Basha: Rama erdhi në pushtet me paratë e krimit, me të fortët dhe kriminelët nuk konkurohet në zgjedhje…

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ka deklaruar se kryeministrin Edi Rama e sollën në pushtet paratë e krimit.

Ndërkohë ka theksuar se në 2013-tën, bashkë me Ramën në pushtet erdhën edhe kriminelët, duke marrë poste të larta publike.

Pjesë nga deklarata e Bashës

Bashkë me Edi Ramën në pushtet erdhën me dhjetëra krerë rajonalë të krimit, disa duke u bërë direkt deputetë në Kuvend dhe funksionarë shtetërore, të tjerët morën fuqinë për të komanduar pushtetin në zona të ndryshme të vendit.

Që ditën e pare, pushtetin e Kryeministrit, Edi Rama e përdori për ta fuqizuar modelin e ortakërisë krim-politikë në shkallë kombëtare. Madje ai e ngriti atë në një nivel të ri, duke e shkrirë një krimin dhe politikën

Sikurse e pa gjithë bota, në Durrës, sot nuk ka më asnjë dallim dhe asnjë vijë ndarëse mes krimit dhe Partisë Socialiste dhe institucioneve të pushtetit që kontrollon Partia Socialiste.

Kjo gjendje nuk është kapje e shtetit nga krimi, është shkrirje e shtetit dhe krimit në një.

Për të arritur në këtë pikë, që ditët e para Edi Rama lejoi dhe mbrojti kultivimin dhe trafikun ndërkombëtar të kanabisit në të gjithë Shqipërinë:

Nuk duhet patur asnjë dyshim, ishte një projekt i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm i Edi Ramës, i cili e sheh krimin dhe drogën si faktor ekonomik.

Nga Bashkia e Tiranës Edi Rama u mësua se droga prodhon para lumë, me të cilat ndërtohen pallate, që është i vetmi aktivitet ekonomik që Edi Rama njeh dhe nxit.

Këtë model zbatoi ai në të gjithë Shqipërinë duke lejuar kanabisin: ekonominë e drogës për të ngritur kulla.

Vazhdimi dihet nga të gjithë. Aktiviteti kriminal i drogës evolon nga ai drogave të lehta në ato të rënda, kokainë dhe heroinë. Evolon nga niveli lokal në atë rajonal dhe pastaj ndërkombëtar.

Pastaj kriminelët me paratë e drogës kapin policinë, drejtësinë dhe politikën. Pikërisht kjo që ka ndodhur në Shqipëri me shpejtësi brenda pak vitesh.

Të gjitha këto, unë dhe PD i kemi denoncuar dhe luftuar përditë. Shumë njerëz na kanë marrë për Don Kishotë, por sot don kishotët janë ata që Edi Rama ju dukej artist dhe perëndimor dhe jo ai që është: një kriminel llogaritës dhe manipulator gjakftohtë që ka instaluar në Shqipëri një regjim kriminal.

Unë do të kisha dashur shumë që në opozitë të isha marrë me politikat publike, të isha marrë me programe dhe ligje, por kjo ka qenë e pamundur përballë krimit dhe drogës. Sa herë që ne jemi përpjekur për të dhënë alternativë qeverisëse, skandalet e drogës dhe të krimit na kanë detyruar të çojmë vëmendjen tek krimi dhe droga.

Unë do të kisha dashur shumë që jeta parlamentare e jona të ishte perëndimore, që ne të diskutojmë në Kuvend ide, ligje, vendime që ndihmojnë ekonominë dhe njerëzit. Por është tallje dhe verbëri kriminale t’i kërkosh opozitës që të ulet dhe të bëjë ligje dhe diskutime parlamentare me Armando Prengën, Arben Ndokën, Mark Frrokun, Pjerin Ndreun, Ergys Çyrben, Rrahman Rrajen, Ilir Ndraxhin e shumë banditë apo eksponentë të krimit në Kuvend dhe majat e politikës socialiste.

Me Rrahman Rrajen nuk flitet për ligje. Me Saimir Tahirin nuk flitet për rendin publik. Me Elvis Roshin e Vangjush Dakon nuk flitet për planet e zhvillimit urban. Me Fatmir Xhafajan nuk flitet për drejtësi dhe të drejta të njeriut.

Ka një të vërtetë të madhe: me kriminelët dhe të fortët nuk mund të përdorësh standarde perëndimore.

Me të fortët dhe kriminelët nuk konkurohet në zgjedhje. Ne nuk nuk mund të konkurojmë politikisht me Avdylajt në Durrës, me Habilajt dhe Xhafajt në Vlorë, me Shullazët në Tiranë, me Rrajat dhe Bushët në Krujë, me Bajrat në Shkodër, me Lalat në Peshkopi, me Sanxhaktarët dhe Sejdinët në Elbasan, me Ndokët dhe Prengat në Lezhë, me Rroshët në Kavajë.

Exit mobile version