Basha: Përballja me oligarkinë sfida kryesore sot e opozitës

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka hedhur akuza në adresë të kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama. Argumenti ka qenë këtë herë leja e ndërtimit për apartamente banimi në ish-Parkun e Autobusave te Rruga e Kavajës. Përmes rrjetit social FB, Basha thotë se kryebashkiaku Veliaj po e vendos lulishten në duart e klientëve të kryeministrit. Sipas Bashës, Erion Veliaj që është vegël e bindur në duart e oligrakisë që sundon vendin shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të klientëve të Edi Ramës. “Lulishtja pranë Parkut të Autobusëve ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erion Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës. Qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën dje me dhunën e policisë. Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediat kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë. Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit. Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tonë”, u shpreh ai.

Exit mobile version