Opozita nuk mund të asgjësohet
Ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, se nëse do të vazhdojë të mbajë afër bandat dhe Shullazët, “98-a do t’i duket lule”. Ai i është referuar në këtë mënyrë revoltës së opozitës në 14 shtator 1998, kur u sulmua Kryeministria. Deklaratat e forta Berisha i bëri gjatë një interviste për Abc News, me gazetaren Mimoza Koçiu. Disa herë ai u kujdes të thotë, që këtë paralajmërim, Edi Rama duhet ta marrë edhe si një mesazh personal. “Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lire, por ta ketë të qartë se do ti duket lule 98-ta ccfarë do mund ti ndodhë nëse ndërsen bandat a armatosura të tij. Pse e them këtë…Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme. Prandaj po dal atyy. E them këtë se në 98-tën bëra gjithcka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga 98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. SE duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës por kanë interesin e sigurisë së tyre ndërsa opozita ka interesat e veta”, tha Berisha. Ndërkohë Berisha mbështeti idenë për armatosje të qytetarëve sipas modelit amerikan, duke thënë se kryeministri Rama s’ka përse të ketë frikë nga armët e popullit.
– Z. Berisha, që pas thirrjes që keni bërë në një transmetim të drejtpërdrejtë TV për armatosje. Po ju citoj: “Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri… Të armatosen, sepse armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre dhe me urgjencë të sjellim ligjin. T’u japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë”. Kjo thirrje që u interpretua si në kufijtë e shkeljes kushtetuese, ju e kishit paramenduar apo ishte spontane meqë po flisnit për Shullazin dhe efektet e denoncimit tuaj publik në media?
Gjëja e fundit që unë bëj kur flas është të flas spontanisht. Para se të shkoj në Parlament, unë parapërgatitem, kurse si ide, kjo është e para disa muajve, që e përpunoj me veten time sepse unë gjykoj se sot asnjeri, përveç atyre që kanë roje, shumë roje, nuk ndihet më i sigurtë në një kohë kur bandat dhe qeveria janë bërë një. Vijmë tek thirrja ime. Thirrja ime vjen në një vend që u njeh të drejtën e armëve, të drejtën për të bërë kërkesë për armatosje qytetarëve edhe mbi bazën e kërcënimit personal… Pse kjo oshëtimë? U ndeshën me këtë rast dhe unë ç’është e vërteta nuk parashikoja të kishte këtë efekt të mrekullueshëm që pati kjo deklaratë e imja. Them të mrekullueshëm sepse nxori, u hoqi maskën kundërshtarëve… Regjimet diktatoriale i mbledhin ato “manu militarum”. I mbledhin ato kundrejt dhunës, terrorit, torturave dhe të gjitha mjeteve të tjera. Pra, Edi Rama me këtë rast nxori fytyrën e tij të vërtetë prej neobllokmeni, tregoi tmerrin që ka ai nga armët në duart e qytetarëve. Kjo thirrje, ky qëndrim ndan sistemet, sistemin demokratik me sistemin diktatorial, përndryshe është i njohur amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane që sanksionon të drejtën kushtetuese të qytetarëve amerikanë për të patur dhe mbajtur armë….
