Basha: Të presësh që Rama të luftojë kurrupsionin është si t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Të fuqizohet SPAK

Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, është shprehur se sa herë që plasin skandalet e korrupsionit, Edi Rama pushton ekranet duke u betuar se do e luftojë atë. Me anë të një postimi më Facebook, ai shkruan se sa herë që kryeministri merr nisma gjoja kundër korrupsionit, aq më shumë para vidhen nga xhepat e shqiptarëve.

Qëllimi i tij, sipas Bashës, është që të bllokojë drejtësinë që ajo të mos të trokasë në derën e tij dhe t’u shesë shqiptarëve sapunin për djathë, sikur të gjithë janë të korruptuar veç ai jo.

Basha më tej thotë se sot ka vetëm një rrugë për të luftuar korrupsionin dhe ajo është duke mbështetur SPAK, ndërsa sjell në vëmendje propozimet e PD të cilat prej muajsh ndodhen në syrtaret e Kuvendit.

Reagimi i plotë i Bashës:

Sa herë i plasin skandalet e korrupsionit, si rasti i tmerrshëm i onkologjikut, pushton ekranet duke u përbetuar se tani do të luftojë korrupsionin.
E sa herë ndërmerr nisma gjoja kundër korrupsionit, më shumë para vidhen nga xhepat e shqiptarëve.

Përmes propagandës synon të bllokojë drejtësinë, që ajo të mos të trokasë në derën e tij dhe t’u shesë shqiptarëve sapunin për djathë, sikur të gjithë janë të korruptuar veç ai jo.

A ka shqiptar që beson se kur janë kapur me presh në duar zëvendës kryeministri i korruptuar, ministra të korruptuar, kryebashkiak të korruptuar, drejtorët e përgjithshëm të korruptuar, drejtorët e bashkive të korruptuar, të gjithë të korruptuar, vetëm Edi Rama është i pakorruptuar?!

Të gjitha fijet e korrupsionit lidhen pas karrikes së tij, prandaj atij i duhet dëshpërimisht të kontrollojë SPAK, e për këtë përdor aleatët që ndajnë të njëjtin hall me të.

Nëse vërtetë do të ishte për luftë kundër korrupsionit, fillimisht do të plotësonte kërkesat e SPAK, dhe për këtë ka propozimet tona, që me urdhër të tij janë kyçur në sirtaret e Kuvendit.

Me vepra Edi Rama është kampioni i korrupsionit, mbrojtësi më i fuqishëm i aferave korruptive dhe i promovimit të të korruptuarve.

Sot ka një rrugë për të luftuar korrupsionin, të mbështetet dhe fuqizohet SPAK. Të tjerat janë shfaqje elektorale, për të pastruar imazhin e nxirrë nga gjëmat që kanë shpopulluar vendin. Shqipëria meriton më shumë!

Exit mobile version