Basha nga Vora: Nuk e dorëzojmë lirinë. Tirania është në gjunjë. Populli është në këmbë

Kryetari i opozitës Basha deklaroi nga Vora se opozita është e vendosur për të mos dorëzuar lirinë duke lejuar zgjedhje pa opozitën ndërsa u shpreh se “tirania është në gjunjë, ndërsa populli është në këmbë. Ftesa ime është: Të shtunën të gjithë në Tiranë me një mesazh patriotik dhe evropian: Të ndalim me çdo çmim, me çdo sakrificë, me të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike, rënien e demokracisë. Nuk e dorëzojmë demokracinë, nuk e dorëzojmë lirinë. Tirania është në gjunjë. Populli është në këmbë.Të gjithë bashkë me 25 maj në një betejë për jetë a vdekje, për liri, për demokraci. Për Shqipërinë si gjithë Evropa”, tha Basha.

Pikat kryesore të fjalës së Bashës

Vora, njësoj si Berati, si Durrësi dhe Shqëipëria është në këmbë me mesazhin e qartë: asnjë hap pas në betejën tonë për liri, për demokraci, për Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Jemi së bashku jo për pushtetin dhe karrigen e Lulzim Bashës. Beteja është për t’i dhënë fund grabitjes së njerëzve të thjeshtë, për të mos lejuar asgjesimin e demokracisë në 30 qershor.

Ne jemi të vendosur: nuk do të lejojmë më zgjedhje me krimin e hajdutët. Vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore, që të garantojë zgjedhjetë parakohshme.

Sot Shqipëria është në udhëkryqin më të rrezikshëm në këto 29 vite, pa gjykata, pa prokurori të ligjshme. Nuk ka asnjë institucion për të kontrolluar pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës.

Ne nuk do të lejojmë që, me pushtetin e marrë me forcën dhe paratë e krimit e të oligarkëve, të asgjesojë demokracinë më 30 Qershor.Në këtë betejë jemi më të bashkuar se kurrë dhe nuk ndahemi nga flamujt e partive.

Edi Rama nuk ka asnjë shans t’i detyrojë shqiptarët të pranojnë një tjetër krim elektoral. 5 kandidatë nga listat e tij janë të pandehur direkt të dosjeve hetimore për shitblerjen e votave.

Valbona Sako, Agron Malaj, Dionis Imeraj, Pjerin Ndreu duhet të ishin të dënuar për shitblerjen e votës me krimin në zgjedhjet e Dibrës, Elton Arbana i Shijakut, për shitblerjen e votave me Avdylajt.

Na duhet dhe do të kemi një dialog kombëtar me shqiptarët për të vendosur jo vetëm largimin e Ramës, sepse ai është parakusht i panegociueshëm për hapjen e dialogut politik.

Përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar shqiptarët të keni mundësi, përmes votes, të vendosin nga sistemi zgjedhor, komptencat e presidentit e deri tek Referendume popullore kombëtare dhe lokale.

Ne nuk e njohim procesin kriminal që po bëhet në Akademinë e Shkencave, që është treguesi më i qartë i një regjimi injorant, brutal dhe kriminal që do të ekzekutojë elitën e shpirtit dhe të mendjes.

Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një rrugë: largimi një orë e më parë i Edi Ramës. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët do të kenë fatin e tyre në duart e tyre.

Kurrë nuk kemi kërkuar dhe nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kurrë nuk do të pranojmë pushtet në tavolinë. Edi Rama është ai që, për pushtetin kriminal, do që më 30 Qershor, të sakrifikojë gjithçka që ju keni.

Ftesa ime është: Të shtunën të gjithë në Tiranë me një mesazh patriotik dhe evropian: Të ndalim me çdo çmim, me çdo sakrificë, me të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike, rënien e demokracisë.

Nuk e dorëzojmë demokracinë, nuk e dorëzojmë lirinë. Tirania është në gjunjë. Populli është në këmbë.Të gjithë bashkë me 25 maj në një betejë për jetë a vdekje, për liri, për demokraci. Për Shqipërinë si gjithë Evropa!

