Kryetari i PD, Basha deklaroi mbrëmë se çadra e qëndresës së shqiptarëve do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira. Basha konfirmoi edhe një herë se zgjedhjet e lira do të jenë të vetmet zgjedhje që do të mbahen në Shqipëri. “Mbrëmja e 84 e qëndresës tuaj. Mbrëmja e 84 e kësaj lëvizjeje të jashtëzakonshme qytetare, popullore, historike dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është mbrëmja ku shqiptarët anembanë vendit, këtu në kryeqytet, në Tiranë, në jug e në veri, bëhen gati për ditën e nesërme, për ditën e madhe, ditën e parë të Republikës së re që është edhe e para Republikë e shtetit shqiptar që nuk do t’i përkasë politikanëve, por qytetarëve të Shqipërisë. Ky monument, ky tempull i lirisë, ky monument i qëndresës, i cili nesër do të presë bashkimin më të madh të shqiptarëve në histori, e kanë merak kundërshtarët tanë; nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë deri në institucionalizimin e plotë të Republikës së re, deri në fitoren totale pa kompromis të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që do të jenë të vetmet zgjedhje që do të mbahen në Shqipëri. Themeli i bashkëjetesës demokratike, themeli i vlerave të lirisë dhe demokracisë, themeli i identitetit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve, themeli i vlerave europiane, demokracia. Ky koncept sa i lashtë dhe fisnik, aq dhe i kërcënuar, i cili ka gjithmonë nevojë për luftën e drejtë të njerëzve të drejtë dhe mbështetjen e njerëzve fisnikë të drejtë të lirisë dhe demokracisë anembanë Europës, njëri prej të cilëve ndodhet në këtë vigjilje të Republikës së re këtu në çadrën e lirisë bashkë me ju. Ai është njësoj si gjithsecili prej nesh këtu, një luftëtar i paepur i lirisë. Ai është përfaqësues i popullit të lirisë në Italinë mike”, tha kreu i PD, Basha. Nga ana tjetër Basha shprehu mirënjojen për mbështetjen e senatorit italian, Lucio Malan që ishte dje në sheshin e lirisë, ndërsa shprehu bindjen se protesta e sotme do të jetë protesta më e madhe në historinë e vendit. “Mesazhet e miqve të Shqipërisë, mesazhet e miqve të vërtetë të Shqipërisë kanë qenë e do të jenë gjithmonë mesazhet e mbështetjes për betejën tonë për liri, për betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për betejën tonë kundër krimit dhe drogës, për betejën tonë të përbashkët pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Më lejoni që në emrin tim, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në emër të të gjithë partive opozitare, në emrin tuaj dhe të qindra, mijëra qytetarëve të lirë shqiptarë, t’i shpreh mirënjohjen tonë të thellë mikut tonë të çmuar, mikut të çmuar të çdo shqiptari e shqiptareje të lirë, senatorit Lucio Malan, Senatit italian, partisë sonë simotër bashkanëtare në PPE, Forza Italia-s dhe kryetarit të saj legjendar Silvio Berluskonit. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe iu garantojmë se beteja që kemi nisur nga ky shesh, në të cilën për 84 ditë qytetarët janë bashkuar e kanë qëndruar fort, kundër arrogancës, kundër padrejtësisë, kundër krimit dhe drogës, kundër abuzimit, kërcënimeve dhe presioneve, kanë qëndruar së bashku me kulturë dhe vetëdije të lartë patriotike, qytetare dhe europiane. E tillë ka lindur kjo lëvizje, e tillë do të vërshojë nesër, bashkimi më i madh i shqiptarëve në histori, sepse i tillë është shpirti i shqiptarëve europianë, e tillë është Republika e re europiane që do të lindë nesër”.