Patozi: Nuk u përmbushën kushtet

Kandidati për kryetar të PD ka deklaruar dje tërheqjen nga gara pasi siç tha ai nuk ishin përmbushur kushtet për një garë të barabartë. Patozi u shpreh me tone të ashpra. Patozi bëri të ditur se tërheqja e tij nga gara vjen si pasojë e mosplotësimit të kushteve të vendosura për procesin zgjedhor. Ai tha se në kushtet aktuale, nuk garantohen dot as kushtet më elementare për një proces transparent dhe konkurrimi normal.
“Kryetari i vetëngrirë i PD, Lulzim Basha, mori sot të gjitha përgjegjësitë për prishjen e një gare të drejtë, duke refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat tona të arsyeshme për zhvillimin e një procesi të paanshëm, gjithpërfshirës dhe të pandikuar.
Lulzim Basha nuk pranoi të japë dorëheqjen dhe as të lëshojë zyrën, si kushti minimal për t’i dhënë garës paritet në start; vendosi të ruajë si monopol aksesin tek lista e anëtarësisë, si dhe po vrapon të zhvillojë zgjedhje të nxituara për të mos u dhënë mundësi të tjerëve të bënin një fushatë normale.
Vrau çdo mundësi për të analizuar rezultatin dhe për të gjetur arsyet kokëforta të humbjes së thellë të PD më 25 qershor.
Në këto kushte, kur nuk garantohen as elementet bazikë për zhvillimin e një konkurrimi normal, Lulzim Basha mbetet sot përgjegjësi i vetëm, jo vetëm për rezultatin katastrofik të PD në zgjedhje, por dhe për bllokimin e një gare, që do t’i jepte asaj shansin e vetëm për t’u ringritur.
I kërkova kandidatit Lulzim Basha të çlironte PD nga marrja peng e procesit të reflektimit dhe të garës së drejtë brenda nesh. Nuk lëvizi as gishtin për të reaguar, por duket se është shumë i vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj maskarade zgjedhore, e cila nisi me shkelje të rënda të librit të rregullave të PD”, thekson Patozi.
Ai vlerësoi se përmbushja e kushteve të vendosura do të fuste procesin në rendin normal të zhvillimit të zgjedhjeve.
“Ky ishtë detyrim i panegociueshëm që procesi të kthehej në shina statutore. Kjo nuk ndodhi. Bashkë me të edhe të gjitha kërkesat e tjera.
Ndaj është fare e qartë për të gjithë, Lulzim Basha ka marrë përsipër nisjen dhe përfundimin e një farse të shëmtuar elektorale, që thellon akoma më shumë përçarjen dhe krizën e thellë të PD.
Pas kësaj, demokratëve u lind e drejta e çdo lloj forme reagimi për të mos lejuar rrëmbimin pa garë të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personi që e çoi atë në humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar”, tha Patozi.
Lulzim Basha pasi shkatërroi PD dhe të djathtën në zgjedhje, po vazhdon me asgjësimin përfundimtar të asaj, që mbeti prej tyre për shkak të tij, tha ai.

Exit mobile version