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË VORË

Më lejoni ta nis me një falenderim të përzemërt për pritjen e jashtëzakonshme, në dalje të Bashkisë së Tiranës dhe në hyrje të Bashkisë së Vorës nga rinia e Vorës, për stafetën e shpresës, që po përcillet nga qyteti në qytet. E patë dje vërshimin e shpresës në Durrës. I paprecedentë, historik, vendimtar. E patë para dy ditësh Beratin, qytetarët e të cilit, të mbushur me shpresë dhe kurajo, dhanë mesazhin e prerë dhe të qartë se Berati, si e gjithë Shqipëria, është në këmbë. Asnjë hap pas në betejën tonë për liri, për demokraci, për Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Dhe sot, nga ky shesh i Vorës, në fakt takimin, zoti Kryetar i Bashkisë e kishim planifikuar në një nga sallat e bashkisë suaj, por me të drejtë më thatë “nuk ka sallë që e zë bashkimin e qytetarëve të Vorës”, ja ku janë, nëna dhe baballarë, të rinj dhe të reja, të gjithë së bashku për një qëllim, në një betejë pa kthim, jo për pushtetin dhe karrigen e Lulzim Bashës, as të kryetarit të bashkisë, të asnjërit prej nesh.

Kjo betejë nuk bëhet për pushtet, nuk është një betejë për parti, kjo betejë bëhet për njerëzit e këtij vendi, bëhet për ju vëllezër dhe motra, bëhet për qytetarët e thjeshtë.

Në këtë betejë ne kemi sakrifikuar mandatet tona, për t’ju shërbyer ju dhe për t’ju çliruar ju nga zgjedha e krimit, nga oligarkia që ka kapur për fyti ekonominë, nga qeveria e Edi Ramës e bërë njësh me bandat, që ju vjedh, ju dhunon, ju burgos, ju përqesh, ju mashtron, ju shpunëson e ju detyron të merrni rrugët e kurbetit. Ndërkohë që ka rrënuar shëndetësinë, arsimin, shërbimet sociale dhe ju ka varur mbi qafë taksat më të larta, çmimet më të larta të energjisë dhe të naftës, kamatat dhe lloj lloj pagesash të tjera, duke e çuar deri në palcë thikën e varfërisë.Dhe tani bëhet gati që, për hir të pushtetit të tij, për hir të paktit të tij me krimin, të asgjësojë demokracinë me atë që ka përgatitur për 30 qershorin.

Ne jemi këtu të vendosur dhe me një mesazh: nuk do të lejojmë më zgjedhje me krimin, nuk do të ketë më zgjedhje me hajdutët, vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore, e cila do të garantojë që, në zgjedhjet parlamentare të parakohshme dhe në zgjedhjet vendore, deputetët që do të dalin nga këto zgjedhje, kryebashkiakët që do të dalin nga këto zgjedhje, të mos jenë peng i trafikantëve, të mos jenë peng i oligarkëve, të mos jenë peng i kriminelëve, por të jenë peng i qytetarëve të Vorës, i qytetarëve i të gjithë Shqipërisë, i burrave dhe grave të ndershëm të këtij vendi.

Vëllezër dhe motra!

Kjo është beteja jonë dhe në këtë betejë shqiptarët janë të bashkuar si kurrë më parë.

Nga njëra anë, një pakicë absolute, nën panikun e vërshimit popullor, që ka mbushur sheshet dhe rrugët e Shqipërisë dhe që do të derdhet me 25 maj në përmasat më të mëdha të shpresës e të besimit tek e nesërmja. Një pakicë, e cila për 6 vite e gjysëm me radhë, vetëm ju ka vjedhur, ju ka grabitur, ju ka shkatërruar pronat dhe shtëpitë qytetarëve, ka dhunuar fëmijë të vegjël, ka përdorur gazin helmues kundër popullit të vet, si pushtues në luftë, ka lënë të dergjen në qeli nëna e baballarë, që nuk paguanin dot faturat e dritave apo që kishin ndërtuar shtesa pa leje, ndërkohë që trafikantët, kriminelët, ata që vjedhin 30 milionë euro me një dorë, si tek Unaza e Re, jo vetëm që nuk ndëshkohen, por mbrohen dhe promovohen.