– Besoj e keni parasysh se Shqipëria nuk është një demokraci e konsoliduar si ajo e SHBA-ve apo jo dhe atje ky debat për armët bëhet ndryshe…
Sot është më e konsoliduar si demokraci Shqipëria se ç’ishin në vitin 1792 SHBA-të, kur etërit themelues të Kushtetutës dhe të pavarësisë e vendosën të dytin këtë amendament… Ka një ligj. E kanë amenduar dhe e kanë përmirësuar në një shkallë. Për mua e kanë përmirësuar, pse? Sepse kanë futur blerjen e armës, domethënë qytetarët ta blejnë. Por çfarë ndodh me ta? Armë këta u japin vetëm banditëve. Armë këta u japin vetëm akrabasë së tyre, armë u japin vetëm kundrejt 1000 eurove, kundrejt 1 mijë eurove. Atëherë, po sot cila është situata Mimoza? Situata është më dramatike se kurrë. Unë ju garantoj se siç u vodh tjetri para Hotel “Sheratonit”, hotelit kryesor të vendit, siç u nda tjetri mu në zemër të Tiranës etj., etj., me radhë, kjo situatë mungese totale rendi, ekziston në çdo skaj të Shqipërisë. Fshatra të tëra devastohen nga hajdutë që u vjedhin lopë, kuaj, dele, gjënë e gjallë. Imagjino ti një fshatar që varet aq shumë, ushqimi i familjes së tij nga një apo dy lopë…
– Nuk është më e thjeshtë që këta individë si Shullazi thjesht të arrestohen e të mos propozohet armatosja e shoqërisë z. Berisha, sepse si ish-President, ish-Kryeministër ju jeni Kryeministri që mbaheni mend se e keni futur Shqipërinë në NATO, keni liberalizuar vizat, e afruat vendin me BE dhe po propozoni një gjendje natyrore hobsiane, e keni parasysh? Qeveria është Leviathani dhe njerëzit duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit?
Absolutisht jo hobsiane. Kur unë drejtoja Partinë Demokratike, platforma ime ka qenë zero tolerancë ndaj krimit dhe unë jua faktova shqiptarëve. Nga viti 2005 në shtator gjer në janar-shkurt të 2007, njëra pas tjetrës u eliminuan 204 grupe kriminale, u arrestuan të gjithë bosët e tyre. Banda e Dritan Dajtit, ky ishte leitnant, Lul Berisha, Aldo Bare, Nehat Kulla e dhjetëra e dhjetëra të tjerë bosë kudo që ishin. Dondollaku në Itali etj., kudo që ishin. Në Shqipëri, Itali, Turqi, Suedi, Gjermani në çdo vend që ishin. U arrestuan mbi një mijë bosë të këtyre bandave.
– Pikërisht, këtë gjë e bëri shteti…
Po, po, sigurisht shteti po Edi Rama po bën të kundërtën. Edi Rama ka adhurim për bandat, sepse me bandat ai do të realizojë gjithçka që ai nuk do realizojë dot me ligje. Ai nuk mund të kërcënojë, t’i thotë se do të marr kokën kryetarit të opozitës, se e di që kjo ka një çmim të madh. Por për këtë i çon vrasësin e partisë Shullazin dhe i thotë nxirre kokën në dritare po deshe, po më përmende më emrin. Ai nuk mund të përjashtojë, nuk mund të grabisë tokën e stadiumit dhe të ndërtojë kullën e Olsit, sepse askush në këtë garë nuk do të pranojë, prandaj gjen një njeri ku me Shullazin i përjashton gjithë të tjerët nga gara dhe shkon e merr bukur-bukur dhuratë tokën publike dhjetëra mijëra metra katrorë, e cila iu dorëzua nga qeveria ime Federatës Shqiptare të Futbollit, si një ent shtetëror iu dorëzua dhe kurrë për t’iu bërë dhuratë një privati, për t’iu bërë dhuratë Olsi Ramës apo dikujt tjetër.
– Qëndrojmë edhe pak tek armët, sepse ende nuk m’u përgjigjët. Në qoftë se ju thoni se njerëzit duhet të armatosen për këtë situatë që ju paraqisni, do të thotë që opozita nuk ka alternativë tjetër, por ka nevojë që qytetarët të marrin armët dhe të vetëmbrohen? Sepse ju jeni zgjedhur për të dhënë zgjidhje…
Opozita nuk ka këtë alternativë. E thashë edhe një herë, kjo është alternativa ime. Sepse ka një dallim thelbësor mes meje dhe Lul Bashës. Lul Basha është përfaqësuesi i opozitës kandidat për Kryeministër, kurse Sali Berisha e ka mbyllur kapitullin… PD-ja nuk mund ta ketë këtë alternativë sepse PD-ja kur drejtohej nga unë kishte zero tolerancë ndaj krimit. Unë besoj se edhe z. Basha do i përmbahet këtij parimi që presin qytetarët… Dhe pse s’merr një gjë Mimoza, çfarë impakti pozitiv pati në shtypin ndërkombëtar kjo thirrje? Impakt të shkëlqyer…
– Ju e lexoni si pozitiv faktin se thuhet që në Shqipëri bëhet thirrje që qytetarët të marrin armët?
