Kryetari i opozitës, ka një axhendë të ndryshme politike nga ajo e Ramës. Basha paralajmëroi dje se e vetmja betejë e opozitës në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë beteja për zgjedhjet e lira. Prej kohësh, Basha i mëshon fort kësaj beteje po ajo mori tone më të forta prej tij menjëherë pas miratimit të Reformës në Drejtësi. Pasi ka humbur betejën për të kapur drejtësinë, Rama vijon të bëjë lojëra me këtë reformë dhe me miratimin e 7 ligjeve. Qëllimi i tij është të provokojë sërish opozitën, duke ndryshuar draftet. Arsyeja se përse e bënë këtë nuk është se synon t’i miratojë këto ligje sipas mënyrës së tij, sepse ai nuk mund ta bëjë dot këtë, sepse nuk ka votat e nevojshme. Qëllimi i tij është që shfokusojë vëmendjen e opinionit nga problemet madhore që ka sot vendi që janë aferat e tmerrshme korruptive dhe kriminaliteti. Në të njëjtën kohë Rama mendon se duke u marrë sa më shumë me beteja anësore si kjo e 7 ligjeve, mund të fitojë kohë për të anashkaluar debatin për zgjedhjet e lira në vend. Basha ka qenë i qartë në të gjitha deklaratat e bëra pas miratimit të Reformës në Drejtësi. Në gjitha kontaktet me partnerët e Shqipërisë, në Uashington, Bruksel dhe Berlin, Basha ka arritur të fokusojë si qëndrim primar të opozitës dhe të gjithë shqiptarëve betejën për zgjedhje të lira në vend. Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Nuland në bisedën telefonike të zhvilluar me Bashën dha garancitë e Departamentit të Shtetit se do të punojë së bashku me opozitën për të garantuar zgjedhje të lira në Shqipëri. Kjo është beteja të cilën Basha po përgatitet të fitojë, pas asaj të dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi.
Ç’është ky njeri që e zë konsensusi?
Lulzim BASHA
Nuk kaloi shumë nga marrëveshja historike në Parlament për Reformën në Drejtësi dhe Edi Rama shfaqet tërë entuziazëm sikur ka zbuluar një vatër të re konflikti. Ç’është ky njeri që e zë konsensusi? Që e sëmur rënia dakord me opozitën për interesat e mëdha të vendit dhe vrapon të shpikë armiqësi të reja?
Kontrata më e madhe nën të cilën jemi është Kushtetuta. Kushtetuta ka përcaktuar afate për kalimin e ligjeve. Dhe asgjë e drejtë e në emër të drejtësisë, s’mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën. Ekspertët e opozitës janë në punë çdo orë të ditës dhe po shqyrtojnë edhe ligjin e Vetting-ut që ka mbërritur afër mesnatës, dy ditë më parë. I gjithë procesi ka tashmë një lider, të konfirmuar, të pakontestuar, të gjithëpushtetshëm.
Ky lider nuk është as Edi Rama, as Lulzim Basha, e aq më pak Fatmir Xhafaj. Por është konsensusi.
Konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet. Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as t’i përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama. Punë dhe rezultate, ky është angazhimi ynë.
Nuk kemi asnjë minutë kohë, sepse teksa shfaqet si komentator drejtësie, çka në të vërtetë nuk është, se nuk ia ka haberin fare, kërkon të fshehë plojën e madhe të vendit, të zhytur në mjerim, papunësi e mungesë shprese.
Krimi po thyen edhe rekordet e veta, ndërsa Rama i përgjigjet me inkriminime të reja në Policinë e Shtetit e me karta dixhitale për naftën.
Bandat e veshura me pushtet po shtojnë anëtarë e dhunojnë qytetarët dhe për turpin e faqen e tij të zezë ai nuk ka shkarkuar nga detyra as Elvis Rroshin, të dënuar edhe për përdhunim, sepse firma e tij i duhet për pazaret e fundit që ka planifikuar.
U bë më shumë se një muaj që mediat më të rëndësishme të botës shkruajnë përditë për 80 mijë dollarëshin e paligjshëm që ka paguar për foton me Obamën, e ai nuk jep asnjë shpjegim.
S’ka mbyllur një kilometër asfalt, por po ju vë shqiptarëve edhe një taksë të re, 10 euro për Rrugën e Kombit ndërkohë që vapa e gushtit po ia than palmat qindra mijë euroshe që i përdor si lodra për të mashtruar shqiptarët.
Shëndetësia është në kolaps të plotë, ekonomia ka ngrirë, prodhimi i fushave po kalbet se nuk shitet asgjë, ndërkohë që skota e tij e ministrave dhe oligarkëve vazhdon të shqyejë mes vedi miliona euro të tenderave e koncesioneve. Droga ka mbuluar vendin e njerëzit po vriten me njëri-tjetrin për ngastrat me kanabis, drejtorët e tij të policisë marrin 30 për qindëshin, drekojnë e darkojnë me trafikantë dhe tregojnë muskujt me varfanjakë, të moshuar e invalidë.
Teksa e gjithë kjo po ndodh, Rama i fryn një zjarri të ri, për të ndezur një hasmëri të re politike, me shpresën se kjo do të largojë vëmendjen e njerëzve drejt një ringu, ku ne refuzojmë të marrim pjesë. Sepse tashmë për ne ka një betejë. Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme. Beteja për t’i dhënë mundësinë vendit të çlirohet nga sundimi kriminal e i korruptuar që i ka zënë frymën qytetarëve. Betejë që do ta luftojmë e do ta fitojmë me dhe për çdo shqiptar.