Kryetari i PD, Basha gjatë një interviste me gazetarin Lutfi Dervishi në TVSH u shpreh se, duhet ndryshim radikal i kursit nga qeveria për të mbështetur sakrificën e qytearëve.
Me 1 prill, nesër, shumica e familjeve të cilat janë paralizuar ekonomikisht për shkak të këtyre masave nuk do të kenë të ardhura dhe ky është shqetësimi, brenga ime kryesore sot. Si do të mundemi t’i furnizojmë këto familje me mjaftueshëm likuiditet, para, financa për të siguruar ushqimin e tyre, për të siguruar përditshmërinë e tyre? Dhe kjo është diçka që duhet ta lërë pa gjumë qeverinë.
Ndaj insistoj në rradhë të parë të kemi një paketë realiste mbështetëse, sepse është e pakuptueshme që ne të kemi një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova! Si mund të kemi ne një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova, kur ata e kanë buxhetin sa gjysma jonë?!
A ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë përveçse ngadalësisë, paaftësisë apo prioriteteve të gabuara? Sepse nga ana tjetër janë harxhuar 52 milion euro këto tre javë me shpenzime totalisht të panevojshme. Ka vend jo për përmirësim, por për një ndryshim radikal të kursit nga ana e qeverisë për të mbështetur sakrificën e qytetarëve.