Sot Shqipëria është në udhëkryqin më të rrezikshëm në këto 29 vite.

Dje, edhe zyrtarisht Gjykata e Lartë përfundoi së funksionuari. Me vetëm 2 anëtarë të mbetur nuk merr dot as masat emergjente për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Ka dy vjet që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.
Ka një vit e gjysëm që është pa prokuror të ligjshëm dhe kushtetues.

Nuk ka asnjë institucion për të kontrolluar pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës, pushtet që nuk ia ka dhënë kushtetuta, pushtet që nuk ia kanë dhënë qytetarët, pushtet që e ka marrë me forcën e krimit, me paratë e krimit. Me krimin erdhi në pushtet, për krimin qeveris, nga krimi buron pushteti dhe me krimin dhe oligarkët mendon se do të asgjësojë demokracinë me 30 qershor.

Le ta marrë përgjigjen edhe sot nga Vora, si dje nga Durrësi dhe nga Berati, se ne nuk do ta lejojmë këtë. Rama ik.

Koha nuk pret. Në ditët e ardhshme do të vendoset fati i Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshme. Do të kemi një Shqipëri despotat të krimit, një Shqipëri ku ligji dhe kushtetuta nuk kanë vlerë, ku të pambrojturit, të vobektët, të pamundurit, jo vetëm nuk mbrohen, por ndëshkohen në mënyrë të paligjshme dhe ku kriminelët dhe hajdutët grumbullojnë të gjithë pushtetin, të gjithë fuqinë ekonomike dhe grabisin të gjithë pasuritë e shqiptarëve? Kjo është beteja që duhet të zgjidhim e do të zgjidhim së bashku.

Në këtë betejë ne nuk ndahemi nga flamujt e partive.

Padyshim që kësaj beteje i prijnë demokratët shqiptarë, i prin opozita shqiptare, bashkë me aleatët tanë, bashkë me qytetarët e bashkuar.

Por kjo betejë bëhet për të gjithë.

Bëhet për të çliruar edhe socialistët e ndershëm nga kapja totale e partisë së tyre prej krimit dhe kriminelëve.
Bëhet për të çliruar Shqipërinë nga një qeveri e bërë njësh me krimin.
Bëhet për të çliruar ekonominë nga oligarkia grabitqare.
Bëhet për vlerat e mëdha evropiane të barazisë para ligjit, të drejtësisë me një, e jo me dy e me tre standard.
Bëhet për të çliruar ekonominë dhe për t’i dhënë mundësi e shanse çdo shqiptari, çdo njeriu, çdo nëne dhe babai, çdo të riu e të reje, që të ketë mundësitë të jetojë me dinjtet e me punë të ndershme, me talent dhe jo me vjedhje, hajdutëri, servilizëm apo të detyrohet të largohet, kur nuk i bindet klikës kriminale në pushtet.

Kjo është beteja. Prandaj, kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar, kurrë nuk kemi qenë më të vendosur për ta çuar betejën tonë deri në fund.

Vëllezër e motra!

Këto 3 muaj e kanë transformuar tërësisht Shqipërinë, pikërisht prej kurajos tuaj dhe të qindra, mijëra të tjerëve, që sfiduan frikën, instrumentin e vetëm të sundimit të Edi Ramës, sfiduan propagandën përçarëse, sfiduan mashtrimin, sfiduan dhunën, sfiduan gazin lotsjellës dhe u ngritën me kurajo. Prej kurajos së gjithësecilit prej jush, ka lindur një shpresë që e ka mbështjellë si lavdia e Zotit me bekim të gjithë Shqipërinë dhe i ka bashkuar të gjithë shqiptarët në këtë betejë.Ndaj sot, jemi më afër se kurrë fitores së betejës tonë për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, me votë të lirë e të ndershme, për një Shqipëri të vlerave evropiane.