Thirrje për qytetarët, sepse qeveria nuk po i mbron qytetarët…
– Jemi vend i NATO-s z. Berisha…
Vend i NATO-s? Vendi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që ka qenë edhe Kryeministër, ka përqindjen më të lartë të armëve në Europë pas Zvicrës, Norvegjia, vend themelues i NATO-s…
– Por nuk kanë një histori të ‘97-ës siç e kemi ne…
Jo. ‘97-a nuk është një histori që, çfarëdo që t’i japësh, është një histori malavite dhe bandash…
– Dakord, por ajo tregon se çfarë ndodh kur qytetarët marrin armët…
Absolutisht jo! Ka dy gjëra. Armët me të cilat u vranë shqiptarët u sollën nga deti. Shqiptarët nuk duhet të gabojnë. Armët, të cilat mbrojtën shqiptarët ishin armë të depove. Armët e depove ishin armë që mbrojtën shqiptarët në Shqipëri, mbrojtën shqiptarët në Kosovë…
– Por u desh një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që të stabilizohej situata apo jo?
Ajo ishte qëllim tjetër. Ajo kishte qëllim tërësisht të politikës së jashtme, kërcënime të jashtme. Ishte një gjë tjetër, se duhet t’i analizojmë gjërat. Pra, armë, të cilat u morën nga depot. Depot u hapën. E kuptoni vetë domethënë…
– Gjithçka u fshi me marrëveshjen e 9 marsit, që bëtë ju si President…
U hapën jo pa qëllim depot. Shqiptarët nuk mund t’i merrnin bandat. Shteti kishte një alternativë: o t’u binte me armë këtyre dhe mund të krijonte një konflikt civil, ose të armatoste qytetarët dhe nuk kishte më konflikt civil dhe një pjesë e madhe e këtyre armëve do t’u shkonin shqiptarëve në Kosovë për t’u mbrojtur nga serbët.
– Po thoni që shteti zgjodhi alternativën e dytë?
Absolutisht po! Pa asnjë diskutim, pa asnjë diskutim!
– Kjo është deklaratë e fortë z. Berisha…
Jo, e kam thënë unë këtë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme. Po qe se ti nuk siguron dot qytetarët, ti do t’u japësh mundësi atyre të sigurojnë veten e tyre, se përndryshe… Dhe kjo, kjo e qetësoi situatën. Kjo ndihmoi shumë shqiptarët si në Shqipëri edhe në Kosovë për t’u mbrojtur tek pragu i derës. Nuk luftuan shqiptarët kundër njëri-tjetrit. U mbrojtën tek pragu i derës.
– …Kur thuhet nga armët ka frikë shteti, duket se bëhet thirrje për reagim të armatosur, diçka që ju vetë e keni provuar…
Atëherë në qoftë se unë iu referova ligjit, në qoftë se unë iu referova Kushtetutës amerikane, besoj se këtu pastaj mund të ndërtojë kush ç’të dojë. Po në atë paragraf që ke ti, them të ndryshojmë ligjin në mënyrë që ta nxjerrim nga korrupsioni etj., etj…
– Pra ta rishikoni ligjin…
Po rishikim i ligjit dhe unë i referohem Kushtetutës amerikane. Unë nuk them opozita e armatosur. Unë them qytetarë shqiptarë armatosuni dhe këtë e them me bindjen më të thellë, në këto kushte kur nuk më thotë dot një njeri i vetëm se është i sigurtë. Çfarë po ndodh me Shullazin, me gjyqin e Shullazit? Edi Rama njëri pas tjetrit po terrorizon me pushtetin të gjithë dëshmitarët. Po i detyron ata të tërhiqen. Cili shqiptar ndihet i sigurtë sot, përveç qeveritarëve që rrinë në makina të blinduara dhe veshin antiplumb? Kjo është situata. Situata është katastrofale përsa i përket rendit.
