Meta i drejton 10 pyetje Komisionit të Venecias

Presidenti Ilir Meta ka bërë publike letrën që i ka dërguar Presidentit të Komisionit të Venecias, pas raportit paraprak të tij, mbi shkeljen ose jo të Kushtetutës nga kreu i Shtetit për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në 30 qershor.

Kreu i shtetit publikon edhe komentet mbi Projekt-Opinionine Komisionit të Venecias.
Në letrën e plotë, të publikuar edhe më herët, Meta liston të gjitha problematikat e konstatuara në raportin e ekspertëve, që sipas tij, kanë tejkaluar kompetencat e objektit të punës së tyre.

“Së pari dhe mbi të gjitha, ju bëj me dije se në cilësinë e Presidentit të Republikës jam betuar se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar.

Nën këtë betim, aktiviteti im mbizotërohet nga interesi më i lartë kombëtar në shërbim të vendit dhe bashkëqytetarëve të mi.

Duke mirëkuptuar pozitën e pazakontë ku është vendosur Komisioni i Venecias për t’u shprehur rreth një çështjeje që prek si aspektin politik, ashtu edhe atë juridik dhe që ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të paprecedentë, e gjej me vend të theksoj se vetëm një njohje e thellë e situatës në Shqipëri do të mundësonte vlerësimin objektiv të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit”, thekson Meta.
Sipas tij, pika 7 e projekt-opinionit pohon se kronologjia e fakteve nuk është e plotë dhe nuk përbën provë për ndonjë nga ngjarjet e përmendura.

Pyetjet e Metës drejtuar Venecias
Presidenti i Republikës, si palë e interesuar në këtë proces, vlerëson të domosdoshme dhënien e opinionit nga Komisioni i Venecias edhe për pyetjet dhe çështjet e mëposhtme:

1. Përveç Presidentit të Republikës, cilit institucion tjetër i njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve?

2. A ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë që ka urdhëruar shfuqizimin e Dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 dhe Dekretit nr.11211, datë 27.06.2019? A është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i vetmi organ që shqyrton kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit të Republikës?

3. A i është kërkuar Komisionit të Venecias të japë një opinion për vlerësimin e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019? A është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri? A vendos një vlerësim i ndryshëm nga OSBE/ODIHR mbi procesin zgjedhor një precedent përplasjeje midis institucioneve ndërkombëtare? A i ka kërkuar Komisioni i Venecias opinion Kongresit të Autoriteteve Lokale mbi vendimin për mosdërgimin e vëzhguesve për procesin zgjedhor të 30 qershorit në Shqipëri, duke patur parasysh se të dy këto institucione veprojnë nën suazën e Këshillit të Europës?

4. A përfshihet në fushën e veprimtarisë së Komisionit të Venecias përcaktimi shkallës së nivelit të sigurisë në Republikën e Shqipërisë? A kanë patur reporterët në dispozicion të dhëna nga agjencitë e specializuara të sigurisë? A mund të shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias mbi gravitetin e fakteve dhe grupfakteve që Presidenti i Republikës disponon në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për situatën kërcënuese të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri?

5. Në rast se në një rend shoqëror demokratik realizohen zgjedhje vetëm me një kandidat dhe pa alternativa konkurruese: A do të përbënte gjendje shkelje apo cënim të parimeve themelore kushtetuese (të parashikuara nga nenet 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, të Kushtetutës)? A do të përbënte shkelje të standardeve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së saj në lidhje për respektimin e Nenit 3, të Protokollit 1 të saj?

6. Nën dritën e faktit se Gjykata Kushtetuese ka 18 muaj që është jashtë funksionit: A përbën kjo një situatë krize kushtetuese? A sjell pasoja në respektimin dhe zbatimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimit të pushteteve, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe demokracisë? A ka pasoja për rendin kushtetues dhe respektimin e kushtetutshmërisë? A krijon terren për nxitjen e konflikteve institucionale ndërmjet organeve kushtetuese? A pamundëson kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve/vendimeve të organeve qendrore, pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit legjislativ? A mundet që Kuvendi të ushtrojë kompetencat e kontrollit kushtetues që neni 131 i Kushtetutës ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese?

7. Referuar përmbajtjes së Kushtetutës së Shqipërisë: A ka kompetencë Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë apo të shprehet me vendim për të vlerësuar, apo për të rrëzuar dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor? A i nënshtrohet kontrollit nga Parlamenti Dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe nëse po, cila është dispozita që e bën të mundur këtë? Cila është vlera detyruese e Rezolutave që miraton Kuvendi i Shqipërisë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore?

8. Miratimi nga Kuvendi i Rezolutës datë 13 qershor 2019, mbi vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019 dhe thirrja ndaj të gjithë institucioneve shtetërore për moszbatimin e dekretit: A përbën shkelje kushtetuese nga Kuvendi bllokimi i veprimtarisë dhe vendimmarrjes kushtetuese të Kreut të Shtetit? A cënon rolin e Presidentit të Republikës si ndërmjetës dhe Arbitër midis palëve? A shkakton prishje të ekuilibrave institucionale dhe kushtetues dhe për rrjedhojë tronditje të themeleve të shtetit të së drejtës?

9. Në kushtet kur Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij me Rezolutën e datës 13 qershor, ku votues të këtij akti janë 100 deputetë dhe ku përfshihen edhe anëtarët e Komisioni të Posaçëm Hetimor Parlamentar, a është në kundërshtim me parimin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor?

10. Në kushtet e qëndrimeve refraktare të të dy palëve ndaj thirrjeve të përsëritura të Presidentit për dialog, a kishte Presidenti në dispozicion ndonjë mekanizëm tjetër, të ndryshëm nga nxjerrja e dekreteve apo veprimtaria që ai kishte kryer, që të krijonte një mundësi për rinisjen e dialogut politik, ruajtjen e paqes sociale, uljen e tensionit, për të arritur në zgjidhjen e krizës ashtu dhe në ruajtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare?

Exit mobile version