“Paqja” mes Berishës dhe Ramës është kundër armikut të përbashkët me emër SPAK

Nga Desada Metaj

Premtuan hapjen e listave, i mbyllën edhe më shumë. Në fakt për ata që e ndjekin politikën kjo nuk është surprizë. Paqja dhe mirëkuptimi i atyre që gjysmën e ditës shahen dhe kërdisen, protestojnë me shashka dhe antiplumb dhe që gjysmën tjetër gjejnë çuditërisht mirëkuptimin për kodin zgjedhor dhe votën e emigrantëve nuk është thjesht mungesë koherence. Është thjesht pazar.

Le ti marrim me radhë. Nga marrëveshja e arritur nuk ka ndryshime në kodin zgjedhor. Ka lista të mbyllura dhe “garë” mes 1 apo dy kandidatëve të fundlistës që do garojnë. Njëjtë sic ndodhi në zgjedhjet e kaluara.

Nuk ka votë për emigrantët. Ka një mundësi që shqiptarët që jetojnë jashtë, ata që kanë një adresë mund të votojnë me postë. Në një proces që përjashton mijëra shqiptarë të larguar viteve të fundit që nuk kanë një adresë fikse apo mundësi për të paguar postën. Thënë ndryshe, do të votojnë vetëm emigrantët elitarë apo ata që do asistohen nga patronazhistët.

Përtej modeleve zgjedhore, mazhoritar, propocinal apo te përzier, problemi më i madh i procesit të zgjedhjeve në Shqipëri është blerja dhe numërimi i votës. Në vend që PD të ngrejë zërin e të kërkojë votimin dhe numërimin elektronik, sot kush më shumë e kush më pak nxitonte të lajkatonte “reformën” Gjiknuri që dhe dikush që nuk e di mirë tabelën e shumëzimit e kupton që i jep avantazhin në tavolinë Edi Ramës.

Politikisht është e qartë që PD e Berishës dhe qeveria e Ramës kanë rënë dakort për të lënë në duart e kryetarëve listat e deputetëve. Por jo vetëm kaq. Pazari i nisur me amnistinë penale Bardhi- Manja, i vijuar me skenën e shëmtuar të Altin Dumanit në seancën parlamentare dhe i kulmuar sot me reformën zgjedhore është vetëm pikënisja e një aleance vjetërsirash.

Pa njëri tjetrin, Rama dhe Berisha nuk do mund të miratonin në parlament këto ndryshime dhe amnistinë. Të dukshme apo jo, interesat që i bashkojë janë më te forta se ato që i ndajnë. Nëse Ramës i duhet të sigurojë fitoren edhe më shumë se të 80 deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, Berishës i duhen jo më shumë se 40 të tillë që të mbajë ne valle PD-në e shkalafitur, besnikët e tij dhe kauzën e Rrugës së Shpresës.

Nuk do habitesha nëse në shtator, aleanca të shtrihej dhe në komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Shenjat janë të qarta. “Paqja”për të marrë çfarë u duhet nga zgjedhjet e 2025 ka vetëm një pengesë. Quhet SPAK. Dhe si “armiku” i vetëm para dy lubive politike, tashmë rruga është e shtruar për të mbërritur tek objektivi final. Që me gjasë nuk do të vonojë. Dhe nuk do mund ta pengojnë as copëzat e opozitës dhe as “të bashkuarit në diversitet”. Që tashmë kanë hallin e madh : si do i rendisë doktori në listë.

Exit mobile version