Kryetari i opozitës Basha shprehu dje bindjen përmes një deklarate se beteja e opozitës shqiptare për demokraci, rend dhe siguri nuk është një betejë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe Europën, pasi realiteti aktual është një kërcënim për ta.
Basha shkruan se, beteja e opozitës është për një demokraci të vërtetë dhe një Shqipëri të sigurtë.
“Beteja jonë për zgjedhje të lira, për demokraci të vërtetë dhe për një Shqipëri të lirë nga droga dhe krimi, nuk është vetëm për fatin e shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Kjo është betejë edhe për Europën, edhe për Amerikën, sepse është betejë për vlerat e përbashkëta dhe për sigurinë e përbashkët.
Një Shqipëri e sigurtë, kontribuon për një Europë të sigurtë. Një Shqipëri demokratike dhe e fortë, kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike.
Ndërsa një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, me një qeverisje të kapur nga krimi sjell pasiguri për Europën dhe kthehet në konsumator të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Liria, demokracia dhe mirëqeverisja janë të vetmet garanci për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien, për sot dhe për nesër.
#NgrihemiBashkë #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe”, thotë Basha në deklaratën e tij.