Kryeopozitari Lulzim Basha nuk i ndal akuzat për kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Edi Rama. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Basha ndalet tek rasti i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që iu mohua viza nga SHBA.
“Afera e 6 kullave 200 milionë euro e treshes Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës është obsesioni dhe makthi i hajdutit psiqik që akoma nuk ka belbëzuar asnjë fjalë për ortakun dhe bankomatin e tij personal Vangjush Dako”, shkruan Basha, ndërsa poston edhe një video.
“Edi Rama hesht që SHBA e shpalli Dakon të korruptuar. Rama sulmoi VOA që të mbronte vjedhjen e zgjedhjeve nga Vangjush Dako një kryebashiak i korruptuar. Dako dhe krimi i organizuar janë një. Duke blerë pushtetin për Ramën, ata shtojnë pasurinë për vete.
Edi Rama dhe Vangjush Dako janë një. Duke mbrojtur Dakon, Rama mbron pushtetin dhe pasurinë e vet të paligjshme. Pa ndëshkimin e Dakove, që vodhën zgjedhjet, nuk do të ketë demokraci dhe drejtësi”, thuhet në videon e postuar nga lideri i PD-së.