Basha: Betejë në të gjitha frontet kundër regjimit!

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një konferencë për mediat u shpreh se, raporti finali i OSBE/OHDIR për zgjedhjet e 25 Prillit konfirmoi akuzat e opozitës për masakrën zgjedhore.

Basha tha se, ne do të jemi në betejë në të gjitha frontet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve për të sjellë ndryshimin që e donin atëherë dhe e duan edhe sot.

“25 Prilli ishte një masakër zgjedhore, raporti i ODHIR ishte vula e turpit për zgjedhjet. Në 25 Prill u krye vjedhja më e madhe e votave në pluralizëm.

Gjendemi përpara një paradoksi, që partnerët ndërkombëtarë kërkojnë hetimin e krimeve zgjedhore, dhe në të njëjtën ditë lirohen nga burgu anëtarët e bandës së Shijakut, të akuzuar për blerjen e votave në Dibër, që ishte dhe shkak i krizës politike. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i dhunuesve të zgjedhjeve, është mision parësor i drejtësisë që të bëjë detyrën e saj, pasi vota e lirë është parësore.

Raporti i ODHIR konfirmoi se 25 Prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, një pushtet që buron nga zgjedhjet e blera nuk prodhon dot asgjë më shumë se korrupsion, largim jashtë vendit të shqiptarëve. Këta nuk kanë zgjidhja, këta duhet të hapin rrugën për të bërë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Detyra jonë, detyra e Partisë Demokratike është që të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm që koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha pretendimet tona”, tha Basha.

