Kryetari i PD, Basha garantoi dje se opozita do t’ia dalë përmes aksionit të saj politik të këpusë lidhjet e krimit me politikën dhe qeverisjen për të risjellë edhe njëherë lirinë e votës për qytetarët. Deklaratën, Basha e bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ku u diskutua në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve në Dibër si dhe të ardhmen e zgjedhjeve në vend.
Kreu i PD deklaroi se aleanca e politikës me krimin, bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Ndaj dhe ai paralajmëroi një aksion të fuqishëm politik dhe vendim të përbashkët me qytetarët për të mposhtur krimin.
Gjatë mbledhjes pati një unifikim qëndrimi për krimin elektoral në Dibër dhe kartelin e drogës ndërsa deputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet e vitit 2017. Basha shprehu bindjen se “hapat e mëtejshëm që ne do të hedhim, aksioni politik që do të diskutojmë e do të vendosim bashkë me qytetarët, me aleatët tanë politikë dhe me aleatët tanë të natyrshëm, që në këtë gjendje janë të gjithë forcat shoqërore, të gjithë qytetarët e ndershëm në këtë vend, ne do t’ia dalim t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër”. Kreu i PD theksoi se zgjedhjet në Dibër dëshmuan se si bashkëpunimi i kartelit të drogës me Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira. “Ishte një mbledhje dhe diskutim shumë i dobishëm i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike që në qendër pati natyrisht ngjarjen kryesore politike në vend, zgjedhjet në Dibër dhe domethënien e zgjedhjeve në Dibër, për të ardhmen e zgjedhjeve, të votës, të demokracisë në Shqipëri.
Konkluzioni i qartë i grupit parlamentar në këtë diskutim, në raport me atë çfarë duhet të bëjmë e çfarë do të bëjmë nesër, është ajo që tashmë e di çdo qytetar dibran e shqiptar. Se aleanca e politikës me krimin dhe në veçanti bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Dhe ky është një problem ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht dhe vetëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike” u shpreh Basha. Kreu i PD bëri të ditur se grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për “Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që lidhin krimin me politikën. Në veçanti kartelin e drogës, e cila ka mbuluar Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të paprecedentë për sa i përket kultivimit të drogës”.