– Po a do ta përktheni në aksion, sepse do ju duhet edhe mbështetje…
Unë nuk e marr me nxitim. Unë e marr gradualisht. Unë kam kohë që bëj thirrje për revolucion demokratik. Dhe unë do të vazhdoj të bëj thirrje… Ka frikë Edi Rama sepse e di që për shumicën e shqiptarëve sot, më e urryer se çdo diktaturë tjetër është ajo e krimit. Ka frikë Edi Rama se ai përdor këtu Shullazin, aty Hakmarrjen për Drejtësi, aty bandën tjetër për të zgjidhur të gjitha problemet e klanit të tij, të vetes së tij.
– Juve ju duhet njohur krediti në fakt që keni folur vazhdimisht për Shullazin, jo vetëm para dy javësh, kur denoncuat se ishte kërcënuar kandidati për rektor dhe rektori i UT, por e keni bërë këtë gjë prej tre vjetësh në Parlament. Keni denoncuar çka ju i quani lidhje të Shullazit me Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Dhe do të vazhdoj të denoncoj. Kam denoncuar edhe Hakmarrjen për Drejtësi…
– Por duhet parë edhe ana tjetër sepse z. Rama ju kujtoi në Parlament se në kohën kur ai ishte në opozitë Shullazi i prishte takimet e Partisë Socialiste. Për llogari të kujt i prishte takimet dhe nëse ishte një keqbërës i rëndomtë, përse i shpëtonte rregullisht burgut?
U arrestua 7 herë. Gjatë periudhës që unë kam qenë Kryeministër Emiljano Shullazi është arrestuar 7 herë. Bosi i tij Dritan Dajti është këputur në mes, në mes… Çfarë është incidenti që përmendi Edi Rama? Vasilika Hysi dhe Besnik Bare ndërtuan zyrën elektorale karshi shtëpisë së tij. Por bosi i krimit nuk mund të duronte altoparlantin e zyrës elektorale të PS.
– Pra, ju thoni që nuk ishte reagim politik…
Jo, ai ishte shef aty. Ai ishte kryetar i PS dhe shkoi ua hoqi, ua mori. Nuk u ka prishur miting ai. U hoqi altoparlantin që i çonte zhurmën tek shtëpia. Çfarë ndodhi me të? U arrestua brenda 12 orëve. Çfarë ndodhi më tej me të? U dënua nga gjykata me 20 ditë për këtë vepër. Çfarë bëri Edi Rama? Edi Rama i dha qindarkë për qindarkë të gjitha ditët e burgut, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin… Emiljano Shullazi është i vetmi shqiptar, që me vendim të Edi Ramës, të qeverisë së Edi Ramës mori dëmshpërblimin, vetëm me vendim të Shkallës së Parë, sepse me të dytën Shullazi s’fitonte kurrë pafajësinë. Edi Rama prishi të gjitha provat e përleshjes së Qafë Kasharit, pasi tha Drejtoria e Tiranës se ai u plagos në shpinë, se u gjet me 7200 euro, se u gjet me kaq fishekë etj., etj. Pas dy orësh Saje Qorri, Didi me urdhër të Ramës, ndryshuan çdo gjë, se Shullazi nuk është i plagosur, se ngjarja e Qafë Kasharit nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në Rrugën e Kavajës etj., etj. Çfarë bën Edi Rama? Ka një drejtor policie që s’ka lëvizur që nga dita e parë që është emëruar e deri sot? Pleurat kanabisi, Pleurat droga që e kemi të filmuar në arat e kanabisit si triumfator në arat personale të tij. Çfarë bën ai? Gjithë ato vrasje në Durrës. Ai garanton vrasjet e Shullazit. Çfarë bën ky Pleurati? Ky nis kamionat me drogë e kapen në Itali. Shumica nga Shullazi. As ferrë në këmbë nuk i hyn sepse bosi i vërtetë i tij është Shullazi. E arrestuan një herë këtë Gilmandon, e arrestuan një ditë. Një polic qe guximtar e kapi në mes të autostradës. E merr nga ministria, nga policia Ardian Çipa. I thotë oficerit “liroje menjëherë”. Jo, i thotë nuk e liroj, më fal. Mua duhet të më thotë Drejtori i Policisë së Durrësit. Pas dy minutash e merr Pleurat kanabisi e i thotë “mos guxo ta sjellësh në komistariat”. U detyrua oficeri e liroi në autostradë. Çfarë ndodhi me vrasjet që bëri? A nuk e morën tjetrin nga qendra e Durrësit dhe e çuan në Fushë-Krujë dhe e ekzekutuan duke mos i nxjerrë Pleurati as edhe një patrullë gjëkundi? Që nga Durrësi deri në Fushë-Krujë mund të nxirrje tre pa asnjë vështirësi.