KONFERENCA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME GAZETARËT

Ju uroj mirëseardhjen në selinë e Partisë Demokratike gjithë gazetarëve dhe punonjësve të medias, qytetarët shqiptarë dhe opinioni publik kombëtar dhe mbarëkombëtar është njohur me raportin përfundimtar të OSBE-OHDIR i cili është botuar zyrtarisht ditën e djeshme. Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë tashmë që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në fakt raporti konfirmon atë që ne kemi thënë prej fillimit se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë e kemi thënë prej ditës së parë, këtë e kanë parë me sytë e tyre shqiptarët që kërkonin ndryshimin i cili u pengua paligjshmërisht me hile me dhunë, me shantazh. Këtë tashmë e di e gjithë bota demokratike sepse ky raport për fat të keq është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit, blerjen masive të votave dhe presion ndaj votuesve, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe e shtetit. E kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, e kemi thënë ne , e thotë dhe raporti. Rritje fiktive e punësimit në administratën publike për qëllime elektorale, presion mbi punonjësit e administratës publike për të votuar partinë në pushtet, e kemi thënë ne e konstaton edhe raporti. Përdorimi i fondeve të rindërtimit për të ndikuar në mënyrë të paligjshme votën, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e kemi denoncuar, e konstaton edhe raporti. Vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve duke ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti dhe vazhdon të thellohet kjo dramë siç ishte edhe rasti i patronazhistit, trafikant droge, të punësuarit të bashkisë së Tiranës. Përdorimi i grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, e kemi thënë ne e thotë dhe raporti. Ndryshimet të njëanshme kushtetuese në kundërshtim me rekomandimet e komisionit të Venecias, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti. Ndryshimi i fletës së votimit, që solli mes të tjerash dhe një numër rekord votash të pavlefshme, mbyllja e kufijve dhe mohimi i të drejtës së votimit për qindra mijëra emigrant. Para dhe pas 25 prillit Partia Demokratike i ka denoncuar krimet zgjedhore. Kemi depozituar afro 185 padi në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve në lidhje me këto krime, por prap në vijim të traditës së pandëshkueshmërinë të dosjeve 184 dhe 339, personazhet e të cilëve vijojnë të mbajnë peng integrimin e vendit, asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar deri në këtë moment. Sot hetimi dhe ndëshkimi i blerjes së votës është një nga rekomandimet parësore të OSBE-OHDIR që e konsideron atë si një prioritet absolut për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht siç e shikoni, nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala. N a doli fjala nga ky regjim i ka shpallur luftë demokracisë tonë. Sepse më 25 prill nuk ishte Partia Demokratike që u dëmtua, por ishte Shqipëria dhe shqiptarët, interesat e tyre dhe e ardhmja e tyre të cilat morën një goditje të rëndë. Ishin shumica dërrmuese e shqiptarëve që e kërkonin ndryshimin dhe që sot e duan ende këtë ndryshim. Ndaj, dua të përsëris së pari se është detyrë e drejtësisë, është detyrë e SPAK-ut të ndjek me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore duke përfshirë ato që kanë zënë pluhur dhe të ndal ping pongun në këto dosje. Të mos lirohen autorët e dosjes 339 siç ndodhi dje, por të ndëshkohet kushdo e në veçanti ortakët politik të krimit të organizuar që masakruan çdo standard zgjedhor, që goditën demokracinë dhe që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë. Gjendemi përpara një paradoksi. Të gjithë ne, opozita, media e lirë, forcat e gjalla të shoqërisë, partnerët ndërkombëtarë, kërkojmë ndëshkimin e krimeve zgjedhore të 2021. Ndërsa në të njëjtën ditë kur del raporti i OSBE-OHDIR, kur kërkohet pikërisht hetimi dhe vënia para drejtësisë e blerësve të zgjedhjeve, lirohen disa nga personazhet e dosjes së Shijakut, që ishte dhe një nga përbërësit e krizës politike në vend. Ndërkohë asnjë, e theksoj, asnjë nga politikanët e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë si në dosjen 184 ashtu dhe në dosjen 339, nuk është hetuar dhe as marrë i pandehur. Tashmë jemi të vetëdijshëm që Shqipëria nuk e ka luksin, kohën, durimin të hidhet nga kriza në krizë. Të mbetet peng i dhunuesve të zgjedhjeve që e përdorin shtetin si zgjatim të partisë dhe për ta vendosur atë në shërbim të krimit dhe të oligarkisë. Është mision parësor i drejtësisë të bëj detyrën e saj, sepse vota e lirë është parësore për të garantuar një qeveri që punon për njerëzit dhe jo për veten e saj dhe klientët e saj. Raporti i OSBE-OHDIR konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, as për ata që votuan partinë në pushtet, as për shumicën që zgjodhi ndryshimin. Përkundrazi, i thelloi edhe më shumë dilemat e tyre. Një pushtet që buron nga zgjedhje të vjedhura, nuk ofron dot asgjë tjetër përveçse varfëri, krim, korrupsion, kapje të shtetit dhe zbrazje të mëtejshme të vendit. Pyetja që shtrohet është: Kush do të ofrojë punësimin, arsimin më të mirë, rendin dhe sigurinë, shanset për një jetë më të mirë këtu në Shqipëri? Këta që janë kapur dhe tashmë janë dokumentuar duke shantazhuan me bukën e gojës punonjësit e administratës. Këta që e përdorën krimin për t’i tërhequr zvarrë njerëzit drejt kutive të votimit siç konstatohet edhe në këtë raport, pas konstatimit në raportin e asamblesë parlamentare të këshillit të Europës. Këta që ja falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh për të marrë në këmbim para me të cilat blejnë vota. Këta që japin çdo qindarkë me PPP për klientët e tyre duke ja lidhur borxhin në qafë shqiptarëve dhe brezave të ardhshëm. Këta që e kanë kthyer zyrtarisht Shqipërinë edhe sipas raporteve të fundit, duke e përfshirë atë që është botuar sot për klimën e investimeve në vend nga departamenti i shtetit në vendin më të korruptuar në Europë. Pyetja, apo pyetjet kanë një dhe vetëm një përgjigje: jo kurrë, asnjëherë këta nuk janë zgjidhja, këta janë vet problemi. Zgjidhja është hapja e rrugës për zgjedhje demokratike, zgjedhje të lira dhe të ndershme për shumicën e shqiptarëve që duan ndryshim. Ky raport, njësoj si raporti i delegacionit të asamblesë parlamentare të këshillit të Europës që doli para disa javësh, i ndan në mënyrë të qartë palët në këtë përballje. Nga njëra anë është regjimi, autorët e masakrës zgjedhore, megjithëse përmendët me gjuhën diplomatike, në rreshtat e këtij raporti apo raportit të mëparshëm, por të gjithë e dimë se është edhe më keq se aq dhe nga ana tjetër jemi ne opozita dhe shumica e shqiptarëve që nuk pajtohemi me këtë model shkatërrimtar për vendin dhe për të ardhmen tonë. Detyra jonë, detyra e Parëtisë Demokratike dhe e opozitës është të faktojmë një bashkëpunim sa më të ngushtë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm se koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha betejat tona. Sikurse raporti na jep të drejtë për atë se çfarë është 25 prilli, kjo për arsyen sepse ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve në çdo moment në shërbim të tyre dhe të gjithë bashkë me këtë vetëdije, me të drejtën faktit dhe të vërtetën me vete, kemi mjetet dhe mundësinë t’i japim demokracisë një jetë të re. Natyrisht, në kushtet e kapjes totale të shtetit dhe të rrëzimit të instrumentit të ndryshimit, votës së lirë nga ky regjim, kjo nuk do të jetë e lehtë. Por, përkundër masakrës zgjedhore, shqiptarët i kanë dhënë Partisë Demokratike më shumë forcë e bashkë me të vendosmërinë dhe mjetet e nevojshme për ta çuar deri në fund përballjen me këtë regjim. Natyrisht këtë betejë nuk e bëjmë për veten tonë, nuk e bëjmë për Partinë Demokratike, e bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të dëmtuarit e mëdhenj, të vjedhurit e mëdhenj të 25 prillit. Ndaj, do të përdorim të gjithë forcën që shqiptarët na kanë dhënë më 25 prill në të gjitha forumet. Me të gjithë miqtë e Shqipërisë që e duan vendin tonë demokratik, pranë Europës, me më pak krim dhe korrupsion dhe me qëllimin për t’ua kthyer pushtetin qytetarëve aty ku pushteti buron, tek vota e lirë, tek vota e ndershme. Dhe këtë me qëllimin e madh, që Shqipëria të ec përpara dhe raporti i 25 prillit t’i përkas të shkuarës dhe jo të ardhmes që shqiptarët meritojnë. Tani fjala për gazetarët për të cilën raportin e OHDIR thuhet se janë censuruar dhe kanë qenë përballë presioneve, shantazheve dhe korrupsionit, sigurisht jo prej Partisë Demokratike.

Gazetarja e Vizion Plus: Rekomandimi numër një i Raportit të OHDIR është rregullimi i kuadrit ligjor dhe më pas thuhet në Raport që Parlamenti duhet të zbatojë rekomandimet e mëhershme të bëra nga OSBE-OHDIR. Në Shtator a do të kërkoni ju bashkëpunimin e Partisë Socialiste për një reformë të re zgjedhore?

