Basha intervistë për mediat italiane: Shqipëria jo parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave

Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘Il fatto quotidiano’, kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.
‘Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s’, u shpreh lideri i opozitës.

Basha iu referua raporteve të 3 viteve të fundit të Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore.
Pyetjes se çfarë kërkon opozita ekzaktësisht, Basha i përgjigjet: ‘Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë.
Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.’

Intervista e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha
Në 3 vitet e fundit, vendi ka qenë furnizuesi kryesor i marijuanës në Evropë. Paratë e nxjerra u përdorën edhe në politikë’

Nga Giancarlo Padovan

Pyetje: Presidenti Basha, ju jeni kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës që, prej më shumë se një muaji e gjysmë, po nxjerr në shesh në Tiranë mijëra njerëz kundër qeverisë Rama. Deri më tani kanë qenë 5 protesta, e fundit të shtunën e kaluar, ‘njëra nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë e sigurisht më e madhja në këto 6 javë’ sipas jush. Pse edhe këtë herë policia përdori gazin lotsjellës?

Basha: Forcat e rendit e përdorën në mënyrë të rrezikshme dhe krejt të pajustifikueshme. Gazi lotsjellës u përdor qysh në fillim prej policisë dhe jo si alternativa e fundit e mundshme. Ekzistojnë pamje që tregojnë sesi gazi lotsjellës është përdorur në mënyrë të qëllimshme nga forcat policore për të dëmtuar protestuesit. Synimi është i qartë, nuk duan që njerëzit, veçanërisht gratë dhe familjarë me fëmijë, të marrin pjesë në protesta.

Pyetje: Nuk besoni se të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj?

Basha: Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pisëta.

Pyetje: Kush e thotë?

Basha: Në 3 vitet e fundit, sipas Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore. Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.

Pyetje: Çfarë kërkoni ekzaktësisht?

Basha: Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.

Pyetje: Gjithsesi, Edi Rama, në një intervistë për ‘Fatto’-n ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka një revoltë të popullit, por revoltë të një opozite e cila, ‘u dërgua në shtëpi, pasi shkatërroi ekonominë dhe zhyti vendin në kënetën e pandëshkueshmërisë’.

Basha: Këto janë deklarata propagandistike, tipike të liderëve autokratë, të cilët mendojnë se po flasin në emër të popullit dhe që çdo kritikë e klasifikojnë si një tentativë për t’u kthyer prapa, në të shkuarën. Në fakt, kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi. Vetëm gjatë viteve të kësaj qeverisjeje, thuajse 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në njërin nga vendet anëtare të BE-së. Para ardhjes së Ramës në pushtet, ky numër ishte më pak se 50 mijë dhe fenomeni i azilkërkimit thuajse po zhdukej.

Pyetje: Nëse do të votohej nesër, cilat janë gjasat që partia juaj të fitonte?

Basha: Kjo e jona nuk është një betejë për pushtet. Po luftojmë që të ketë drejtësi dhe një qeveri për qytetarët. Në këtë betejë besojmë se kemi edhe mbështetjen e shumicës dhe sondazhet e konfirmojnë këtë.

auto Screenshot 31553348021

Exit mobile version