Në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, u analizuan premtimet politike të Partisë Socialiste dhe realizimi i tyre gjatë qeverisjes së të majtëve. Sipas gazetares Arestina Skënderi, kryeministri Edi Rama ka përvetësuar një pjesë të konsiderueshme të premtimeve të kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, nga fushata e vitit 2021.
Në atë kohë Edi Rama ka sulmuar programin e prezantuar nga Lulzim Basha, duke e cilësuar të ngjashëm me ato të firmave piramidale, mirëpo pas fushatës ka mbajtur shënim propozimet dhe është përpjekur ta imlementojë, duke dëshmuar seriozitetin e propozimeve të kundërshtarit të tij dhe duke dëshmuar mungesën e ideve nga ana e kryesocialistit, që pas tre mandatesh kopjen ka armë të vetme.
Megjithatë, edhe pse ka ‘vjedhur’ disa prej premtimeve të Bashës, Rama nuk ka mundur t’i realizojë ato plotësisht:
“Program pas shkollës dhe ushqim në orët shtesë”. Ky projekt është aplikuar vetëm në disa shkolla nga mazhoranca.
“Ulimi i licensave dhe lejeve të biznesit”. Premtimi për të ulur numrin e licensave dhe lejeve të biznesit, si dhe për të përgjysmuar afatet ligjore për çdo leje nga 60 në 30 ditë, është realizuar plotësisht.
“Krijimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit”. Partia Socialiste ngriti Komisionin Parlamentar Anti-Korrupsion, megjithëse ky hap është shoqëruar me polemika nga ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë.
“Subvencionimi i fermerëve”. Qeveria e PS-së ka arritur të subvencionojë fermerët deri në 80 milionë euro, ndonëse ishte parashikuar një buxhet prej 100 milionë eurosh.
“TVSH prej 6% për sektorin e turizmit”. Ky tatim është aplikuar vetëm për akomodimin në sektorin e turizmit.
Pra përvetësimi i premtimeve nga programi i Partisë Demokratike të vitit 2021 tregon se, pavarësisht etiketimeve dhe deklaratave të ashpra ndaj Bashës, Rama ka marrë parasysh iniciativat e Bashës, i cili edhe për zgjedhjet e 11 majit 2025 ka prezantuar një program serioz, të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj, të prezantuar në kohë rekord, gati 1 vit para zgjedhjeve.
Ndoshta edhe këtë fushatë Rama do përpiqet ta anatemojë programin e prezantuar nga Basha, por huazimi i programit të mëparshëm nga ana e kryeministrit, e bën hipokrite çdo sulm.