Lulzim Basha: 25 prilli ka treguar se shtetit është kthyer në një gërmadhë. Që institucionet nuk janë më në shërbim të njerëzve këtë e di çdo shqiptar. Që mekanizmi për t’i kthyer ato në shërbim të njerëzve është prishur për shkak të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Ju përmendët rekomandimin numër një i cili ka të bëjë me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor që është një nga faktorët e masakrës zgjedhore. Sepse u krye jo thjesht duke përjashtuar opozitën, por u krye në kuadër të një plani të mirëmenduar për t’i dhënë partisë në pushtet avantazhe të pamerituara. Por, megjithatë do të doja të tërhiqja vëmendjen tek dy rekomandimet më poshtë, 2-shuin dhe 3-shin. Në pak më pak se 16 vite angazhim aktiv në politikë dhe në 30 vite demokraci nuk mbaj mend as në zgjedhjet e 91shit që të kërkohet se rekomandim prioritar nga OSBE-ODHIR që shteti të sigurojë të drejtën për zgjedhje të lira dhe votime të fshehta. Që do të thotë që shteti ka asgjësuar, ka goditur votën e lirë dhe të fshehtë që është themeli i demokracisë apo citoj “të intensifikojë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votave”, që do të thotë që me 25 prill nuk ka ndodhur thjesht një masakër zgjedhore, por ka rënë demokracia. Nëse shteti do të garantonte zgjedhje të lira pse duhet të ishte rekomandimi numër 2 i ODHIR, garantimi i votës së fshehtë dhe të lirë. Në asnjë raport , për asnjë vend në rajon apo në Europë nuk gjendet një rekomandim i tillë. Në asnjë vend demokratik nuk mund të mendohet një rekomandim i tillë. Për t’u kthyer tek pyetja juaj, që do të thotë që detyra para nesh është shumë më e madhe se sa ribërja në mënyrë gjithëpërfshirëse të një reforme zgjedhore të standardeve demokratike. Detyra është që duke kuptuar dhe pranuar nisur edhe nga konkluzionet e këtij raporti, krizën e thellë demokratike në të cilën ndodhet sot Shqipëria, krizën e demokracisë, të bëjmë gjithçka që aspiratat e shumicës së shqiptarëve të gjejnë shprehej tek çdo akt dhe çdo veprim, tek çdo aksion i opozitës, i Partisë Demokratike brenda dhe jashtë parlamentit. Natyrisht këtu përfshihet edhe detyrimi i të gjithë palëve për t’i dhënë shqiptarëve një infrastrukturë ligjore, pra një kod zgjedhor i cili të garantojë fshehtësinë e votës dhe votën e lirë

Rekomandimi numër 14 flet për regjistrimin e kandidatëve dhe saktësisht për ligjin e dekriminalizimit. Pra fushatës zgjedhore ju kërkuat që Tom Doshi mos të kandidonte në zgjedhje për shkak se është shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A aplikohet i njëjti standard për Sali Berishën, ish-kryetarin e Partisë Demokratike që është shpallur non-grata nga Sekretari Amerikan i Shtetit?

Ne jemi krenarë për ligjin për dekriminalizimin. Ne nuk harrojmë se megjithëse nuk i kishim numrat në parlament detyruam mazhorancën në vitin 2014 dhe dhe më vonë në vitin 2015 të pranonte plagën e rëndë të kriminalizimit të politikës përmes futjes së personave me rekorde të tmerrshme kriminale si deputetë, si kryetarë bashkish dhe drejtues të lartë politikë të Partisë Socialiste në strukturat partiake dhe shtetërore të kësaj partie. Kriminalizimi i politikës është kryekëput një vepër e mirëmenduar e kreut të kësaj partie. Ajo është kthyer tashmë në një problem jo thjesht për Partinë Socialiste dhe vendin, por edhe për ekonominë e cila po vuan pasojat e rënda të kriminalizimit të sektorëve të veçantë të saj që shoqërohen me papunësi, me probleme të rënda sociale dhe pastaj me shkallën më të lartë të kapjes së shtetit që janë ligjet speciale që miratohen për oligarkët dhe për krimin e organizuar. Pra me fjalë të tjera vënien e shtetit në funksion të një pakice absolute dhe e gjitha kjo bie mbi kurrizin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve pa dallime politike. Beteja jonë për dekriminalizimin do të vazhdojë me gjithë fuqinë. Nuk kam për të komentuar asnjë çështje që del jashtë këtij raporti dhe do të mbetem i hapur për çdo koment tjetër në çdo takim tjetër sepse besoj me të drejtë, mendoj unë, ky është mendimi im që çdo reflektim nga raporti, çdo shmangej nga vëmendja publike e raportit nuk i shërben interesit publik. Kemi kohe për të diskutuar gjithçka tjetër sepse siç e dini kurrë nuk keni qenë përballë meje me censurën në mes dhe nuk do të jetë tani.

Juxhin Mustafaraj Abc: Ne konstatimet e rekomandimeve dhe gjetjet e OSBE theksohet se u përdor edhe pushteti vendor, të paktën ligjërisht jemi dy vite para zgjedhjeve vendore, çfarë mund të bëjë Partia Demokratike që pas dy vitesh të mos jemi në të njëjtat pozita apo me sakte opozita të mos jete në të tilla pozita që të ulet dhe të thotë përpara opinionit publik e të thotë që jemi serish përpara një masakre elektorale?

Lulzim Basha: Shikoni kjo është një betejë që na takon të gjithëve, pa diskutim secili ka rolin e tij, siç u shpreha me lart drejtësia ka rolin e vet për të cilën ne kemi vite qe kërkojmë ta përmbush, pavarësisht siç e thash ping pongut të dosjeve 184 dhe 339, pavarësisht prej faktit se ditën kur doli raporti u liruan disa nga personazhet e 339. Partia Demokratike ka rolin e vet, në fakt gjithë qenia jone, gjithë ekzistenca jonë, gjithë lufta jonë këto vite ka qenë pikërisht për t’i shërbyer njerëzve dhe standardeve zgjedhore dhe standardeve demokratike pa të cilat nuk mund të ketë standarde të larta jete, nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar, nuk mund të ketë konkurrencë, nuk mund të ketë arsim, nuk mund të ketë shëndetësi. Dhe gjithë kriza që ne përjetojmë është produkt i dështimit të madh të demokracisë shqiptare që është vepër e Partisë në pushtet. Ndaj pushteti vendor është një nga hallkat e masakrës zgjedhore siç e përshkruan fare qartë edhe raporti i OSBE-ODIHR dhe padiskutim do të jetë një nga fushëbetejat në të cilat Partia Demokratike do të kërkojë përmes reformave dhe mekanizmave për të zbatuar këto reforma që mos të mbeten në letër, që ai pushtet ti kthehet shqiptarëve, ti kthehet qytetarëve dhe të punojë për ta, jo për pakicën. Për të njëjtën arsye që përmenda dhe në rastin e pyetjes nga Olta, do t’ju kërkoj që fokusin ta mbajmë tek raporti sepse mendoj që çështja që ngrite është shumë e rëndësishme dhe do të kenë një përgjigje të detajuar për këtë por besoj se sot për hir të interesit të shqiptarëve, për hir të interesit publik vëmendja duhet te mbetet tek raporti.

