Basha paralajmëron Ramën për një reagim të paparashikueshëm për Teatrin nëse rikthen ligjin

Kreu i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama të tërheqë ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar apo ligjin ‘Fusha’, siç e cilësoi ai.
“Të tërhiqet menjëherë pa bërë gëk mëk. Shansin ia ka dhënë Presidenti me kthimin e ligjit. E përshendes personalisht këtu kreun e shtetit. Të tërheq ligjin Fusha, mos t’i shkojë ndërmend ta sjellë në seancë se do të përballet me pasojat më të paparashikueshme. Do të jetë shpallje e konfrontimit dhe e përplasjes civile”, u shpreh Basha.
Ndërsa e konsideroi ligjin për shembjen e teatrit, si vijën e kuqe, Basha apeloi kryeministrin Rama, të mos e kalojë atë, pasi pasojat do të jenë të paparashikueshme.
‘Miratimi i ligjit në parlament, do të thotë të asgjësosh kushtetutën, të grabitësh pronën publike për të pastruar paratë e drogës. Ajo është vija e kuqe, pastaj gjithcka do të jetë në dorë te qytetareve dhe ketu nuk dikton më opozita’ u shpreh Basha.
Po ashut Basha i ka dhënë fund zërave për një marrëveshje të mundshme PD-PS për Reformën Zgjedhore.
Ndonëse u përplas para pak ditësh se mes dy partive të mëdha ka një pakt, Basha në një bashkëbisedim me gazetarët ka shuar zërat dhe ka sqaruar se mes tyre nuk ka asnjë marrëveshje për sistemin zgjedhor.
“Nuk do të jetë asnjë pakt politik Rama-Basha, nuk do të ketë më asnjë bashkëqeverisje PS-PD. Duhet t’i japim zgjidhe problemeve të vendit. Kujtoj se 13% e shqiptarëve kanë braktisur vendin, mbi 80% prej tyre kërkojnë të largohen, kështu që s’do ketë asnjë pakt”, u shpreh Basha.
Basha konfirmoi edhe deklaratën e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi se opozita do të dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale.
“Opozita do të dalë e bashkuar, do të përballemi të bashkuar me të gjitha sfidat. Ne po kërkojmë që ky bashkim të jetë sa më i madh”, u shpreh Basha.

Exit mobile version