Ndërkohë që ditë pas dite po dalin përgjime të prokurorisë nga të cilat po vërtetohet se si janë manipuluar dëshmitarë që kërkojnë të hedhin poshtë përgjimin e Albert Veliut (Babale), një zhvillim interesant ka ndodhur me këtë të fundit në Hungari, ku po aplikon për azil politik.
Burime për ReportTv nga Interpol, thanë se nuk është pranuar kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin nga Hungaria të Albert Veliut, njohur si ‘Babale’.
Albert Veliu u arratis në Kosovë ku kërkoi azil e më pas në Hungari. Prej 10 ditësh është liruar nga autoritet e Hungarisë. Në Tiranë Veliu njohur si ‘Babalja’ është marrë i pandehur sëbashku me ish-deputetin e PD-së Ervin Salianjin dhe Fredi Alizotin, kunarin e Veliut. Javën e ardhshme pritet të bëhet seanca paraprake në Gjykatën e Tiranës.
Hetimet për audiopërgjimin ku përfshihej Agron Xhafaj, vëllai ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ‘Babale’ pretendonte se kish folur për trafik droge u nisën nga Krimet e Rënda. Pas ekspertizës britanike ku përgjimi rezultoi i modifikuar u kalua tek Prokuroria e Tiranës.
Rama me Babalen në gojë edhe në kongresin e tij
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Kongresi i PS-së se shumë shpejt do të ketë një ashpërsim të dënimeve ndaj atyre që guxojnë të dhunojnë ata që janë në krye të një detyre.
Reagimi i Ramës duket se ka lidhje me bojën që iu hodh atij në sallën e Kuvendit nga nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, apo bojën e kuqe që një i ri hodhi në fytyrën e deputetit Ralf Gjoni, pasi ky i fundit pranoi mandatin e ligjvënësit të LSI-së.
Kryeministri u shfaq jo shumë i qetë para mbështetësve të tij, duke mos kursyer as mediat në akuzat e tij.
“Hapni televizorin dhe shikoni se çfarë japin. Vjen telenovela Babale-Alizoti, pastaj na del Niçja, pastaj na del djegia e mandateve, dhe në fund na dalin derrat e shtrirë atje që na japin mendime, që shfaqin opinione, që flasin nëse Ilir Meta do të vrasë ose jo veten, se këta janë Kadrinj por është edhe më keq, se ka 100 Kadrinj. Këto janë kafazët e pëllumbave të tyre, kafazë me emrin Kadri. Këta janë ato që ju rokalisin kokën nga mëngjesi deri në darkë”, tha Rama.
Më pas ai i ka drejtuar një thirrje të pranishmëve që të shpërndajnë lajmet e mira përmes telefonëve të tyre.
“Kadrinjtë janë një tufë zuzarësh që nxijnë Shqipërinë, po 6 milionë turistët kush i solli në Shqipëri, apo ishin të droguar?”, tha Rama.