Osman Stafa, News 24: Zoti Basha pavarësisht raportit perfundimtar të OSBE-ODIHR dhe gjetjeve të tij kemi departamentin Amerikan të Shtetit i cili ka njohur zgjedhjet e 25 prillit madje ka uruar kryeministrin Rama për fitore. A keni ju zoti Basha një plan për të sqaruar aleatin tonë strategjik që të ndryshojë qëndrim pas publikimit të këtij raporti përfundimtar? Pyetja e parë.

Lulzim Basha: Puna jonë me partnerët ndërkombëtare nuk reshtur dhe nuk do të reshte asnjë çast. Sigurisht nuk është një pune e lehte, fusha nuk është bosh, përballë kemi një kundërshtar i cili nuk kursen asgjë për të shtrembëruar faktet, të vërtetën dhe për të mbajtur me të padrejte shtetin vendin dhe njerëzit në kurthin e riciklimit të vazhdueshëm të gënjeshtrave. Por tek partneret ndërkombëtarë ne kemi gjetur përherë mbështetjen e nevojshme dhe mirëkuptimin sa herë që ato vlera qe na bëjnë bashkë janë cenuar. Ne besojmë se Ky raport i cili padiskutim është produkt edhe i partnereve tanë euroatlantike, SHBA, BE dhe vendeve të BE që ndonëse në kushtet e Covid, kushtet e pandemisë dërguan vëzhgues apo angazhuan përmes pjesëtareve të tyre të trupit diplomatik në Tiranë në procesin e vëzhgimit që bashke me ta të çojmë përpara një interes që nuk është thjeshte një interes i Partisë Demokratike apo i opozitës, është interes i Shqipërisë dhe besojmë edhe interes i atyre që për 31 vite me radhë kane investuar për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për zhvillimin, integrimin mirëqenin e shqiptarëve. Të gjitha këto janë kauza qe na bashkojnë, asgjë Nga ato që ne kemi thënë dhe që raporti i 25 prillit i konfirmon, nuk i shërben këtyre kauzave. Ndaj ne presim dhe kemi besim se me partneret tanë euroatlantike do të zhvillojmë ura dialogu, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në funksion të një platforme për t’i rikthyer vendit legjitimitetin dhe demokracinë.

Osman Stafa: Zoti Basha në qoftë se kthehemi prap në kohë në vitin 2015 pas zgjedhjeve lokale, pas humbjes që Partia Demokratike mori, në deduksionet tuaja publike kanё qenë që zgjedhjet janë vjedhur. Po ashtu në vitin 2017 dhe po ashtu në 2021 ku ju thoni që ka ndodhur masakra më e madhe elektorale në Shqipëri. Çfarë ju bën juve zoti Basha të mendoni që edhe zgjedhjet e ardhshme zoti Rama, pra kryeministri i vendit nuk do ti vjedhë përsëri siç ju deklaroni. Pra do ja lini në dorë vullnetit të tij apo do të merrni nisma që kjo gjë të ndryshojë, pra për të tejkaluar vullnetin politik të palëve? Faleminderit!

