Basha: Investitorët po largohen

Kryetari i PD, Basha dënoi ashpër dje arrogancën e Ramës ndaj investitorëve të huaj ndërsa shprehu shqetësimin për largimin masiv të tyre nga Shqipëria. Basha reagoi dje pas shfaqjes skandaloze të Ramës në takimin e organizuar me investitorët e huaj.
“Ndonëse i konceptuar si shfaqja propagandistike e radhës, takimi i sotëm i Edi Ramës me biznesin u kthye në një bumerang aktakuzash publike, live dhe sy për sy, çka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit dhe sa e pashpresë mundësia e tyre për të hapur vende të reja pune nën qeverisjen e Ramës.
Shqipëria është fshirë nga harta e investitorëve të huaj për shkak të pasigurisë alla shullazi, për shkak të klimës së keqe të biznesit me taksa që rriten e gjoba pas gjobash që po i marrin shpirtin sipërmarrjes së madhe, të mesme e të vogël. Paratë e taksave të rritura që duhet të shkonin për investime që hapin vende pune përfundojnë në xhepat e qeveritarëve.  Përgjegjësi për këtë situatë është Edi Rama. Atij ia thanë në sy sot, se si rezultat i taksave të larta vetëm një biznes në Vlorë është detyruar të largojë 80 persona nga puna, 80 familje që ju mungon një pagë, ndoshta e vetmja në shtëpi. 200 personave të tjerë ju pamundësua punësimi në një rast tjetër në Berat për shkak të politikës së ryshfetit, pa të cilin nuk mund të ecet në pushtetin e Edi Ramës. Futja e duarve në xhepat e biznesit nga qeveritarët ishte denoncimi i tyre. Asnjë investitor nuk është i lumtur, të gjithë po mendojnë largimin” tha Basha.
Ai theksoi se i penduar që ky takim ishte direkt, Rama iu hakërrye me radhë biznesit, FMN, Dhomës Amerikane të Tregtisë. Shpërthimi i Ramës, tha Basha, e kishte edhe një arsye të fortë. Ai tha se besimi i madh dhe shpresa e biznesit tek programi ekonomik dhe taksat e ulëta të Partisë Demokratike ia ka prishur terezinë. “Taksa e sheshtë 9%, TVSH 15% taksa të ulëta për biznesin dhe qytetarët do të thotë më shumë konsum, më shumë investime, do të thotë vende pune, paga më të larta, më shumë investime publike që punësojnë dhe zhvillojnë vendin. Ekonomia nuk zhvillohet me propagandë dhe as buxheti nuk mbushet me gjoba abuzive që po i marrin shpirtin biznesit. Ekonomia kërkon program, vizion dhe vendosmëri, kërkon një qeveri që mbi të gjitha të jetë në krah dhe jo në përplasje me biznesin dhe investitorët. Dhe ne do t’ja japim vendit një qeveri të tillë që do të punojë për një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar. ‎Shqipëria‬ më mirë pa Edi Ramën” u shpreh Basha.

Exit mobile version