Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dënuar dje me ashpërsi sulmin e dhunshëm të urdhëruar nga Rama kundër gazetarëve e analistëve të njohur që kërkonin të merrnin pjesë në dëgjesën publike të qeverisë për projektin e stadiumit të ri. Përmes një reagimi të menjëhershëm, Basha ka cilësuar Ramën si bunkerin e fundit që shqiptarët kanë për detyrë të rrëzojnë. “Ky është bunkeri ku qeveriset vendi, ku vendoset për pasuritë publike, ku shkelet ligji, ku ndahen copat e mëdha të tortës mes miqve. Bunkeri ku, hapësira për qytetarët në stadium zvogëlohet dhe rritet e zmadhohet pjesa e biznesit, e kullës, e dyqaneve për klientin e Ramës. Nga ky bunker rritet zullumi i qeveritarëve, fryhen llogaritë bankare, vidhen miliardat, ndërsa qytetarët varfërohen me përdhunë çdo ditë. Ky është bunkeri i fundit që shqiptarëve u ka dalë për detyrë ta shembin, 26 vite pasi rrëzuan bunkerin e madh të regjimit komunist”, është shprehur kreu i PD. Basha e ka cilësuar dhunën ndaj gazetarëve si sjellje tipike e një qeverie-bandë me një bandit-Kryeministër. “Akt i rëndë, i paprecedentë dhe i papranueshëm, ndalimi me forcë i gazetarëve të njohur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të marrë pjesë në një aktivitet, që sipas emërtesës duhej të ishte dëgjesë publike për projektin e stadiumit. Rojet e Edi Ramës, janë urdhëruar të mos lejojnë futjen në këtë ‘dëgjesë’, të Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Ylli Rakipit dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kanë kundërshtuar projektin për stadiumin. Sjellje tipike e një qeverie-bandë me një bandit-Kryeministër. Një qeverie, që merr vendime për interesat e saj, të cilës i bie maska e dëgjesës publike në rastin më të parë. Nuk ishte pra, një aktivitet i hapur siç e propaganduan, por një teatër-bunker me regji ku flet Rama, jep mendime Rama, vendos Rama, firmos Rama dhe të tjerët që janë administratë, oligarkë, e klientë dëgjojnë e duartrokasin”, shprehet Basha.