Lulzim Basha: Në asnjë rast që prej 2015, në fakt që prej blerjes së votave në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, në nëntor të 2013-ës Partia Demokratike nuk ka ndenjur duarkryq. Të pakta janë familjet politike në Europë, forcat politike në Europë që kanë sakrifikuar kaq shumë në kuptimin njerëzor, politik dhe elektoralisht të fjalës. Se kanë paguar një çmim kaq të lartë për vlerat në të cilat besojmë. Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të eci përpara pa konsoliduar demokracinë, pa një shtet që i shërben shumicës dhe mbron interesin publik të çdo shqiptari dhe jo një shtet të kapur që i shërben pakicës duke goditur interesin publik dhe interesin e shumicës së shqiptarëve. Prandaj ne jo vetëm do të vazhdojmë po do të intensifikojmë betejën tonë në të gjitha frontet, në të gjitha forumet. Do ta bëjmë këtë me vetëdije që kjo është sot një betejë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjeshtë për identitetin tonë, për atë që jemi, për ato vlera që mbrojmë që prej ditës së parë kur jemi themeluar. Por siç ju thash kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë dhe as një rrugë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme, ndaj siç kam deklaruar besoj e keni ndjekur dhe gjatë kuvendit tonë kombëtarë , ne do të hedhim të gjitha hapat e nevojshëm për një bashkëpunim intensiv me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë. Në çdo fushë, nga sipërmarrja tek elita e mendjes e shpirtit të shqiptarëve, nga të rinjtë, studentët, të papunët , tek fermerët sipërmarrja e vogël dhe e mesme, tek mësuesit, tek sektori i shëndetësisë, sigurisht në një aleancë me gazetarinë me integritet. Për të bërë të mundur që të gjithë së bashku të përballemi me një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, të pa precedentë do të thoja në 31 vite pluralizëm dhe demokraci. Pra ajo që na pret është betejë. Një betejë që do të zhvillohet në të gjitha frontet, me të gjitha mënyrat dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne do të jemi të hapur që jo vetëm të kontribuojmë dhe të tregojmë sipas nesh rrugën për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë, por edhe të bashkëveprojmë të dëgjojmë dhe të bëhemi zëri i të gjithë atyre që ndihen sot të pa përfaqësuar, të dhunuar, të zhgënjyer nga ajo që ky regjim i ka bërë vendit të tyre, familjeve të tyre dhe atyre vetë si individë. Nga ana tjetër dua t’ju them që e ardhmja e Shqipërisë nuk është kjo dhe nuk mund të jetë kurrë kjo. Sot jemi në një tjetër moment të rëndë për vendin kur shohim e zezë mbi të bardhë të gjitha ato që ne kemi thënë prej datës 26 apo 27 e ne vijim. Por jemi po kështu plot besim se një pakicë e vogël e cila ka marrë përsipër të arrestojë të ndalojë të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e ka vendin aty ku e ka uzurpuar, e ka diku tjetër. Në një bashkëveprim me të gjithë forcat e shoqërisë, një nxitje e përditshme ndaj drejtësisë për të bërë detyrën e saj. Me një partneritet me miqtë tanë Euro-Atlantik është për ne forma dhe mënyra për ta çuar këtë betejë përpara me garancitë për një rezultat sa më të shpejtë. E ardhmja e Shqipërisë nuk është kjo, nuk janë zgjedhjet e manipuluara, Shqipëria nuk do të kthehet me fytyrë nga lindja. Shqipëria nuk do të kolapsojë për shkak të dëshirës apo projeksioneve të një pakice dhe një grupimi të ngushtë politik që i shërben kësaj pakice. Kur them këtë se kam fjalën për Partinë socialiste, e kam fjalën për një grup shumë të vogël me në krye kryetarin aktual që nuk përfaqëson as gjithë partinë socialiste. Pra beteja jonë do të jetë fare e thjeshtë, do të jetë që shumicës ti japim zë, ti japim fuqi dhe ti rikthejmë vendimmarrjen. Kjo është demokracia, natyrisht vendimmarrja është në duart e sovranit. Një vendimmarrje e lirë mund dhe të gabojë por është sovrani ai që e korrigjon, ndërsa sot jemi në kushtet kur sovranit i është hequr e drejta themelore në demokraci, ajo e jovendimtares.

Gazetari: Zoti Basha në raportin e OSBE-ODHIR përmendet dhe struktura e ngritur nga Partia Demokratike për mbrojtjen e votës duke u cilësuar si një strukturë potencialisht e paligjshme. Ju si e vlerësoni?

Basha: Paligjshmëria ka të bëjë me blerjen e votës, paligjshmëria ka të bëjë me kërcënimin e qytetarëve. E paligjshme është të shkelësh kodin zgjedhor, e ne veçanti ato ndryshime që ju bënë kodit zgjedhor pikërisht nisur nga rekomandimet e OSBE-ODHIR sa i përket shkrirjes së shtetit me partinë në pushtet. Ndërsa mbrojtja e votës nuk është vetëm detyrë e Partisë Demokratike por është detyrë e çdo qytetari në demokraci dhe padiskutim ky është një aspekt të cilit Partia Demokratike do ta zhvillojë përmirësojë dhe shtrijë kudo. Do ta forcojë si një detyrë të lartë patriotike, demokratike, qytetare dhe ligjore. E kundërta përbën paligjshmëri madje dhe krim. Të shikosh një krim zgjedhor dhe mos bësh minimumin për ta parandaluar apo denoncuar atë është në vetvete një vepër penale edhe sipas kodit penal të republikës së Shqipërisë tani në fuqi. Po përtej ligjeve kuptohet qartë që paligjshmëria qëndron në njërën anë dhe Partia Demokratike me të gjithë instrumentet e saj është në krah të ligjit është në krah të së drejtës, është në krah të së vërtetës, është në krah të shqiptarëve dhe do të vazhdojë të jetë.

Gazetari: Zoti Basha tani kemi raportin e OSBE-ODHIR dhe pjesën e parë të analizës së Partisë Demokratike për zgjedhjet. A keni ju një kalkulim se sa ka qenë ndikimi në mandate i të gjitha gjetjeve që ka pasur raporti i OSBE-ODHIR dhe a ka Partia Demokratike lidershipi përgjegjësi që edhe në 4 vitet e ardhshme do të jetë në opozitë?

Lulzim Basha: Kasandrave që parashikojnë se çfarë ndodh 4 vitet e ardhshme ju them edhe 4 ditë janë një kohë e gjatë në politikë. Se çfarë do të bëjmë ne është fare e qartë, ju përgjigja pak më përpara kolegut tuaj nga i njëjti grup mediatik. Ne do të vazhdojmë betejën që kemi nisur prej fillimit, pa reshtur. Do ta intesifikojmë atë, do të kërkojmë dhe ndërtojmë aleancë me shumicën dërrmuese që e donin ndryshimin me 25 prill. Atë ndryshim që u ndalua përdhunshëm dhe që e duan edhe më shumë sot kur e shohin që kalbëzimi i nisur prej kohësh që kishte vënë përfund Shqipërinë me pasoja të mëdha për shqiptarët dhe familjet e tyre. Jo vetëm nuk do të përmirësohet por po bëhet edhe më i rëndë, edhe më i padurueshëm. Ndërsa 25 prilli nuk është çështje mandatesh, është çështje ndalimi paligjshëm ndryshimi që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dëshironin. E dëshironin atëherë e duan dhe më shumë sot. Detyra jonë në këtë kuptim nuk është thjeshtë të riafrojmë programin. Alternativën, vizionin tonë për të nesërmen që besoj ka qenë më i ploti ndonjëherë i ofruar në 3 dekada pluralizëm. Por është ti japim zë forcë dhe fuqi kësaj shumice shqiptarësh që duan edhe më shumë sot ndryshimin e ndaluar përdhunshëm me 25 prill. Me të gjitha format dhe mënyrat.

