Basha-SPAK: Do jetë shumë vonë nëse kjo bandë kriminale vazhdon të përgjakë buxhetin dhe t’i zhdukë në parajsa fiskale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se në Buxhetin e shtetit ka para mjaftueshëm që vendi të përballet me krizën për shkak të pandemisë së COVID-19. Ai deklaroi se tashmë SPAK i ka në dorë provat për rastet e vjedhjeve dhe për këtë fakt ky institucion duhet të veprojë menjëherë.

Në një konferencë për gazetarët, lideri i PD-së tha se ky institucion duhet të veprojë sot.

“Kam dhe një mesazh shprese, – theksoi Basha. – Nëse këto shpenzime grabitëse ndalen, ka mjaftueshëm para për tu përballur me krizë, sepse Shqipëria nuk është e varfër po e vjedhur. Mjafton të ndalim këtë vjedhje dhe e ndalin varfërinë dhe falimentimin e bizneseve. Mjaftojnë këto hapa!

Nuk premtoj mrekulli. 160 mijë lekë në muaj nuk janë mrekulli dhe as zgjidhje për atë që ka humbur vendin e punë, po detyrimi minimal i shtetit ndaj atij që ka fëmijë për të ushqyer.

Unë e di që bonusi për mjekët nuk barazohet me rrezikun vdekjeprurës po është minimumi i minimumit për të shprehur mbështetjen nga një qeveri e përgjegjshme.

Sikurse e di që një çek nga një qeveri e përgjegjshme nuk e kthen në mirëqenie, po mbyll gropat e shtuara në këtë situatë dhe është shenjë e një kryeministri të përgjegjshëm, që e keni në shpatulla dorën e qeverisë dhe jo në xhepa a në fytyrë. Edhe 20 mijë lekë për pensionistët është minimumi.

Përgjegjësinë time si kryetar i opozitës sot dhe opozitës së bashkuar e shoh jo thjesht në denoncime por në shpalosjen e propozimeve realiste se kjo nuk ka të bëjë me 25 prillin që do të jetë një uragan i papërmbajtshëm por kjo ka të bëjë me situatën e rëndë dhe bukën e e gojës së shqiptarëve dhe ndaj kam ditë për ditë duke treguar se çfarë duhet të bëjë një qeveri qoftë dhe në një moment të fundit përgjegjësie.

Tani e përsëris të njëjtën thirrje për ato organe të reja të drejtësisë që e kanë të përcaktuar rolin e tyre.

Nuk mjaftojnë hapat e breshkës, sepse çdo ditë që nuk veproni, nuk thërrisni, nuk merrni të pandehur ata që marrin milionat e shqiptarëve, po inkurajoni vjedhjet.

Ju duhet të shkurajoni largimin e parave të shqiptarëve tek këta njerëz.

Filloni, merrini në pyetje, thërritini në SPAK!

Vjedhja është ashiqare!

E vetmja arsye që vazhdojnë të livadhisin është mosveprimi juaj se provat i keni!

Nuk ka shqiptar që s’i sheh.

Çfarë prisni?!

Do të jetë shumë vonë nëse kjo bandë e strukturuar kriminale vazhdon të përgjakë buxhetin dhe t’i zhduke në parajsa fiskale dhe ndërkohë numri I viktimave edhe atyre që janë zhytur në varfëri e kolaps të rritet.

Keni në dorë të veproni sot!

Exit mobile version