– Ideja është që njerëzit të vihen para përgjegjësisë për këto veprime…
Qeveria siç ka shndërruar në korporatë krimi veten dhe policinë, ka hedhur tentakulat e veta edhe në Prokurori, në gjykata dhe kudo. Kjo është e vërtetë. Çfarë mund të thoni ju për gjykatësit që lirojnë Armando Prengën? Dhe që e sjellin në Parlament. Këto mund të çojnë në luftëra civile sot.
– Ju vlerësuat së fundmi rolin e Prokurorisë për arrestimin e Shullazit, në një linjë me z. Basha… Gjithmonë shumë të kujdesshëm në artikulimet për Prokurorinë, edhe pse në këto tre vjet ne nuk kemi parë ndonjë aksion për t’u shënuar. Ju keni bërë shumë denoncime z. Berisha. Prokuroria është organi që ngre akuzën, por nuk kemi parë raste për t’u shënuar.
Nuk mund të akuzoj unë Prokurorinë që u përball dhëmbë për dhëmbë me bandat më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Europës. Ata aty janë dhe i kanë bërë shërbime të mëdha vendit të tyre. Por nuk mund të pajtohem kurrë me prokurorin që shet dosjen. Ai prokuror që shet dosjen është më kriminel se çdo kriminel se nuk shitet kurrë sekreti i shtetit. Ai bën një tradhti të lartë ndaj shtetit, ndaj ligjit, ndaj parimeve, ndaj gjithçkaje.
– Atëherë dalim tek çështja që duhet Reforma në Drejtësi apo jo?
Pa diskutim që duhet!
– Çfarë po e vonon reformën, se zëra të ndryshëm, në korridore të medias, politikës, ndërkombëtarë, thonë se nuk është thjesht PD, por është Sali Berisha që nuk e do Reformën në Drejtësi.
Unë ç’është e vërteta nuk besoj ta thotë dikush nga komuniteti ndërkombëtar, por në qoftë se e thotë ndokush prej tyre janë thjesht mercenarë të një regjimi kriminal. Sali Berisha është më i interesuar se kushdo tjetër dhe unë publikisht dhe privatisht në çdo diskutim timin i kam kërkuar Partisë Demokratike të jetë aktive në Reformën e Drejtësisë dhe fakti është, a ka ndikuar apo jo ky qëndrim i imi, s’mund ta them.
– Megjithatë ka disa javë që varianti final ka ardhur nga Venecia…
Venecia e rrëzoi draftin e dytë në 11 shtylla. E këputi në mes. Venecia asgjësoi Byronë e Hetimit në variantin e Edi Ramës, ku Edi Rama bëhej kryehetuesi i Shqipërisë. Venecia denoncoi shkeljen e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Kushtetutës shqiptare nga drafti. Venecia denoncoi përpjekjen e qeverisë për të kapur drejtësinë. Të gjitha këto. Dhe siç e di ti në mars erdhi opinioni i dytë i Venecias, pra u shtynë edhe 3 muaj. Nga 5 u bë 8 muaj vonesa nga Edi Rama dhe përpjekja e tij monstruoze për të kapur drejtësinë.
