Kryetari i PD, Lulzim Basha, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, i cili po viziton Tiranën, dha një prononcim për mediat. Basha tha se, kriza zgjidhet vetëm me dialog politik, pa ndërmjetësim nga të huajt. Po kështu, kreu i PD u shpreh se, bie dakord me propozimin për krijimin e qeverie tranzitore 6 muaj para zgjedhjeve.
Pyetje: A është dakord OSBE që dialogu mes palëve të zhvillohet jashtë dyerve të Parlamentit?
Basha: Dialog brenda dyerve të pseudoparlamentit nuk mund të ketë, sepse është monolog. Normalisht që dialogu do të zhvillohet jashtë dyerve të pseudoparlamentit deri sa të kemi një parlament që është produkt i votës së qytetarëve dhe jo i përfshirjes së bandave kriminale.
Duhet vullnet politik për të miratuar një reformë zgjedhore të vertetë dhe për ta zbatuar atë. Kjo është arsyeja pse opozita ka vënë në dispozicion të gjithë ekspertizën e saj, më e mira në vend. E përsëris, vullneti politik deri më tani mungon nga pala tjetër, që akuzohet për shkatërrimin e 3 palëve zgjedhjeve.
Me sekretarin e përgjithshëm të OSBE folëm për ofrimin e ekspertizës nga ana e tyre për për të ndihmuar në këtë proces. Si dhe rolin e OSBE për dialogun politik, për t’i dhënë fund krizës në vend. Për opozitën rruga është e qartë: Miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe lokale në një ditë, ku vota nuk tjetërsohet më.
Pyetje: Dje në Komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore është propozuar që 6 muaj para zgjedhjeve qeveria të kthehet në qeveri teknike, po ju simendoni?
Basha: Kur është thënë kjo. Ta shohim ta diskutojmë se një mendim i tillë mund të zbatohet. Ne e kemi thënë edhe më parë, derisa vendi të bëhet anëtar i BE, duhet një dispozitë që përcakton një qeveri kujdestare që zhduk dramën e zgjedhjeve. Dialogu duhet të zhvillohet jashtë dyerve të pseudoparlamentit.
Pyetje: Kush do ta ndërmjetësojë dialogun, z. Basha? Ju keni nisur diskutime, propozime konkrete për Reformën Zgjedhore. Zoti Gjiknuri tha që jemi dakord që të jetë OSBE shkes, le të themi që të vijnë propozimet e PD-së. A do ta pranonit këtë?
Basha: Këto janë budallallëqe! Për t’i hedhur hi syve të njerëzve dhe për t’ju bërë juve që të bëni pyetje të tilla dhe ta fusni diskutimin në qorrsokak. Këto punë nuk bëhen me shkes. As në Afrikë, jo në Evropë, po ashtu siç bëhet dialogu politik, siç janë zgjidhur krizat politike dhe në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Merrini shfletojini, mund t’u jap edhe leksion, por sikur nuk është vendi…ato janë budallallëqe. “Merri ti, m’i jep këtu, i ço aty!” janë heqje përgjegjësie.