Basha: Vendi në prag të katastrofës, largim i Ramës dhe Xhafës, asnjë pakt me ta

Kryetari i PD, Basha deklaroi se vendi është sot në prag të një katastrofe dhe paralajmëroi reagimin e fortë të opozitës. “Nëse nuk e ndalim rënien në këtë humnerë vendi do të përballet me pasoja katastrofike për dekada me rradhë”, tha Basha. Kryetari i PD, Basha përcaktoi si detyrë kryesore të opozitës ndarjen e shtetit nga krimi dhe hapi i parë për të konkretizuar këtë është largimi i Ramës dhe Xhafës.
Kreu i opozitës Lulzim Basha në një bisedë me gazetarët ka prekur çështjet më të nxehta të aktualitetit politik, duke nisur nga kërcënimi dhe sulmi me armë që iu bë dje gazetares Klodiana Lala.
Sipas tij lidhja e qeverisë me krimin ka bërë që rendi dhe siguria në vend janë në ditët më të zeza.
“Kjo verë nuk ka qenë e nxehtë nga temperaturat, por nga vazhdimi i skandaleve dhe akteve që konfirmojnë krizën e trefishtë. Bashkëqeverisja e Ramës me krimin dhe kriminelët, qytetarëve u ka vënë një faqe interneti për tu thënë nuk keni punë me mua, shkruani në internet, kurse kohën e kalon me kriminelë, me ata ulet vetë Rama, ministri i Brendshëm, kryetari i grupit parlamentar dhe e thotë me mburrje që ka miqësi me ta, dhe deputetë të tjerë, si Çyrbja i Durrësit që është faktuar si anëtar i bandës së Shullazit. Skandalet e verës zbulojnë skemën se si Rama bashkëqeveris me krimin, sa herë plas skandali, dikush mërzitet e dikush gëzohet, plasi skandali i Xhafës u gëzua Tahiri, u mërzit Xhafa, plasi skandali i Ballës, u gëzua Çyrbja, plasi skandali i Agacit dhe Bibës u gëzuan të gjithë, se basti që ka vënë Rama është se çudia do zgjasë vetëm tre ditë”- tha Basha.
‘’E garantoj atë (Ramën) dhe i them cdo qytetari se ne do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë, prioriteti i parë imi dhe PD mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për të mirë asnjë reformë sado e mirë në letër nuk jep efekt sa kohë qe vendi qeveriset me krimin”, u shpreh më tej Basha.

Exit mobile version