– Sot ai ju thotë po ju pres në tavolinë…
Prit një minutë, prit një minutë. Çfarë bëri ndërkohë? Edi Rama përgatiti, kaloi në qeveri draftin famoz të BKH-së, ku vinte Saje Qorrin në krye të saj. Pse e bëri këtë? Ai e dinte që ajo s’pranohej kurrë. Po e bëri vetëm për të bllokuar. Pse e bëri për të bllokuar? Sepse tani hyn faktori Ponta dhe Surreli. Një vizitë të shpejtë në Rumani bashkë me tellallin e tij Balla, drejt e tek Viktor Ponta. Viktori u tha, “në qoftë se e bën, shihe këtë, do ta kesh më të ngushtë qelinë, se ç’e kam unë sot”…
Po çfarë u tha tjetër? Unë tha në ligj e kisha që e emëroja vetë. E emërova, por ma morën e m’i bënë “brain washing” (shpëlarje truri). A e kishte fjalën për ndonjë vend europian apo për Amerikën, këtë nuk e di. M’i bënë brain washing dhe të parit që iu kthyen, m’u kthyen mua. A do të t’i jap unë emra deputetësh e të them për bisedën që ka bërë Edi Rama në sallën e Parlamentit për reformën? Edi Rama, haptas kundër reformës.
– Atëherë pse nuk e nxisni ju si opozitë?
Opozita nuk mund të asgjësohet. Sepse nëse opozita bënte të paqenë rastin e Prengës dhe në rastin e dy shkeljeve të rënda të Kushtetutës, opozita asgjëson veten e vet, vërtet merr pjesë në një proces, por bëhet absolutisht inekzistente. Çfarë bëri tani? Unë bëra një deklaratë dhe po të them një gjë, që kjo është e mjaftueshme për të bojkotuar Parlamentin dhe unë nuk e këshilloj këtë dhe nuk do bojkotohet.
– Cili është roli i opozitës në këtë periudhë, sepse kam parasysh që juve jeni njeri i aksionit, ju propozoni deri armatosjen e qytetarëve, ndërsa opozitën e shoh me denoncime nga foltorja e PD, denoncime të tipit që sot i bëjnë edhe mediat dhe njerëzit në rrjetet sociale. Keni një strategji që konvergon në drejtime të ndryshme?
Edhe një herë: armatosja e qytetarëve ka një konotacion për sigurinë e qytetarëve. Pse e merr Edi Rama se është armë kundër tij, Zoti e shpëtoftë atë, ajo është punë tjetër.
– Pse nuk ka aksion në PD ose më mirë pse ka më shumë denoncime se sa le të themi frymëzim. Opozita duhet të frymëzojë sot dhe ju e dini këtë gjë nga eksperienca juaj 8-vjeçare në opozitë…
Unë mendoj se opozita nuk ka vetëm denoncime. Opozita paraqet në mënyrë të përditshme alternativat.
– Nuk ka aksion të përditshëm…
Ka dhe aksion dhe mund të ketë edhe më shumë aksion, jam dakord, por alternativë opozita po paraqet, të them të vërtetën më shumë se çdo opozitë në historinë e vendit. Paraqet vazhdimisht alternativa për ekonominë e për të gjitha problemet, por problemi është se sot ekziston një terror. Ju e dëgjuat në një nga emisionet e “Opinion” kur moderatori i emisionit, Blendi Fevziu tha se 36 gazetarë dhe zyrtarë refuzuan të vijnë në këtë studio të flasin për Shullazin. Kjo është gjendja më katastrofale…
– Dhe këtu po e mbyll me pyetjen e fundit, ju përmendët që jeni ish, por ju keni një ndikim të jashtëzakonshëm në publik. I hodha një sy përpara kësaj interviste Facebook-ut tuaj, keni mesatarisht 3 statuse në ditë, të cilat marrin nga 2-3 deri në 5-6 mijë pëlqime çfarë është një rekord, pra keni shumë ndikim. Më kujtohet, ju kam bërë një pyetje në një studio televizive dhe ju kam thënë, a do të jepni dorëheqjen nëse do të humbni zgjedhjet dhe përgjigjja juaj ishte “burri njihet nga pasionet dhe pasioni juaj ishte politika”, çka u vërtetua në fakt pasi ju e dhatë dorëheqjen, por vërtet qëndruat në politikë. Tani, cili është pasioni i Sali Berishës i radhës, sfida e radhës, sepse nuk ju shoh si njeri që mund të jeni pasiv, ju duhet të keni një sfidë, një pikësynim dhe a keni një afat për këtë?