Edi Rama nuk ka asnjë shans t’i detyrojë shqiptarët të pranojnë një tjetër krim elektoral.

Shikoni se çka bërë: 5 kandidatë të njohur publikisht nga listat e tyre janë të pandehur të drejtpërdrejtë të dosjeve hetimore për shitblerjen e votave.

Valbona Sako, e dyshuar dhe duhet të ishte e pandehur për vjedhjen e votave me Ymer Lalën në Dibër, njësoj si Agron Malaj, njësoj si Dionis Imeraj, njësoj si Pjerin Ndreu. 4 kandidatë që, në fakt, duhet të ishin të pandehur dhe, po të kishim drejtësi funksionale dhe të pavarur, duhet të ishin të dënuar për shitblerjen e votës me krimin në zgjedhjet e Dibrës.

Kemi edhe kandidatin e Shijakut, i cili sot duhet të ishte para drejtësisë si një nga njerëzit pjesëmarrës me bandën e Avdylajve, në shitblerjen masive të votave në Durrës.

Në vend që këta njerëz të jenë para drejtësisë, Edi Rama do të diktojë përsëri zgjedhje me krimin. Do të diktojë përsëri Artur Bushin e krimit në Krujë e Tërmet Peçin e drogës në Tepelenë, e me dhjetëra të tillë anembanë vendit.
A mund ta lejojnë shqiptarët këtë?
Qytetarët: Jooooo
A mund ta pranojë Vora këtë? A mund ta pranojë rinia këtë? A mund ta pranojë Shqipëria këtë?
Qytetarët: Jooo
Dhe nuk do ta pranojmë.

Ndaj dhe bashkimi ynë do të garantojë, që kurrë më shqiptarët të mos detyrohen të votojnë si në monizëm, një trafikant, apo një vrasës, apo një ushtar të tyre, apo të zgjedhë midis një trafikanti dhe një tjetër anëtari të bandave kriminale.
Ne po luftojmë që Shqipëria dhe shqiptarët, njëherë e mirë t’i kenë të garantuara me ligj dhe Kushtetutë atë që Kushtetuta e thotë në preambul: Zot në këtë vend janë qytetarët dhe jo kriminelët. Zot në këtë vend janë qytetarët dhe jo hajdutët.

Ndaj na duhet dhe do të kemi një dialog kombëtar me gjithë shqiptarët për të vendosur sëbashku, jo thjesht largimin e Edi Ramës, sepse largimi i Edi Ramës është parakusht i panegociushëm për hapjen e dialogut politik, por, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, që ju të keni mundësi, përmes votës tuaj të vendosni për:
Një sistem elektoral që ju përfaqëson ju, qoftë ky një maxhoritar me 100 deputetë të zgjedhur drejtëpërdrejtë nga ju dhe që t’ju përfaqësojnë ju dhe një Senat që garanton balancimin e pushteteve, transparencën e legjislacionit.
Një president me kompetenca të plota, që nuk e le Republikën të kthehet në Republikë krimi dhe bananesh. Pse jo një president të zgjedhur nga populli.
Kufizimin e termave të të gjithë atyre që marrin pushtet nga vota e popullit.
Gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, që nuk i mbrojnë por i ndëshkojnë kriminelët dhe politikanët e lidhur me ta.
Referendume popullore, kombëtare dhe lokale për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën tuaj, shëndetin tuaj, sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj.
Reformë të thellë të partive politike për të mos lejuar më kurrë, që asnjë parti politike të mos mbetet peng i krimit, parave të pista të krimit dhe një grushti oligarkësh që janë shkaktarët e mjerimit të thellë ekonomik dhe social, sepse janë ulur si të babëzitur në sofrën e Edi Ramës, ku copëtohet, ndahet, grabitet, vidhet ditë për ditë Shqipëria dhe shqiptarët, shtëpitë tuaja, taksat tuaja, e ardhmja e fëmijëve tuaj.

