Nga Klodian Tomorri
Gjigandi ndërkombëtar i hidrokarbureve, Shell, ka konfirmuar zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e saj nga ky vendburim. Në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raporton se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri. (Lexo raportin)
“Për tremujorin e parë, fshirjet e kërkimit të puseve pritet të jenë 0.6 miliardë dollarë, kryesisht në Shqipëri,” deklaroi kompania në përditësimin e rezultateve financiare për tremujorin e parë të vitit.
Kompanitë e naftës shpenzojnë miliarda dollarë për kërkimin e vendburimeve të reja duke mbledhur të dhëna sizmike dhe duke shpuar puse për të zbuluar vendburime të reja naftë dhe gazi. Por kur kërkimet dështojnë ose puset rezultojnë të paleverdishme, kompanitë i fshijnë ato nga regjistrat e tyre kontabël.
Teatri i gaztorëve
Në verën e vitit të kaluar, Edi Rama dhe Belinda Balluku dolën përpara kamerave për t’u dhënë shqiptarëve një nga lajmet më të mëdha të shekullit. Atë të një zbulimi të madh nafte në Shpirag, që do ta bënte Shqipërinë vend të pasur.
“Kjo pasuri do impaktojë pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë. Ata do jenë përfituesit më të mëdhenj se ne do ndërtojmë si duhet një fond sovran serioz për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit”, tha Rama.
Detyra për ngritjen e fondit sovran sipas modelit norvegjez, i cili do të administronte miliardat nga nafta e Shpiragut iu ngarkua Belinda Ballukut. Kjo e fundit nisi menjëherë nga puna duke numëruar paratë, të cilat sipas saj ishin aq shumë sa që nuk menaxhoheshin dot nga buxheti i shtetit.
“Nga momenti që filluam punën për ngritjen e një Fondi Sovran, flitet për të ardhura shumë më të larta se 500 milionë euro në vit, të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit, por nga Fondi Sovran,” deklaroi Balluku.
Por e gjithë kjo shfaqje qesharake përfundoi shumë shpejt. Fillimisht ishte Kapitali, i cili në 13 shkurt të këtij viti publikoi lajmin se zbulimi i Shpiragut po shkonte drejt dështimit. Në atë kohë qeveria dhe kompania nuk reaguan. Por tashmë, lajmi i dështimit është zyrtar dhe i pranuar edhe nga vetë Shell.
Kurse qeverisë i mbeti përralla me fondin sovran dhe miliardat, që do të vërshonin në xhepat e qytetarëve shqiptarë nga femijët deri tek pensionistët. Me pak fjalë, një teatër kllounësh me aktorë kryesorë dy figurat më të rëndësishme të qeverisë, kryeministrin dhe zëvendësen e tij./ Kapitali.al