Gazetari: Zoti Basha ju thatë që do të nisnit një betejë brenda dhe jashtë kuvendit për legjitimitetin dhe demokracisë ne vend. Mos po nënkuptoni nisjen e protestave?

Lulzim Basha: Siç ju thash sot vëmendja e shqiptarëve me të vërtetë në gjykimin tim duhet të mbetet tek ky certifikim i qartë i dështimit më të madh në 30 vite pluralizëm për të garantuar votën e lirë dhe votën e fshehtë, i kapjes së shtetit me pasojat e rënda për demokracinë dhe shqiptarët. Detyrat tona janë të qarta, detyra e drejtësisë është e qartë dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë që ajo ta përmbushë këtë detyrë. Në fund të fundit kjo është një nga arsyet kryesore se përse Partia Demokratike mbështeti me unanimitet 5 vjet e pak ditë më përpara ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Me 185 padi të depozituara ne presim jo thjeshtë hetime me ritëm të lartë duke filluar nga koka dhe jo nga bishti. Po presim atë që është standard normal në vendet të qytetëruara dhe transparence për këto hetime, jo thjeshtë o para denoncuesve Partisë Demokratike por edhe para qytetarëve që janë të dëmtuarit e mëdhenj dhe humbësit më të mëdhenj nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Ndërkohë sa i përket mjeteve dhe mënyra ve ju garantoj se Partia Demokratike asnjë herë nuk është stepur para asnjë vendimi për të përmbushur detyrën e saj para shqiptarëve dhe o para demokracisë dhe nuk do të stepet as sot kur nevoja për të rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë në vend është më e madhe dhe më e rëndë se kurrë.

Jolldiz Mitro: Sa herë që Partia Demokratike humbet zgjedhjet dhe sa herë ka një raport të OSBE-ODHIR, që duket sikur shkon më shumë në favor të mazhorancës se sa të Partisë Demokratike në zgjedhje. Ju thatë edhe sot që do intensifikojmë betejën në të gjitha frontet dhe kjo nuk do të jetë një betejë e lehtë. Si do ta vijoni betejën tuaj për të mos i lënë demokratët edhe për të katërtën radhazi në opozitë?

Lulzim Basha: Së pari kam një ftesë miqësore, sigurisht secili ka mendimin e vet dhe çdo media ka linjën e vet editoriale, por kam një ftesë miqësore, në veçanti kur ballafaqoheni me raporte zyrtare të OSBE-ODHIR-it. Kur rekomandimi i dytë prioritar thotë që është dhunuar fshehtësia dhe liria e votës që nuk ka ndodhur në 30 vite, atëherë radhë të parë si qytetar, në radhë të dytë si ndërmjetës në këtë rast të politikës me opinionin publik, të ndani mendjen tuaj. Zgjedhjet o janë të vjedhura o janë të humbura. Vjedhja e zgjedhjeve nuk është një dramë personale e Partisë Demokratike, është një dramë shoqërore. Nuk është një dramë me një akt, është një dramë me shumë akte të cilat shpalosen menjëherë pasi një forcë politike vendos ta mbajë përdhunshëm pushtetin. Efektet nuk janë teorike. Rritja e papunësisë, rritja e kriminalitetit, mungesa e një dere për të trokitur në shtet për të zgjidhur problemet për njerëzit e zakonshëm, ligjet speciale për një pakicë, grabitja e pronave publike dhe tjetërsimi i pronave private, goditja e biznesit, e sipërmarrjes, shkallmimi i sistemin arsimor dhe shëndetësor. Gjithçka që lidhet me papërgjegjshmërinë e atyre që nuk e lidhin pushtetin me qytetarët sepse nuk e kanë marrë nga qytetarët, janë aktet pasuese të dramës që nis me tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Dhe këtë tjetërsim e ka bërë një regjim me emër, mbiemër dhe adresë. Sigurisht nuk do të arrinte ta bënte dot i vetëm Edi Rama, bashkëpunëtorët e tij njihen, si ata politikë, si ata në fushën e krimit të organizuar, si ata me fuqi financiare. Dhe një pjesë prej tyre madje njihen prej vitesh, qëkur përgjimet e 184-ës dhe 339-ës i nxorën para botës mbarë. Prandaj nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë surprizë për publikun apo ndonjë hapi nga ana e përçuesve te publiku të qëndrimeve tona, që ne prej ditës së parë dhe sot kemi një dhe vetëm një qëndrim ndaj kësaj masakre zgjedhore të çdo standardi zgjedhor dhe pasojat që kjo sjell për shqiptarët, ndaj kësaj lufte që i është shpallur shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe aspiratës së tyre të drejtë dhe legjitime për ndryshim, ne do të kemi vetëm betejë. Siç kemi patur, siç iu referuar me të drejtë sa herë që këto standarde janë shkelur. Dhe për fat të keq janë shkelur në çdo palë zgjedhje të pjesshme apo të përgjithshme që tregojnë që përpara nuk kemi thjesht një dështak për herë të parë për të ruajtur siç e ka për detyrë shteti dhe qeveria standardet demokratike, por kemi një recitivist, një përsëritës serial dhe prandaj e kam cilësuar një armik të demokracisë, jo të Partisë Demokratike dhe jo thjesht të pozitës, por të demokracisë, të interesit publik të shqiptarëve duke përfshirë këtu edhe vetë anëtarët e partisë së tij.