Partia Demokratike i ka zgjidhjet.

Ne jemi të vendosur t’u kthejmë fermerëve shqiptarë dinjitetin për të jetuar me punën e tyre të ndershme:
Me programin tonë të subvencioneve 100 milionë euro mbështetje direkte për çdo fermer në bazë të prodhimit.
Me uljen që ditën e parë të çmimit të karburantit me 300 lek, duke hequr taksën Rama për karburantin.
Me uljen e çmimit të energjisë dhe faljen e kamatave, që u janë varur si kular në qafë shqiptarëve për t’i varfëruar dhe për t’u ulur kokën.

Ne do të bëjmë realitet anulimin e çdo koncensioni dhe kontrate korruptive.

Qindra milionë euro, që sot i marrin një grusht njerëzish dhe i harxhojnë për dasma dhe ditëlindje miliona euroshe nëpër Europë, do t’i paguajnë një më njëmbrapsht. Këto para do t’i kthejmë në pensione minimale 250 mijë lek në muaj, në krye të katër viteve tona.
Ne do të bëjmë të mundur, që ansjë bir dhe bijë shqiptari të mos mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike.
Me planin tonë për arsimin e lartë ne do t’i japim fund grushtit kriminal kundër shkencës dhe artit.

Ne nuk e njohim procesin kriminal që po bëhet në Akademinë e Shkencave, që është treguesi më i qartë i një regjimi injorant, brutal dhe kriminal që do të ekzekutojë elitën e shpirtit dhe të mendjes.

Ne nuk do të njohim asnjë akt të këtij parlamenti monist.

Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një rrugë: largimi një orë e më parë i Edi Ramës. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, ku qytetarët do të kenë fatin e tyre në duart e tyre.

Kurrë nuk kemi kërkuar dhe nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kurrë nuk do të pranojmë pushtet në tavolinë. Kjo betejë nuk bëhet për pushtetin tonë. Atë që kishim në dorë, ne e dorëzuam.

Edi Rama është ai që, për pushtetin kriminal, do të sakrifikojë gjithçka që ju keni.

Gjithçka që ju ka mbetur kërkon ta sakrifikojë dhe ta marrë me pahir me 30 qershor.Ftesa ime është: Të shtunën të gjithë bashkë në Tiranë me një mesazh kombëtar, patriotik dhe shqiptar dhe evropian: Të ndalim me çdo çmim, me çdo sakrificë, me të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike, rënien e demokracisë.

Nuk e dorëzojmë demokracinë, nuk e dorëzojmë lirinë. Rama ik!

Ndaj, duke ju shprehur mirënjohjen më të thellë për rolin që ju, zonja dhe zotërinj, banorë të Vorës, Domjes, Bërxullit dhe të Prezës, keni pasur në këto beteja të ngjeshura në këto tre muaj që kanë shëndrruar totalisht peisazhin politik, që e kanë bërë të perëndojë muzgu i tiranisë, frikës, krimit, dhe të lindë agimi i shpresës, t’ju them dhe njëherë: Bashkohuni të gjithë bashkë!

Merrni me vete familjarët, miqtë dhe shokët në një protestë madhështore, e cila do të ketë vetëm një motiv, misionin hyjnor me të cilin lindi Partia Demokratike, paktin e madh kombëtar që bashkon gjithë shqiptarët dhe opozitën:Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!

Koha nuk pret!

Tirania është në gjunjë.
Populli është në këmbë.

Të gjithë bashkë me 25 maj në një betejë vendimtare, për jetë a vdekje, për liri, për demokraci.Për Shqipërinë si gjithë Evropa!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjeve tuaja!
Mirënjohje të veçantë për besimtarët në agjërim. Agjërim të lehtë e të pranuar! Zoti jua shpërbleftë!

Të gjithë së bashku në orën 19.00, ditën e shtunë, le të derdhemi si një oqean shprese që do të marrë përpara çdo mur tiranie, padrejtësie dhe krimi në Tiranë.

Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Exit mobile version