Unë ju siguroj se unë kam vetëm një qëllim, imediat, afatmesëm dhe afatgjatë; mbrojtja e interesit publik, ashtu siç e quaj unë. Unë nuk pretendoj kurrë që të jem barometri i tij, as dhe të kem monopolin e të vërtetës, por në mënyrën siç e konceptoj unë. Ka një shprehje Eduard Burke “asgjë s’i duhet të keqes më shumë të triumfojë sesa heshtja e njerëzve të ndershëm, heshtja e atyre që nuk duhet të heshtin”, dhe unë nuk do të hesht kurrë para asaj që e konsideroj të keqe për publikun.
– Edhe me rrezikun që do të përjashtoheni sepse u bë hera e dytë… Megjithëse grupi duket sikur nuk rri dot pa ju në Parlament…
Përkundrazi jam nderuar shumë nga ky vendim. Unë them një gjë, në qoftë se marrëdhëniet e mia nga Parlamenti deri diku m’i kushtëzon edhe grupi, sepse unë nuk dua të ndikoj në vendime që nuk besoj se i interesojnë PD-së dhe grupit ndaj Parlamentit. U tmerrua nga kërkesa ime që qytetarët të kenë armë sipas ligjit, tregoi se ka mendësinë e Spiro Kolekës dhe të atit të tij biologjik, mendësinë e atyre që kanë frikë dhe tmerr nga armët në duart e qytetarëve. Edi Rama për hir të së vërtetës, më 14 shtator të vitit ‘98, pasi kriminelë me uniforma, majorë, kolonelë etj., ekzekutuan para selisë së PD Azem Hajdarin dhe të nesërmen, me gjithë përpjekjet e mëdha të mia që ai të mos shndërrohej në një konflikt më të gjerë, ajo ndodhi. Dhe Edi Rama e di mirë kur ka ardhur në televizionin shtetëror u zhduk, hyri në bunker, ka qenë i verdhë e i zbehtë sikur kish dalë nga arkivoli. Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lirë, por ta ketë të qartë se do t’i duket lule ‘98-ta çfarë do mund t’i ndodhë nëse ndërsen bandat e armatosura të tij. Pse e them këtë?
– Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme…
Prandaj po dal aty. E them këtë se më ‘98-tën bëra gjithçka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga ‘98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. Se duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës, por kanë interesin e sigurisë së tyre, ndërsa opozita ka interesat e veta… Po qe se vepron me praktika të tilla, në mënyrë absolute vrimë miu të gjejë dhe ta marrë personale këtë, ja kam bërë një herë. E mori personale dhe e dëgjoi mirë.
– Zoti Berisha, unë vërtet shpresoj që opozita të gjejë një alternativë tjetër më të mirë sesa armët…
Më vjen keq dhe unë ju garantoj dhe një herë se kjo nuk është e opozitës, armët nuk janë alternativë e opozitës.
Alternativa ime është kjo, opozita ka alternativën e vet. Opozita nuk e arreston dot Shullazin, nuk arreston dot bandat. Opozita duhet të përgatisë alternativën e vet kur të vijë në pushtet. Për kohën kur opozita nuk është në pushtet, rendin dhe sigurinë e ka qeveria, por rendin dhe sigurinë e ka marrë Shullazi dhe Edvin Shullazi.
– Nuk tërhiqeni nga qëndrimi?
Absolutisht kurrë. Në asnjë mënyrë, pse do të tërhiqem?
Marrë nga ABC News