Basha publikon amendamentin për hapjen 100% të listave dhe u bën thirrje deputetëve: Rrefuzojeni pazarin Rama-Berisha

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar amendamentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon hapjen 100% të listave.

Basha shkruan se pasi i ekspozoi për amnistinë, sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mbylljen e listave, koha i dha të drejtë. Sipas tij, Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.

Ai më tej ka dhe një mesazh për deputetët në Kuvend ku shprehet se nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.

Poatimi i plotë i Bashës:

I ekspozuam për pazarin me amnistinë, dhe koha na dha të drejtë.
I ekspozuam për pazarin për sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe koha na dha të drejtë.
I ekspozuam për pazarin për mbylljen e listave, dhe koha na dha të drejtë.
Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.

Ne e refuzojmë me forcë këtë pazar, prandaj kam depozituar një amendament përmes të cilit ju jepet mundësia deputetëve që duan realisht lista të hapura dhe neverisin këtë mynxyrë, të votojnë për të pasur lista 100% të hapura.

Përmes këtij amendamenti u japim mundësi partive të zgjedhin nëse duan të përdorin listat e hapura, apo listat e mbyllura, e jo t’i nënshtrohen në mënyrë të detyrueshme pasojave të allshiverishit të atij që ka shpallur revolucion, por është ulur në prerin e Ramës, dhe atij që deklaron se nuk bashkëpunon me non gratat, por bashkon vota me Berishën sa herë ua do halli i përbashkët.

Nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.

Por, nëse duan realisht që gjërat të ndryshojnë e të fuqizojnë votën e qytetarëve duke i’u dhënë dinjitet, autoritet dhe përfaqësim deputetëve, të mbështesin këtë amendament.

Shqipëria meriton më shumë.

IMG 20240725 WA0001

Exit mobile version