Arben Frroku, vëllai i ish-deputetit të mazhorancës i akuzuar gjithashtu për vrasje, doli dje para Gjykatës së Amsterdamit ku ka refuzuar ekstradimin në Shqipëri. I dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për vrasjen e Komisar Dritan Lamaj, Frroku ka dalë para një gjykate në Amsterdam, ku u shqyrtua kërkesa e Shqipërisë për ekstradim. Frroku ka argumetuar para togave të zeza se ai nuk duhet të kthehet në Shqipëri, pasi ai aty rrezikohet nga gjakmarrja.
Arben Frroku u arrestua pak kohë më parë në Holandë, ndërsa vendimi për ekstradimin ose jo pritet të jepet pas dy javësh nga Gjykata. Frroku është dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013. Frroku u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe më pas u arratis nga Shqipëria para se Apeli të ndryshonte vendimin. Ai u kap në Holandë për përdorim të dokumenteve false dhe u njoftuan autoritetet shqiptare, të cilat kërkojnë ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin me burg përjetë.
Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS, kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin. Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera.