Basha: Programi ekonomik i Demokratëve Euroatlantikë zgjidh problemet e mëdha që godasin sipërmarrjen dhe xhepat e çdo familje shqiptare

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka deklaruar se kostot e papërballueshme të jetesës, taksat e larta, klientelizimi i qeverisë dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Ai shton se, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë, PD ka përgatitur një program ambicioz që synon mbështetje për sipërmarrësit dhe krijimin e mundësive për punësim.

Sipas tij, programi i PD synon uljen e taksave, rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e kushteve për bizneset, me qëllim rritjen e pagave dhe përmirësimin e jetesës për familjet shqiptare. Basha i fton qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e votës më 11 maj për të ndryshuar kursin e vendit dhe për të ndihmuar në krijimin e një ekonomie më të fortë.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Kostot e papërballueshme të jetesës, taksat e larta, klientelizimi i qeverisë, mungesa e konkurrencës, korrupsioni që frenon zhvillimin ekonomik, janë plagët e mëdha që godasin sipërmarrjen dhe xhepat e çdo familje shqiptare. Për t’u dhënë zgjidhje këtyre sfidave, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë vendas e të huaj, kemi përgatitur një program ambicioz, që e vendos qeverisjen në krah të sipërmarrësve të ndershëm dhe qytetarëve, jo kundër tyre.

Në qendër të programit ekonomik që propozojmë është mirëqenia juaj: ne besojmë në një ekonomi që frymëzon sipërmarrjen, tërheq investitorë të huaj dhe krijon vende të reja pune. Me taksat e ulëta, bizneset zgjerojnë investimet, fuqizohet prodhimi vendas, zgjerohet shtresa e mesme, rriten pagat dhe konsumi familjar. Kështu familjet shqiptare, në veçanti gjysma që jeton në rrezik varfërie, do të kenë mundësi të ndërtojnë një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë.

Ju keni fuqinë ta bëni të mundur këtë përmes votës tuaj më 11 maj, të vetëdijshëm se Shqipëria meriton më shumë.

Disa prej pikave të programit ekonomik të Demokratëve Euroatlantikë të prezantuara në videon e programit:

– 9% taksë e sheshtë
– 9% tatim fitimi
– 9% dividenti
– 0 taksa për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja
– Ulim detyrimet që bizneset e vogla paguajnë ndaj pushtetit lokal në vlerën jo më të lartë se 1% e xhiros vjetore
– Duke aplikuar pullën fiskale, do të përjashtohen nga kontrollet tatimore bizneset e vogla
– Kompensimi, apo rimbursimi automatik nga sistemi i TVSH-së për çdo tatimpagues përfitues
– Bashkojmë në një institucion të vetëm tatimet dhe doganat, duke përgjysmuar burokracinë
– Eliminojmë privilegjet fiskale për investitorët strategjik
– Heqim “taksën Rama” 240 lekë të vjetra për litër të karburanteve

Exit mobile version