Enkel Xhangolli: Ju paraqitët disa arsye që sipas jush janë konstatuar nga Partia Demokratike, por edhe nga raporti i OSBE-ODHIR lidhur me ndikimin që Partia Socialiste ka patur në tjetërsimin e votave në zgjedhjet e 25 prillit. A mendoni se këto janë arsye të mjaftueshme për ta çuar Partinë Demokratike drejt bojkotit të parlamentit? Dhe dy, Ju thoni që raporti konstatoi masakër zgjedhore, referuar kësaj deklarate a do ta njohë Partia Demokratike zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit?

Lulzim Basha: Per pyetjen e dyte qëndrimi im nuk ka ndryshuar siç ua kam thënë prej ditës se parë që të pranosh si legjitim rezultatin e 25 prillit është për mua të pranosh si legjitime masakrën zgjedhore prandaj nuk mund dhe nuk do ta pranojmë kurrë si legjitim rezultatin e 25 prillit. Ndërkohë që beteja për legjitimitetin dhe për demokracinë do të zhvillohet kudo, në çdo forum duke përfshirë dhe parlamentin, si do ta zhvillojmë? Me të gjitha format dhe mënyrat demokratike. Nuk Mendoj qe ky është vendi apo kjo është koha për te diskutuar takticizmin parlamentar por një gjë ju garantoj, me forcën që na kanë dhënë shqiptarët pavarësisht prej masakrës zgjedhore, Partia Demokratike dhe opozita disponon të gjitha mjetet për t’ju përgjigjur aspiratës se shqiptareve për legjitimitet, demokraci dhe ndryshim. Dhe nuk do te nguroje as nuk do të stepet pas kësaj sfide të jashtëzakonshme, një sfide qe nuk është thjeshtë e jona, është sfida e gjithsecilit prej jush që besoni tek Shqipëria, tek demokracia në këtë salle, është sfida e çdo familjari, e çdo gruaja, e çdo burri, e çdo të reje, e çdo të riu, për ta dhe për fëmijët e tyre. Dhe t’ju them dhe diçka tjetër, pavarësisht se secili prej nesh duhet të beje betejën e vet dhe unë e di se gjithsecili prej jush mundohet ta bëjë betejën e vet edhe ne kushte të vështira madje dikush ne disa raste ne kushte po me te vështira mos edhe me te vështira sa politika. Prapëseprapë garancia e vetme për ta çuar këtë beteje deri ne fund është Partia Demokratike, prove për këtë është që pavarësisht gjithçkaje që kemi thënë dhe e dokumenton Ky raport, pavarësisht se në këtë betejë te pabarabarte ne u futëm pa asnjë pushtet, ne jemi sot dale besimit të shqiptarëve tek ndryshimi dhe tek Partia Demokratike si instrument ndryshimi , me të fortë dhe më të vendosur deri në fund këtë beteje për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Gazetari: Zoti Basha besoni ju se ndryshimi do të vijë edhe përmes një ekipi të ri në drejtimin e PD-së?

Lulzim Basha: Me gjithë respektin për pyetjen tuaj edhe kjo do ti takojë një bashkëbisedimi tjetër ku me siguri do të kemi shumë tema për të diskutuar. Sot vëmendja do të mbetet te raporti i OSBE-ODHIR.

Gazetari: Në fakt, duke qenë se për raportin e OSBE-ODHIR-it është shprehur edhe pala tjetër, Sekretari i Partisë Socialiste, zoti Arben Pëllumbi është shprehur që raporti ka qenë….

Lulzim Basha: Larg qoftë!

Gazetari: Reagimi i Partisë Socialiste, ndjesë, është shprehur se raporti i OSBE-ODHIR-it ka qenë një raport më i mirë i këtyre 30 viteve dhe se ka vërtetuar që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Mirëpo nga ana tjetër ju tani shprehët se raporti i OSBE-ODHIR-it ka vërtetuar pretendimet tuaja. Kur do të marrë fund kjo betejë për të interpretuar raportet e OSBE-ODHIR-it?

Lulzim Basha: Nuk ka betejë për të interpretuar raportet. Ka një përpjekje të sforcuar, të cilin nuk ka njeri me dy pare mend në kokë ta kuptoj që bëhet për të fshehur atë që raporti e ka nxjerrë zbuluar dhe ne i kemi denoncuar prej muajsh para dhe pas 25 Prillit. Dhe për këtë mjafton të lexosh raportin. Unë nuk jam këtu bashkë me zotin Bardhi dhe zotin Bylykbashi, as i sforcuar për të thënë diçka që nuk qëndron apo për të spërdredhur fjalët e raportit, por as i kënaqur, as i lumtur, as i gëzuar që më ka dalë fjala. Ju kam thënë që sot është një ditë reflektimi i thellë për faktin që gjithçka që ne kemi thënë në raport me 25 Prillin dhe 25 Prilli është data, po flasim për muaj përpara e muaj pas 25 Prillit, tashmë qëndron në një raport i cili në tërësinë e vet me objektivitet jo vetëm ka cekur të vërteta të hidhura që i di çdo shqiptar por, ka dalë siç ju thashë me rekomandime të paprecedenta. Edhe një herë, më gjeni një vend në Europë ku në 5 rekomandimet prioritet rekomandimi numër 2 kërkon shtetit lirinë dhe fshehtësinë e votës. Se kam fjalën për Bjellorusinë, nuk i kam lexuar raportet e Bjellorusisë por as nuk besoj se ka shqiptarë këtu që mund ta krahasojë Shqipërinë me Bjellorusinë por në fakt nuk do të kisha asnjë habi në qoftë se diçka e tillë mund të ishte në raportet e votimeve në Bjellorusi.

