkonte PD që të mbante një qëndrim politik në lidhje me shpalljen non-grata të Sali Berishës për minim të demokracisë dhe korrupsion masiv familjar. PD duke parë interesin e votuesve të saj tha se është më e rëndësishme të bashkëpunojmë me SHBA-të se sa të mbajmë një person si zoti Berisha në atë kohë. Gaz Bardhi ka qenë pro këtij vendimi për ta përjashtuar Berishën. Grupi i deputetëve që u përjashtuan nga Gazmend Bardhi, janë ata që kanë sulmuar më 8 janar selinë e PD-së ku desh u bë dhe vëllavrasja. Sot Bardhi ka bërë piruetën 180 gradë dhe kërkon rikthimin e Berishës dhe të tjerëve në grupin parlamentar. Kjo është një shuplakë ndaj atyre që kanë vite që thonë që non-gratat nuk duhet të jenë pjesë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, tha Lita