Basha: Qeveria aktuale nuk ofron garanci shtetërore që palët të konkurojnë në mënyrë të barabartë në zgjedhje

Kryetari i PD, Lulzim Basha tha mbrëmjen e sotme në studion e “Syri.net” se, opozita po sillet me një përgjegjësi që në fakt i takon qeverisjes për të nxjerrë vendin nga kriza.

Basha tha se, nga opozita nuk ka asnjë tërheqje nga qëndrimet e saj të mëparshme ndaj Kryeministrit Edi Rama.
“Reforma Zgjedhore është një kusht për integrimin europian, është një pikënisje e mirë për nisjen e zgjidhjes së krizës.

Qeveria aktuale nuk ofron garanci shtetërore që palët të konkurojnë në mënyrë të barabartë në zgjedhje, Edi Rama nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha, duke shtuar se problemi që ka opozita janë shqiptarët që kanë një kosto jetese gjithmonë e më të lartë, pasi Edi Rama udhëton në avionë luksoz, shkon te bunkeri, bën jetë luksoze.

Basha tha se, platforma e propozuar nga opozita është në thelb vendosja e bazave të një shteti që asnjë person të mos marrë peng institucionet e shtetit.

“Kemi propozuar hapjen e një diskutimi të gjerë publik për të krijuar një kontroll më të mirë të qeverisjes nga Parlamenti, të institucioneve nga qytetarët, pavarësinë e pushteteve të tjera, sikundër është pushteti i medias, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, drejtësia etj”, tha Basha.

 

Exit mobile version