Por a mundet në 2021 të jetë rekomandim prioritar garantimi i fshehtësisë dhe lirisë së votës në një vend anëtar i NATO, i cili pretendon të hapë negociatat për tu futur në Bashkimin Europian. E kuptoni ku e ka zhytur ky regjim Shqipërinë? E pra siç e thashë burimi i të keqes është tjetërsimi i votës. Dhe nga kjo rrjedhin të gjitha të tjerat. Ky është sistemi demokratik. Askush nuk është i pikuar nga qielli. Të gjithë janë produkt i votës së qytetarëve. Me votë marrin përgjegjësi, me votë gjykohen nëse e kanë përmbushur apo jo përgjegjësinë. U bënë të paktën pesë palë zgjedhje, që nisur nga konkluzionet e ODHIR-it, Edi Rama shkatërron apo bllokon këtë mekanizëm dhe pasojat besojmë që i shohim dhe i ndiejmë të gjithë.

Në xhepa, në tavolina, në shtëpitë e shqiptarëve, në zbrazjen e Shqipërisë, në shkatërrimin e mirëqenies të rendit, të sigurisë, në kolapsin e arsimit dhe të shëndetësisë, në çdo fushë tjetër të jetës.

Gazetarja: Një pyetje tjetër. Në fakt ju e cekët edhe më parë, që edhe në zgjedhjet e 2017-ës ju keni mbajtur të njëjtin qëndrim përsa i përket raportit të OSBE ODHIR, ku keni thënë, që në fakt raporti vërtetoi që zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme. Pse shqiptarët duhet të besojnë se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jemi këtu për të komentuar serish në të njëjtën formë raportin?

Lulzim Basha: Kjo është përsëritje e një pyetje që bëri dhe kolegu juaj, ndërsa unë për të qenë më konciz në përgjigje po ju them dhe një herë, nuk bëhet fjalë as për mua, as për Partinë Demokratike, bëhet fjalë për fatin e çdo shqiptari. Ndaj ftesa dhe thirrja që kam drejtuar prej ditës së parë pas masakrës së 25 prillit e deri më sot, herë të tretë e të katërt në këtë bashkëbisedim me ju është ndaj çdo shqiptari që i dhimbset vetja, fëmijët, familja, e ardhmja e tyre, vendi, që të bashkohemi në një betejë që i kalon kufijtë e interesave politikë, që nuk bëhet për interesa politike por bëhet për interesa më themelore që mund të ketë një qenie njerëzore, dinjitetin e vet personal për të jetuar I sigurt, i qetë dhe në bazë të punës së ndershme në shtëpinë e vet, në komunitetin e vet, ne vendin e vet.

Ermal Qori: Zoti Basha, referuar konstatimit tuaj për shitblerjen e votës por sigurisht edhe konstatimeve të tjera që ju I cilësuat të rënda. A nuk është kjo një përgjegjësi e opozitës referuar edhe të gjithë konstatimeve të rënda që cilësuat ju në raportin e OSCE-së, duket sikur po ja bëni më të lehtë rrugën mazhorancës?

Lulzim Basha: vetëm në qoftë se ma sqaroni ju se si sepse fakti është që për vite me radhë Partia Demokratike ka sakrifikuar interesa, le të themi, politike të mirëfillta apo interesa elektorale të mirëfillta. Ne s’kemi bërë kurrë pakt me krimin, pakica përballë nesh po. Ne nuk i kemi veshur kurrë një kostum kriminelit për ta çuar në parlament apo në bashki, nuk kemi reshtur betejën tonë për të mbrojtur interesin publik, pronën publike, paranë publike, të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve, sipërmarrjen e lirë, të drejtat shoqërore dhe ekonomike të studentëve, të nxënësve, të prindërve, të fermerëve, të sipërmarrësve, të të përndjekurve, të pronarëve, të gazetarëve. Opozita ka qenë dhe është në detyrën e saj. Partia Demokratike ka qenë dhe është në detyrën e saj, partia demokratike ka qenë dhe është në detyrën e saj, do të jetë në detyrën e saj derisa bashkë me shumicën e shqiptarëve do të do ta kthejmë, për të parafrazuar një nga drejtuesit e komisionit europian, në shinat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo është një detyrë jo e lehtë, kjo është një detyrë që nuk I takon vetëm partisë demokratike. Ne na takon sigurisht barra dhe përgjegjësia për ta drejtuar këtë betejë dhe për të mundësuar që gjithё të tjerët që duan të jenë pjesë e kësaj beteje, jo vetëm të kenë vendin e tyre, por të kenë edhe sigurinë, se me partinë demokratike do të jenë në rrugën e duhur për ta çuar Vendin drejtë standardeve europiane. Ky po, është misioni jonë, është misioni është misioni I partisë demokratike, natyrisht dhe i imi si kryetar i saj.

Gazetari: Beteja juaj do të fokusohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme pas 4 vitesh apo do të përdorni çdo instrument për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme

Lulzim Basha: Është evidente se gjendja në vend sa vjen dhe përkeqësohet, në vend që të stabilizohet ose përmirësohet. Është evidente në Shqipëri si kudo tjetër që formula stabilokracisë pa demokraci jo vetëm që nuk funksionon, por shkatërron me themele bashkëjetesën. Këtë e shohim në vuajtjet e përditshme të njerëzve, këtë e shohim në largimin masiv të rinisë, në plagët që hapen e zmadhohen në çdo familje, në depresionin psikologjik që shoqëron varfërimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve. Kështu që të thuash që para kësaj partia demokratike do të qëndrojë duarkryq, duke pritur rrodhen, mendoj që është jorealiste dhe nuk është ajo që presin shqiptarët. Ne nuk kemi qëndruar për asnjë çaste duarkryq, madje jemi akuzuar për padurim dhe në fakt të paduruar kemi qenë dhe të paduruar mbetemi, por jo për veten tonë, të paduruar për ti dhënë fund padrejtësive.

Exit mobile version