Basha: PS plus, është drogë, plus kriminelë, plus edhe korrupsion

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për sasinë rekord të drogës nga Shqipëria të kapur në Itali. Në një postim në Facebook Basha shkruan se, projekti i PS i shpallur prej Ramës është PS+drogë+kriminelë+korrupsion. “Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.
Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Ruçit, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, shkruan Basha.
Më tej, Basha shkruan se, opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, shprehet Basha.
Edhe ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj sasisë së drogës të bllokuar në Itali. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Rama dhe Haki Çako ndjehen krenarë me suksesin e madh në eksportin e drogës. “Noriega dhe Haki droga, krenarë me suksesin e madh në eksportin e drogës. Po nisin çdo javë tonelata në Itali!! Të dashur miq, Noriega dhe Haki droga, me operacionet e tyre të fuqishme kundër drogës dhe trafikantëve kanë arritur kohët e fundit suksese të mëdha në eksportin e kanabisit. Kështu, çdo javë, falë luftës me zero tolerancë të tyre kundër kanabisit, ata nisin si eksport 2-12 tonë hashash. Këtë herë të fundit nxorën 1000 policë nga toka, deti dhe ajri për të bllokuar trafikantët, por jo ata që eksportojnë mall, ndaj u eksportuan 2.3 tonë!?”, shkruan ai.
Policia italiane sekuestroi të shtunën 2.3 tonë drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.
Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa, ndërsa detajet janë dhënë në një konferencë për mediat të mbajtur në orën 12:00. Sipas zv/prokurores në pranga për këtë sasi të madhe droge janë vënë një shqiptar 24 vjeç dhe një italian 63 vjeç.
Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit. Brenda tij janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujërave territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen. Dy të arrestuarit janë dërguar në burgun e Marino del Tronto.

R.POLISI

Exit mobile version